Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) me vendim unanim ka vendosur të shpallë të pavlefshëm mandatet për 6 këshilltarë bashkiakë.
Në diskutimin e sotëm, anëtarët e KQZ konstatuan se 6 këshilltarët bashkiakë kishin probleme me formularët e dekriminalizimit.
Për një këshilltar bashkiak të shtatë është shtyrë vendimi, me pretendimin se kërkohet më shumë kohë për evidentimin e mangësive në formularë.
Në kohën kur po diskutohej për mandatin e Bibë Kolaj anëtarit të Bashkisë Pukë, në trupën e KQZ ka pasur debate të forta në lidhje me interpretimin e ligjit për rastin në fjalë. Sipas administratës së KQZ, rezultonte se Bibë Kolaj nga Partia Demokristiane e Shqipërisë ishte i dënuar në vitin 2004, për veprën penale të vrasjes e më pas për kanosje. Por më vonë ishte liruar. Për këtë rast kQZ, vendosi të marrë informacione të nevojshme.
U hiqet mandati
-Robert Dajanaj nga Aleanca për Demokraci në Malësinë e Madhe
-Gani Hida nga Partia Demokracia Sociale në bashkinë Elbasan
-Rrok Rroku nga Partia Personat me Aftësi të Kufizuar bashkia Lezhë
-Zija Mema Lëvizja Socialiste për Integrim, Rrogozhinë
-Tomor Prenjasi Partia Agrare Ambientaliste, bashkia Maliq
-Muharrem Shkjau nga partia Balli Kombëtar, bashkia Shkodër
U shty vendimi për Bibë Kolaj në Pukë nga partia Demokristiane. (Sipas KQZ, Bibë Kolaj ishte i dënuar në vitin 2004 për vrasje)
(Dokumenti qe u diskutua sot ne KQZ)
Pak muaj më parë, KQZ u hoqi mandatet dy deputetëve dhe një kryebashkiaku.
Veprat e kryera nga këshilltarët bashkiakë që iu hoq mandati:
Tomorr Prenjasi
Referuar të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar nga z. TomorPrenjasi, vërtetimit të gjendjes gjyqësore në lidhje me veprën penale, “Plagosje e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 93/1 dhe 31/a i Kodit Penal, të para vitit 1995, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal në fuqi dhe për veprave penale, “Sjellje e padenjë në shoqëri”, parashikuar nga neni 129/1 dhe 31/a i Kodit Penal, të para vitit 1995, parashikuar nga Kreu II, Seksioni VIII i Kodit Penal në fuqi. Për këto vepra penale, funksionari publik nuk është rehabilituar, si pasojë ështe brenda periudhës së ndalimit për ushtrimin e funksionit. Bazuar në germën ç, pika 1, neni 2 i ligjit 138/2015, funksionari publik z. Tomor Prenjasiështë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.
Muharrem Shkjau
Referuar të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar nga z, Muharrem Shkjau, vërtetimit të gjendjes gjyqësore në lidhje me veprat penale të “Mbajtje të municionit luftarake”, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal, “Vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, bazuar në germën c, pika 1, neni 2 i ligjit 138/2015, funksionari publik z. Muharrem Shkjau është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.
Zija Mema
Referuar të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar nga z.Zija Mema, vërtetimit të gjendjes gjyqësore në lidhje me veprën penale , “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248, 30/1,6 dhe 59 Kodit Penal bazuar në germën b, pika 2, neni 2 i ligjit 138/2015, funksionari publik z. Zija Mema ështënë kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.
Rrok Rroku
Referuar datës 17.07.2015, së vendimit të gjykatës së Apelit Shkodër në bazë të të cilit është deklauar fajtor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe nenit 4, pika 2 të ligjit 138/2015 Z. Rrok Rroku për këtë vepër penale është brenda periudhës për ndalimin e ushtrimit të funksionit.
Robert Dajani
Referuar të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar nga z.Robert Dajani, vërtetimit të gjendjes gjyqësore në lidhje me veprën penale , “Prodhim dhe Shitja e Narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 Kodi Penal bazuar në germën a, pika 1, neni 2 i ligjit 138/2015, funksionari publik z. Robert Dajani është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.
Gani Hida
Referuar të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar nga z. Gani Hida, vërtetimit të gjendjes gjyqësore në lidhje me veprën penale , “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248, 48/ç dhe 49 i Kodit Penal bazuar në germën b, pika 1, neni 2 i ligjit 138/2015, funksionari publik z. Gani Hidaështënë kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit.
(d.b/Shqiptarja.com)