Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian mirëpret miratimin e ligjit të dekriminalizimit. Në të njëjtën linjë me dy eurodeputetët Fleckenstain dhe Kukan, edhe BE thotë se kyç për integrimin e vendit është dialogu politik mes partive.

Përmes një njoftimi për shtyp, Delegacioni i BE-së thekson se për të forcuar besimin në ligj, duhet bërë reforma në drejtësi.

Njoftimi i plotë i Delegacionit të BE
Delegacioni Europian mirëpret vendimin e rëndësishëm dhe unanim të marrë sot nga parlamenti shqiptar për heqjen nga funksionet publike të politikanëve të inkriminuar.

Ky vendim pritet të forcojë sundimin e ligjit, integritetin e zyrtarëve publikë, por edhe rritjen e besimit të qytetarëve në funksionimin e shtetit dhe institucioneve të tij.
Miratimi i kësaj pakete legjislative tregon që dialogu mes partive është rruga më e mirë për të vijuar me reformat e nevojshme të vendit.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të angazhohen në dialog konstruktiv për t’i bërë ballë të gjitha sfidave, reformave të mëtejshme delikate për vendin siç është ajo e Reformës në Drejtësi. Progresi i reformave është vendimtar në forcimin e ligjit dhe ecjen përpara drejt integrimit Europian.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)