Dekriminalizimi, Bylykbashi: Qeveria
s’ka vullnet për realizimin e procesit

Dekriminalizimi, Bylykbashi: Qeveria<br />s’ka vullnet për realizimin e procesit
TIRANE - Projektligji i qeverisë për funksionet publike përjashton thelbin e dekriminalizmit, duke hequr në ligj 5 pikat thelbësore të draftit të demokratëve. Nëse qeveria ka hequr në ligj  verifikimin e zyrtarëve , PD me draftin e saj parashikon ngritjen e një institucioni të posacëm brënda prokurorisë që verifikon cdo person që ësstë në detyrë në institucione publike apo i zgjedhur me votë.

Për opozitën, qeveria nuk ka vullnet për ta bërë dekriminalizimin madje sipas Oerd Bylykbashit shumica me iniciativën e saj lë në detyrë persona të inkriminuar duke mos parashikur ndërprejen e mandatit. 

PD: 5 pikat që hoqi qeveria

Verifikimi i zyrtareve

Ndërprerja e mandatit e zyrtarëve aktualë

Gjurmët e gishtërinjëve

Testi i drogës

Heja nga konkurrimi të dënuarve deri para 20 vitesh

Fjala e zbardhur nga takimi
Bykykbashi: Jemi mbledhur për të bërë një prezantim më të detajuar të projektligjit që Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend dhe ndërkohë ka filluar dhe diskutimin e tij në Komisionin Për Dekriminalizimin. Eshtë një projktligj i cili, i paraprirë nga ndryshimet kushtetuese, do të trajtojë në mënyrë të plotë çështjen e largimit të personave me rekorde kriminale, praktikisht kriminelëve, nga funksionet e sotme të zgjedhura apo të emëruara, pra ata që janë sot me mandate dhe në të ardhmen do të pengojë që këta persona të marrin poste publike. Po fillojmë pa humbur kohë me prezantimin e pikave kryesore të projektligjit e më pas do ti rikthehemi me pyetje për çeshtje që ju do të doni ti sqaroni më tej.

Qëllimi i këtij ligji është i qartë; dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarura, administratës publike dhe institucione të tjera të shtetit Shqiptar, është lënë në dispozitat kushtetuese dhe është parashikuar dhe për gjyqësorin dhe prokurorinë, por është lënë që trajtimi i veçantë me dispozita të bëhet në kuadër të reformës në drejtësi, pra duke ecur me të njëjtën logjikë që ka ky ligj, pra të trajtohen të gjitha funksionet e zgjedhura dhe të emëruara të institucioneve kushtetuese të krijuara me ligj, apo të administratës publike. Pra qëllimi është dekriminalizimi, ndërkohë që objekt është mbrojtja e integritetit dhe mirëfunksionimit të institucioneve kushtetuese si dhe të krijuara me ligj. Ky është qëllimi, qëllimi i ligjit nuk është që të merret me individë të caktuar, t’i penalizojë, ata janë të penalizuar nga drejtësia, por këta persona nuk mundet të ushtrojnë influencë në vendim-marrjen e institucioneve kushtetuese e më poshtë, nëpërmjet prirjeve të tyre që kanë në kundërshtim me ligjin. Ajo që mund të them paraprakisht, pra dallimi që ka projektligji jonë me atë të propozuar nga qeveria, është që ata i qendrojnë larg si djalli nga temjani fjalës dekriminalizim, është ky një term që ka fituar qytetari të plotë sot jo vetëm në politikën shqiptare por  ashtu njihet dhe në raportet e dokumentave ndërkombëtare, apo në qëndrimet ndërkombëtare në lidhje me Shqipërinë, dhe është e qartë se tentativa për t’iu larguar këtij termi tregon dhe shqetësimin që ka mazhoranca në lidhje me këtë fenomen tashmë turpërues për Shqipërinë.

oerd bylykbashi

Neni 2 dhe neni 3 janë nene të cilët përcaktojnë kriteret kryesore për veprimin e këtij ligji. Neni 2 është ai që duke e lidhur me persona të cilët kandidojnë për tu zgjedhur, vendos kushtet kryesore, janë llojet e veprave penale për të cilët ka vendim përfundimtar të gjykatës apo ka çështje të hapura në drejtësinë e vendeve të huaja dhe janë sipas kategorive të përcaktuara në ligj; personat që kanë kryer këto lloj veprash penale, pengohen për tu zgjedhur apo për t’u emëruar ne funksione publike duke filluar me gërmën -a) ne kemi parashikuar se të gjithë personat që kanë kryer krime të rënda të kenë një ndalim përjetë, dukeqenë se janë krime që personat të cilët i kanë kryer rrefuzohen nga opinioni publik dhe këta persona te duhet të mos kenë mundësinë që të marrin ndonjëherë këto lloj funksionesh. Për lehtësi ilustrimi kemi nxjerrë dhe llojin e veprës penale, fillon nga krimet më të rënda ato që kanë dhe parashkrim, kurrë nuk parashkruhen siç është Genocidi, krime kundër njerëzimit apo krimet e luftës, duket qartë që dhe dënimi përkatës është shumë i rëndë dhe duke vijuar me krime të tjera siç janë: vrasja për gjakmarrje, vrasja e funksionarëve publikë, vrasja e punonjësve të policisë, vrasje për shkak të mardhënieve familjare, për marrdhënie seksuale apo homoseksuale me të mitur, me të rritur, etj, duke shkuar më poshtë ne krime të cilat vërtet përbëjnë në sektorin e krimeve individuale, krime të cilat janë vërtet të rrezikshme për shoqërinë. Janë Organizatat Kriminale, Grupet e strukturuara kriminale, apo organizatat me qëllim terrorizmin apo që kanë qëllim të ndihmojnë a të kryejnë vepra terroriste. 

Pra janë ato që shkaktojnë një dëm shumë të madh apo rreziku që mund të shkaktojnë dëm shumë të madh është shumë i lartë. Janë ato lloj veprash që ne gjithashtu i kemi futur dhe në konceptin e ligjit antimafia pra është graviteti i këtyre veprave që bën që publiku shqiptar të bjerë dakord që persona që kanë kryer këto lloj veprash të mos kenë kurrë mundësinë të ushtrojnë një funksion publik.

Më pas vazhdojmë me Vepra Penale të Korrupsionit dhe  të krimeve zgjedhore, në fakt krimet zgjedhore mund të konsiderohen dhe si krimet korruptive më të larta, me impaktin më të lartë sepse rrënon themelin e shoqërisë por po aq dhe veprat e korrupsionit. Për këto vepra është parashikuar që të ketë një parandalim 20 vjeçar, për persona të cilët janë dënuar dhe pas kryerjes së këtij dënimi janë të ndaluar për 20 vite të tjera për të marrë apo ushtruar një funksion publik. Më pas janë ato raste kur personi është dënuar me dy vjet e sipër për kryerjen e një krimi, për këta ndalimi është 10 vjet e ndërkohë që për persona për të cilët dënimi është për një krim të kryer me dashje e dënimi është 6 muaj e sipër, dhe nuk është një ndër rastet e tjera, këta persona nuk kanë të drejtë të kandidojnë për periudhën deri kur parashkruhet vepra penale. Pra nëse deri më sot një krimineli i parashruhej vepra penale, pra merrte çertifikaten e bardhë, për çfaredo lloj krimi, dhe shkonte e kandidonte e na zgjidhet deputet, kjo nuk është më e mundur për krimet e rënda, ndërkohë, për krimet me karakter më të vogël por që gjithësesi mbeten dhunim, cënim i të drejtës dhe interesit shtetërori, këta persona nuk mund të kenë funksione publike. Pra ky është nen themelor i cili vendos këto lloj kriteresh por nuk mund të ndalemi vetëm tek dënimet, por nga ky nen parashikohet dhe rasti i personave ndaj të cilëve është marrë një masë, masë provizore në kuadrin e një hetimi penal apo të një gjykimi penal që mund të jenë në masë arresti, mund të jenë persona të cilët janë në kërkim ndërkombëtar. Por po kështu, në mënyrë specifike kemi parashikuar dhe raste kur persona të cilët për kryerjen e një krimi janë dëbuar nga një shtet tjetër, pra pa marrë një vendim penal, por që janë dëbuar në lidhje me këtë krim, ateherë këta persona gjithashtu do të pengohen për të kandiduar për një periudhë të gjatë.

Për herë të parë ne parashikojmë atë që shumica dërrmuese e shteteve të botës po në mënyrë të posaçme e Këshillit të Evropës ka kufizimin e të drejtës për të votuar për persona të dënuar për krime të rënda, në mënyrë të kufizuar në raport me të tjerët ne parashikojmë këtë kufizim të drejte për personat e dënuar për krime të rënda, kjo për arsye gjithmonë të asaj që është qëllimi i këtij ligji dhe objekti; të mbrojë institucionet nga influencat kriminale që këta persona do të donin të çonin në organet e zgjedhura për ti shërbyer interesave të tyre. Ju e dini shumë mirë që shpeshherë kapobandat përpiqen të drejtojnë nga burgu interest e tyre financiare dhe kriminale.

Për të vazhduar më tëj, Neni 3 parashikon pra të njëjtat kushte që do të aplikohen jo vetëm për personat e zgjedhur por dhe për një listë të organeve të detajuara, të organeve kushtetuese a të krijuara me ligj përfshirë gjithashtu funksionin në shërbimin civil, në kabinetet politike, në forcat e policisë, në shërbimin informativ shtetëror apo në ushtri. Pra qëllimi i ligjit është për të qenë kapilar deri në fund, që funksionarët që kanë një besim publik të investuar tek ata, të mos jenë ata të cilët e cënojnë apo e ndotin këtë besim publik, dhe aq më keq të kenë një interes kriminal.

Neni 4, e preka kur fola për nenin 2, janë afatet e pengimit. Jemi përpjekur që ligji të jetë ezaurues për të gjithë, jo vetëm për kriteret por edhe për procedurat. Instrumentat që do të përdoren;
Eshtë menduar që të përdoret koncepti i vetëdeklarimit dhe të gjithë personat e përfshirë në këtë ligj, kanë detyrimin të bëjnë një vetdeklarim në lidhje me pasjen ose jo të kushteve. Do jetë në përgjegjësinë e tyre. Në rast se këta persona do të bëjmë deklarim të rrem apo me të dhëna të shtrembëruara do të përballen me sanksione penale sipas Kodit Penal në fuqi. Përveç humbjes së mandatit këta persona do të kenë pasoja penale me dënim me burg.

Ne kemi parashikuar po ashtu në mënyrë të detajuar dhe kemi detajuar edhe organin ku do të dorëzohet kërkesa. Ligji i parashikon me detaje. Organi kompetent për miratimin e akteve që do vënë në zbatim do të jetë Kuvendi për ti dhënë kontrollin e plotë politik Kuvendit në të gjithë këtë nisëm që nga 24 Dhjetori i vitit të kaluar, në mënyrë që askush të mos devijojë nga qëllimet e këtij ligji. Kemi parashikuar një institut që për fat të keq në projektin e qeverisë në mënyrë të qëllimshme është hequr, që është e drejta e nismës për të verifikuar kërkimin. Pra qeveria kërkon ta bëjë vetë verifikimin. Të nisë për një drejtor a këdo tjetër kur e mendon ai ndërkohë që ne kemi parashikuar një nisëm që është jashtë kontrollit të personave që mund të kenë konflik interesi për këtë dhe do të jetë e drejta e deputetëve, prokurorëve por shkojmë deri aty që një numër i caktuar shtetasish, 500 të tillë, kanë të drejtën për të kërkuar verifikimin e një funksionari publik më të lartin e mundshëm në lidhje me të dhënat që ekzistojnë. Pra interesi është i publikut në fund fare dhe nëse askush nuk do ta ushtrojë, mund ta ushtrojë publiku. Për fat të keq, kjo është hequr në mënyrë të qëllimshme vetëm e vetëm për ta bërë ligjin jo efikas. Nëse një drejtues i lartë si kryeministri, ministri nuk do ta bëjë verifikimin pavarësisht denoncimeve, atëhere ligji nuk funksionon. E kthen atë ligj në një fletrrufe dhe bën një ligj kozmetik.

Gjithashtu, kemi parashikuar edhe organin që do të bëjë zbatimin e ligjit që është prokuroria e Përgjithshme. Kemi menduar një strukturë të centralizuar e të specializuar. Brenda prokurorisë do të ndrihet një strukturë që do të bëjë veprime dhe kjo bën të mundur jo vetëm përgjegjësinë maksimale të një organi të specializuar siç është prokuroria, formalisht duhet të jetë organ i pavarur, por heq nga dora e kryeministrit dhe të kujdo që nuk ka vullnet të bëjë kontrollin. Pra do të jetë një organ përkatës me detyrime dhe pasoja penale nëse këto nuk kryhen. Në gjykimin tonë, në këtë rast, heqja është bërë në mënyrë të qëllimshme nga qeveria për ta bërë ligjin jo efikas dhe të mos prodhojë asnjë efekt por vetëm të thuhet që miratuam një ligj për dekriminalizimin.

Në këtë ligj kemi parashikuar një instrument të rëndësishëm. Nuk duhet të ketë asnjë dilemë dhe nuk do të jetë e negociueshme në oganet kushtetuese dhe të tjera që, jo vetëm personat e dënuar me emrin e tyre por edhe ata që kanë ndryshuar identitet pas dënimit apo e kanë bërë me një identitet tjetër të falsifikuar, të kenë mundësi të futen. Kemi raste siç është deputeti Frroku që rezulton me 5 emra por ka edhe të tjerë që kanë më shumë se një identitet. Këta persona nuk do të kenë mundësi të kandidojnë dhe instrumenti më i mirë për këtë janë të dhënat biometrike dhe në mënyrë të posaçme gjurmën e gishtave. Të gjithë e dinë dhe nuk ka dyshim që me gjurmën e gishtrinjve çfarëdo emri krimineli të ketë marrë me vete është i njëjti dhe nuk i shpëton dot ligjit. Edhe ky element është hequr nga qeveria. Arsye e vetme është se e dinë që i kanë këta persona sot ose eventualisht kërkon ti fusë nesër, që duan ti shpëtojnë këtij ligji. Kjo është një pikë e padiskutueshme përndryshe ligji nuk do të kishte as efektin e vaksinës. Nëse është e nevojshme, kontrolle do të bëhen edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ligji parashikon detyrime të çdo institucioni dhe askush nuk ka të drejtë të pengojë zbatimin e këtij ligji dhe më pas parashikohet në mënyrë të detajuar çdo gjë që ndodh. Pra nuk kemi vetëm deklarim por kemi edhe veprime konkrete për personat me mandat, të zgjedhur apo të emëruar. KQZ-ja do të bëjë njësërë veprimesh, gjatë fushatës në momentin e zgjedhjeve, pas zgjedhjeve apo më vonë që do të çojë deri në anulimin e mandatit të personit të zgjedhur por që ka rekord kriminal. Kurdo që të verifikohet, edhe pasi personi ka bërë betimin nëse është e nevojshme. Po kështu, edhe për personat që janë në funksione të emëruara humbasin funskionin për shkak të ligjit në të gjitha nivelet deri tek specialisti më i ulët i administratës civile.

Eshtë parashikuar që kur zyrtarët e lartë, përfshirë Presidentin e Republikës, kryeministrin, anëtarët e këshillit të ministrave dhe deputetët të humbasin mandatin dhe kur kjo nuk ndodh, është Gjykata Kushtetuese që do të hyjë në lojë për ti përfunduar mandatin pa asnjë lloj dyshimi edhe në rastet kur kryeministri nuk kërkon ta shkarkojë. Kemi parashikuar gjithashtu në mënyrë të veçantë ç’ndodh me funksionarët që janë sot me mandat apo me funksion publik. Janë përcaktuar afatet e ndalimit për të gjithë personat nga momentet që ky ligj hyn në fuqi deri në një periudhë në të shkuarën, ne kemi parashikuar një periudhë 20 vjeçare, nga momenti që ka mbaruar denimin me burgim në të shkuarën deri më sot, nëse konstatohen, atëherë lënë mandatin apo funksionin. Ky nen në versionin qeveritar është zhdukur krejtësisht sepse edhe ata që janë me këtë pretendim dhe me funksion, do të ikin. Ndërkohë që, ligji duhet të jetë i qartë, transparent dhe i detajuar në mënyrë që një çështje e tillë të jetë përtej çdo lloj shkeljeje që mund të çojë në cënim me shumë se kaq. Ne i kemi bërë këto në përputhje me çka thotë Komisioni i Venecias, Gjykata e Strazburgut dhe në mënyrë të veçantë modeli i ligjit Severino.

Kemi parashikuar që të gjithë funksionarët që janë parashikuar në funksione të larta publike si deputetë, ministra kanë detyrimin për të bërë testin për përdorimin e substancave narkotike. Kjo do të jetë për personat si në fillim të ushtrimit të funksionit të tyre por edhe për personat që janë sot në detyrë. Besoj se e kanë të qartë të gjithë që një person që përdor substanca narkotike nuk ka se si ka sigurojë këtë, përveçse nga agjentë të një sistemi kriminal i cili ushqehet vetëm nga trafiqet dhe nga krime të tjera të lidhura me to dhe nuk mund të thotë që e kryen këtë në padijeni, e për rrjedhojë është një qendrim që bie ndesh jo vetëm me moralin publik por edhe me betimin që bën një deputetet që zotohet se do të zbatojë ligjin. Ky nen qartazi është hequr nga projektligji qeveritar dhe është e qartë se ky nen vendos në vështirësi personat që drejtojnë mungesën e vullnetit politik nga mazhoranca pasi ne qartazi kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për funskionarë duke filluar nga kryeministri. Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me aspektin konkret por ka të bëjë me parimin që zyrtarët duhet të jenë të pastër dhe të denjë për të shërbyer në interes të publikut. Vazhdohet më tej me trajtimin se çfarë ndodh me këta persona për ta përfunduar me konkluzionin që ligji bën të qartë se nuk është një ligj me karakter penal por është një ligj që shërben për të mbrojtur këto institucione.

Eshtë një ligj i cili shërben për të mbrojtur, pra shërben për të mbrojtur këto institucione, është një ligj i cili do të miratohet me 3/5 e votave të parlamentit sepse ka të njëjtin nivel me Kodin Zgjedhor, me ligjin e Shërbimit Civil dhe ligje të tjera dhe do të ketë prioritet në zbatim nëse dispozita të ligjeve të tjera parashikojnë ndryshe. Ky është një prezantim i shpejtë i projektligjit që ne kemi parashikuar, siç e thashë është një ligj i detajuar, është kapilar, nuk lë rast për ekuivok, trajton të gjithë problematikën, shqiptarizmin e politikës të kryeministrit që duke pretenduar se nuk di se ç’ka ndodhur e ka mbushur parlamentin e Shqipërisë me kriminelë dhe për rrjedhojë është më mirë të merremi me atë shqiptarizëm sesa me detyrimin për ta përshtatur ligjin e këtij shqiptarizmi të turpshëm. Unë jam i hapur bashkë me kolegët Halim dhe Strazimiri për të diskutuar ose për t’iu përgjigjur pyetjeve që ju keni.
 
-Pyetje: Ju në fakt renditet, të paktën nga sa numëruam ne, 5 pika me të cilat ju ndaheni me ligjin e qeverisë. A ka ndryshime të tjera që nuk ju afrojnë me këtë ligj dhe në komision a do t’i shqyrtoni të dy draftet, pra do të kemi sërish një mbledhje të komisionit për ti marrë nën shqyrtim të dyja nismat ligjore?
Oerd Bylykbashi: Po i rikthehem, pra po flas nga ky momenti i fundit po të jap një përgjigje të momentit të fundit. E bëra të qartë dhe dje në sallën e Kuvendit, ne jemi të hapur që këto nisma, edhe kjo, ti vijë komisionit tonë, të jemi të hapur ti diskutojmë aty bashkërisht dhe të gjejmë një version përfundimtar, i cili nuk lejon kriminelët të qendrojnë apo të marrin funksione dhe nuk ka rrugë tjetër të parashikuar përveçse komisionit për dekriminalizim, çdo përpjekje që po bëjnë duke përdorur procedurën parlamentare për t’ia marrë Komisionit të Dekriminalizimit kompetencën është në shtyrje të vendimit të parlamentit, por më shumë se kaq, në thyerje të konsensusit politik për një çështje shumë të thjeshtë, për kërkesën e opozitës për dekriminalizim. Çdo gjë tjetër është fallso, është farsë dhe nëse kërkojnë të marrin kontrollin e këtij procesi për të bërë një ligj, i cili nuk ka asnjë grep për të kapur kriminelët, por vetëm një fletë rrufe e bukur për ti hedhur hi syve të shqiptarëve, që ne bëmë dekriminalizimin, kjo është e papranueshme për Partinë Demokratike. Në lidhje me pyetjen e parë, ato pika që ne na ndajnë, përkojnë pikërisht me qëllimin që kishte mazhoranca. Ju besoj se e keni marrë dhe ligjin e qeverisë dhe në fakt do ta shihni që është ligji i propozuar nga Partia Demokratike në çdo gërmë, por kanë hequr pikërisht të gjithë ato elementët të cilët i bëjnë dëm, është e njëjta gjë që bënë edhe për amendamentin e 21 Qershorit. Morën të njëjtin propozim të Partisë Demokratike, hoqën të gjitha elementët që do të kapnin kriminelët. Një ligj që nuk i kap këta kriminelë, nuk i duhet shqiptarëve.

-Pyetje: Për këtë ligj duhet të ketë konsensus por a ka të përbashkëta mes dy drafteve tuaja?
Oerd Bylykbashi: Sigurisht që ka elementë të përbashkët. E thashë, kanë marrë ligjin që ka bërë Partia Demokratike dhe kanë hequr ato gjëra që vërtet sot do t’i diskretitonin përpara publikut. Ky është problemi i tyre, ky nuk është problemi i projektligjit të propozuar nga Partia Demokratike dhe çdo gjë që dëmton kriteret themelore dhe strukturën, që e bën jofunksional ligjin është e papranueshme. Kështu që, rënia dakord nga 95% të ligjit që është strukturë e padiskutueshme, por 5% është pika e gravitetit të ligjit do të thotë që nuk ka konsensus në atë ligj dhe çdo tentativë për ta miratuar me votat e tyre është e qartë që është një farsë për të mbyllur dhe për të varrosur një kauzë që është në interesin e publikut  shqiptar, dekriminalizimi, që është në të njëjtën kohë dhe kauza e Partisë Demokratike prej dy vjetësh.
 
-Pyetje: Z.Bylykbashi, ju nga këto 5 ose 6 pika që përbëjnë gravitetin e projektligjit tuaj, çfarë jeni i gatshëm të negocioni me Partinë Socialiste? Çështjen e drogës, shenjat e gishtërinjve, ata që nuk duhet të marrin pjesë në votime përjetësisht kur janë të dënuar, pra nga 5 ose 6 pika që përbejnë gravitet çfarë negocioni dhe çfarë jo?
Oerd Bylykbashi: Që unë ti jap përgjigje kësaj pyetje besoj që logjikisht duhet që të kemi dhe disponibilitet nga mazhoranca për të negociuar, dhe deri në këtë moment nuk e kemi pasur këtë disponibilitet për të negociuar. Ajo që na është vënë përpara është një projektligj. Ju i keni dëgjuar qëndrimet në parlament, por presim që pas asaj që tha kryeministri, asaj shenje që dha, personat e ngarkuar prej tij të ulen dhe të negociojnë, të diskutojnë dhe më pas të miratojnë në komisionin e dekriminalizimit këto amendamente për të vazhduar më tej procedurat e aprovimit parlamentar. Sigurisht që pika dhe çështja e padiskutueshme prej nesh është që kriminelët me vendim gjykate apo që përbëjnë rrezik e për rrjedhojë janë sot duke dhënë llogari përpara drejtësisë për rrezikshmërinë e tyre të lartë, të dënuar apo në bankën e të akuzuarit, me emrin e tyre apo me një emër tjetër, nuk kanë të drejtë të futen dhe, çdo instrument që është i nevojshëm për ta bërë këtë, duhet të jetë patjetër në ligj. Ne do të ngulim këmbë deri në fund që zyrtarët dhe funksionët më të lartë publik të kenë integritet moral dhe politik përpara shqiptarëve. Do t’ia lëmë detajin e negocimit momentit kur ne do të negociojmë, por këto janë vijat e kuqe të pakalueshme. Kriminelët jashtë dhe personat që janë me reputacion të papranueshëm jashtë nga parlamenti dhe institucione të tjera. Dikush mund të shtojë që në këtë ligj mund të parashikohen edhe personat të cilët kanë humbur mandat kushtetues, siç është rasti i mandatit të deputetit për abuzim me fonde publike, sepse është një thyerje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës, dhe në atë rast e parashikon Kushtetuta vetë humbjen e mandatit.

Eduard Halimi: Dihet botërisht që tashmë jemi në këtë situatë, pasi Edi Rama është ai i cili ka futur në administratën publike dhe në parlament njerëzit me rekorde të tmerrshme kriminale. Kjo gjë sot falë betejës 1-vjeçare të Bashës dhe Partisë Demokratike për dekriminalizimin. Dihet botërisht dhe u përmend nga ambasadori amerikan në Vienë, kur tha se qeveria shqiptare është nën ndikimin e klaneve kriminale, të personave me rekorde kriminale. Çdo mekanizëm që do të përdorë Edi Rama për të shmangur dhe për të mbajtur nën strehën e parlamentit apo të administratës publike personat me rekorde kriminale, për ne është i papranueshëm. Pra kauza e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike është pastrimi tërësor i administratës publike, i parlamentit nga personat me rekorde kriminale. Janë 5 kushte, janë 5 pika ku ndahemi, mund të bëhen 4, mund të bëhen 6, por ne jemi gjithmonë për eleminimin e çdo mekanizmi dhe nuk bëjmë kompromis me asnjë mekanizëm, i cili do të mbante ende personat me rekorde kriminale në bashki, të zgjedhur edhe në parlament, sepse dihet e them dhe një herë botërisht që akoma ka, u tha dhe dje në Vienë, që u hoqën disa në zgjedhjet e 21 Qershorit, por ngelën akoma të tjerë që kanë fituar. Ndaj, çdo mekanizëm që përcillet nga qeveria për ti mbajtur ende ata, për ne është i papranueshëm.
 
Gent Strazimiri: Pas përgjigjes siç mund ta shihni, ligji vepron në një terren tepër kompleks, por nuk është ligj voluminoz. Bashkë me nenin e hyrjes në fuqi ka 18 nene. Eshtë i tillë kaq i kompresuar, jo thjesht për shkak të cilësisë së teknikës legjislative, por për shkak se përdor instrumente tashmë të njohur, nëse do të gjesh një kriminel. Ato janë instrumente të njohura, i përdorin çdo ditë organet e ligjit që kanë për detyrë ti gjejnë kriminelët e jo ti fshehin ata. Në këto instrumente, nëse duam ti gjejmë kriminelët të dyja palët, nuk kemi nevojë ta negociojmë. Asnjëra prej instrumentëve që ne kemi parashikuar në këtë ligj për t’i gjetur kriminelët, nuk është i tepërt, është instrument i përditshëm ligjor që përdoret nga policia e shtetit, nga prokuroria, nga gjykatat dhe nga çdo organ tjetër që ka për detyrë të gjejë kriminelët, jo t’i fshehë kriminelët. Kështu që, marzhi i negocimit, siç e thatë ju, apo aty ku ndahemi, nëse futet te instrumentet që do të duhet ti gjenin kriminelët, unë personalisht mendoj se nuk ka marzh për të negociuar, nëse bëhet fjalë për instrumentat. Nëse futemi te instrumentat dhe do ta konsiderojmë sot, që fjala vjen shenjat e gishtave apo çfarëdo lloj shenje tjetër identifikimi për të gjetur jo për të fshehur kriminelin është e tepërt, atëherë do të duhet të ndryshohet dhe kodi i procedurës penale, ti themi prokurorisë dhe policisë 1, 2, 3, 4, 5 mos i përdor, sepse ti mund ti gjesh kriminelët dhe pa këto. Kështu që, në vetvete, nuk më duket se ka marzh për të negociuar mbi instrumentat. Nëse qëllimi është të gjejmë kriminelët, kam përshtypjen se çështjet e formës apo teknikës legjislative gjenden. .

Pyetje: Mos po shpresoni pak si shumë sepse kryeministri tha dje në Top Story se nëse do të vinte sërish 2013-ta do të zgjidhte të njëjtë persona që aktualisht janë në burg ose kanë dhënë dorëheqjen. Dhe si e parashikoni të gjithë procesin? Do të dilni me një draft të përbashkët?
Gent Strazimiri: Ju po më kërkoni të parashikoj vullnetin politik të kryeministrit. Dhe në parlament kryeministri foli me terma të forta për dekriminalizimin që do e bënte dhe mund ta bënte vetëm kjo qeveri ndërkohë që siç më thonë, se nuk e kam ndjekur dhe po e marr në mirëbesim, që nuk është penduar fare që ka marrë persona që sot ndodhen në burg apo janë larguar nga parlamenti. Janë bërë gjerësisht subjekt i diskutimit në media, në trupin diplomatik, apo në debatin publik si persona të inkriminuar, dhe nuk shpreh asnjë shenjë pendese. Këto haluçinacione të vullnetit politik të kryeministrit unë nuk mund ti parashikoj. Por mund t’u them dhe mund t’ua rikonfirmoj se ky draft që ne paraqesim është një draft që parashikon të gjithë instrumentat të përdorura sot deri në momentin që flasim nga organet që kanë për detyrë ti gjejnë kriminelët. Këto instrumenta janë të panegociueshme, për shkak të organeve që duhet ta bëjnë këtë punë. Vullnetin politik të kryeministrit unë nuk mund ta parashikoj. Paradite u duk sikur po thoshte tjetër gjë dhe në darkë ka thënë këtë tjetrën që në fakt nuk e kam dëgjuar. Kështu që më kërkoni shumë dhe nuk e kam këtë mundësi.

Oerd Bylybkashi: E rëndësishme është që kur niset një negociatë duhet të tregohen të gjitha shenjat e mirëbesimit dhe ajo që kemi parë ne dje ishte haptazi një mish-mash mesazhesh ku ai që mungonte ishte vullneti qeverisë për ta bërë dekriminalizimin sic do qeveria, që do të thotë të mos kapë asnjë nga kriminelët të cilët i ka futur me dorën e vetë në programet e pushtetit përfshirë parlamentin. Megjithatë t’i japim kohën e nevojshme që të kuptojë se duhet të kthehet sepse në fakt koha e nevojshme është e shkurtër, por presioni është shumë i madh dhe deklarata e djeshme e ambasadorit të SHBA në këshillin e përhershëm të OSBE-së ishte e qartë dhe e fortë, deklarimet e ambasadorit të SHBA në Tiranë gjithashtu dhe të BE, janë mjaft të forta dhe të qarta. Besoj se qëndrimi që u mbajt në Bruksel para pak ditësh mbi dekriminalizimin në Shqipëri nuk i lë asnjë hapësirë Edi Ramës, duhet që brenda pak ditësh të mbledhë mendjen e të futët në hullinë e një kompromisi. Për fat të mire, dua të theksoj se ne kemi një asistencë shumë të mirë në dispozicion, jo vetëm Raporti i Komisionit të Venecias na ilustron qartë se ç’kanë bërë vendet e tjera, jo vetëm Italia është një model shumë i fortë për një zgjidhje komplekse, kanë vuajtur si ne nga një kriminalitet i fortë e i organizuar, por kemi dhe ekspertizën që na ofrohet nga ambasada e SHBA eventualisht, gjithashtu edhe nga pala italiane për të arritur në konkluzione, dhe në fund sigurisht që Komisioni i Venecias do të japë dhe vlerësimin përfundimtar. Por kjo që duhet sot është që kryeministri të tregojë vullnet e të vërë njerëzit e tij në dispozicion që të ulen të negociojnë dhe për ato pak çështje të diskutueshme, më pas të gjendet zgjidhja dhe në asistencën më të mirë për të shkuar tek modeli që nuk fsheh ose fut kriminelët, por i përjashton në çdo lloj rasti.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Koçiu në Ministerialin e Vjenës: Shqipëria mbi 60 projekte bashkëpunimi me Agjencinë Atomike, rritje e trajtimit të pacientëve me kancer

Koçiu në Ministerialin e Vjenës: Shqipëria mbi 60 projekte bashkëpunimi me Agjencinë Atomike, rritje e trajtimit të pacientëve me kancer