Dekriminalizimi,deputetët shkojnë
në polici, lënë shenjat e gishtave

Dekriminalizimi,deputetët shkojnë<br />në polici, lënë shenjat e gishtave
Deputetët për të cilët prokuroria dyshon se preken nga ligji i dekriminalizimit kanë shkuar dje në polici ku kanë lënë shenjat e gishtave.

Policia Shkencore pranë Drejtorisë së Policisë, Tiranë ka nisur marrjen e shenjave daktiloskopike të deputetëve pas kërkesës së prokurorisë, e cila po bën hetim të thelluar për përfshirjen e tyre në vepra penale jashtë vendit. Deputetët të cilët janë përfshirë në procesin e dhënies së shenjave të gishtave janë: Mhill Fufi, Aqif Rakipi, Omer Mamo, Gledion Rehovica, Armando Prenga dhe Artan Gaçi.

“Shqiptarja.com” ka mësuar dje se deputetët e parë të cilët kanë shkuar menjëherë të lënë shenjat e tyre të gishtërinjve janë, Artan Gaçi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi. Deputetët e tjerë kanë 5 ditë kohë nga marrja e njoftimit për të dorëzuar shenjat daktiloskopike.

Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije për gazetën se deputetëve ju janë marrë shenjat e të dhjetë gishtërinjve, dhe po ashtu edhe shenjat e pëllëmbës së dorës, që po ashtu përmbajnë të dhëna të personalizuara. Deputetët janë fotografuar nga kjo drejtori siç skedohen të gjithë personat në polici, me një foto ballore dhe një në profil.

Këto të dhëna të Policisë  Shkencore do të dërgohen pranë prokurorisë së përgjithshme, e cila më pas do t’i përdorë ato për të kërkuar nga vendet fqinje, ose atje ku ka dyshime se gjashtë deputetët kanë kryer vepra penale. Shenjat e gishtave do të ndihmojnë në rast se këta persona kanë kryer vepra penale ose janë të dënuar me emra të tjerë.

Kërkesa e prokurorisë
Në 20 shkurt, drejtoria e verifikimit të integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme i ka dërguar një shkresë Kuvendit të Shqipërisë, ku i ka kërkuar që gjashtë deputetët e dyshuar të shkojnë në polici për të lënë shenjat e gishtave. Shqiptarja.com siguron shkresën e plotë të prokurorisë drejtuar Kuvendit.

“Shtetasit e sipërcituar, me funksion deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e vetëdeklarimit. KQZ ka vendosur të kalojë t’i kalojë për kontroll të thelluar Prokurorisë së Përgjithshme deklarimet e formularëve, sidomos për verifikime të të dhënave kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pasi nuk ka kompetencë për të kryer veprime të tilla.

Që të mundësohet një verifikim i plotë i informacionit i përcjellë pranë organeve juridiksionale të huaja, të jetë sa më i saktë, është e detyrueshme që Prokuroria e Përgjithshme të përdorë gjurmët daktiloskopike, dhe çdo të dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazat e të dhënave të shtetasve shqiptarë.

Për këtë arsye, kërkojmë nga ana juaj që të depozitoni pranë Drejtorisë së Policisë Shkencore, gjurmët daktiloskopike, brenda afatit ligjor, në mënyrë që të vijohet me hetimet e thelluara”,-thuhet në shkresën e firmosur nga prokurorja Rovena Gashi.    


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg