Dekriminalizimi, ja modeli i PS
"Kush përjashtohet nga politika"

Dekriminalizimi, ja modeli i PS<br />
TIRANE - Mazhoranca pritet të marrë masa radikale sa i përket kandidatëve për deputetët apo për njësitë vendore: Askush prej tyre nuk do të mund të prekë politikën nëse më parë ka qenë i dënuar për krime zgjedhore. Kjo do të jetë një nga sanksionet e modelit të ri mbi të cilin Partia Socialiste po punon për dekriminalizimin e politikës.
 
Burime konfidenciale brenda mazhorancës zbardhin për A1 Report një pjesë të këtij draftit ku parashikohet se të gjithë ata persona që kanë shkelur një nga pikat e kreut 10 të Kodit Penal që ka të bëjë konkretisht me “veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” nuk do të kenë të drejtë të kandidojnë për një periudhë të caktuar kohore që mund të jetë për dy apo tre mandate.

Modeli i mazhorancës parashikon sanksione edhe për partitë politike. Për ato forca politike të cilat janë ndëshkuar me masë administrative nga KQZ për mos respektim të ligjit dhe nuk kanë paguar gjobën, drafti propozon mos pranimin e listës së tyre të kandidatëve në zgjedhjet vendore apo të përgjithshme.
 
Burimet po ashtu thonë më tej se drafti do t’i kalojë për konsultim edhe ekspertëve ligjorë para se te hidhet në tryezën e komisionit të posaçëm për dekriminalizimin.
 
Në Kodin Penal, pengimi i subjekteve zgjedhore, falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve, dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore dhe rezultateve të zgjedhjeve, shkelja e fshehtësisë së votimit, dhënia e premtimeve dhe shpërblimeve, detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike, kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje dhe shkelja e së drejtës së zgjedhjes, të gjitha këto pika dënohen me gjobë apo burgim.
 
Faktin që mazhoranca po punonte mbi një model të vetin e lajmëroi një ditë më parë anëtari i komisionit të dekriminalizimit Ulsi Manja. Nga ana tjetër opozita ka gati modelet e saj për dekriminalizimin e politikës, ndërsa të shtunën dorëzuan në Kuvend projektligjin për disa shtesa në kodin Zgjedhor që përjashtojnë nga gara elektorale e 21 Qershorit kandidatë me precedentë të mëparshëm penalë.
 
Por në fakt deri më tani mazhoranca dhe minoranca për këtë çështje janë përfshirë në një klimë konfliktualiteti duke bërë hapa shumë të vegjël në këtë proces që është edhe një nga pikat e marrëveshjes së dhjetorit mes dy palëve. Sipas marrëveshjes, duhet që partitë politike të kenë vendosur për ndryshimet ligjore para këtyre zgjedhjeve lokale. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

50 medikamente të reja për sëmundjet onkologjike, Koçiu: Shtim të numrit të fishave të diabetit falas

50 medikamente të reja për sëmundjet onkologjike, Koçiu: Shtim të numrit të fishave të diabetit falas