Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e Presidenti Ilir Meta, për ligjin e “Tatimit mbi të ardhurat”. Komisioni zhvilloi mbledhjen këtë pasdite vetëm me përfaqësuesit e maxhorancës, në një kohë kur paralelisht zhvillohej seanca e Kuvendit me diskutime për protestën e studentëve. Relatori i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, deputeti socialist, Ervin Bushati tha se hapi i Metës është politik.

“Presidenti ka bërë vlerësime politike. Ligji duhet të stimulojë ekonominë. Është tagër i mazhorancës për të orientuar financat publike. Argumentet e presidentit mbi ligjin e tatim-fitimit nuk qëndrojnë”,-tha Bushati.

Meta e cilësoi antikushtetues nenin që ul dividentin nga 15 % në 8 %. Sipas Metës, ligji s’mund të ketë fuqi prapavepruese për ata që kanë shmangur detyrimet. “Nëse synimi do të ishte “amnistia fiskale” nuk duhej të ishte reflektuar në këtë ligj”- thekson Presidenti, ndërsa shton se në këtë formë, lihen hapësira për abuzim (Lexo këtu). Në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, vetëm me votat e maxhorancës u rrëzua dekreti i Metës dhe i kalon Kuvendit për votim.