Dekriminalizimi, reagojnë Artan
Gaçi Aqif Rakipi e kryebashkiakët

Dekriminalizimi, reagojnë Artan<br />Gaçi Aqif Rakipi e kryebashkiakët
Deputetët Artan Gaçi dhe Aqif Rakipi si dhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi kanë reaguar pas informacioneve nga Prokuroria e Përgjithshme se ka nisur një hetim ndaj tyre për efekt të dekriminalizimit. 

Deputeti socialist, Gaçi u shpreh se është surprizuar nga lista e organit të akuzës, ndërsa deklaron se nuk ka bërë kurrë diçka të paligjshme në jetën e tij. 

"Sot u njoha me një lajm që prokuroria po kryente verifikime mbi mua dhe disa deputetë e kryebashkiakë të tjerë me pretendimin se mund të ishim subjekte të ligjit të dekriminalizimit. 

U surprizova shumë që emri im ndodhet në atë listë pasi në jetën time nuk kam bërë kurrë asgjë të paligjshme dhe aq më pak ndonjë nga veprat e ligjit. Asnjëherë në jeten time nuk jam ndaluar, asnjëhere arrestuar, dhe asnjehere gjobitur a dënuar per asgje as ketu, dhe ne asnje vend ne Europes a me gjere. Sikur te kishin pasur qofte edhe dyshimin me te vogel, nuk me kishin lejuar te hyja e te dilja me dhjetera here neper vizita zyrtare ne senatin italian, bashkite e shumta ne Itali etj. 

Prokuroria të bëjë punën, e vërteta do triumfojë. Por ndihem i detyruar t'u shpjegohem përsa më sipër me falenderimet më të sinqerta për mbështetjen tuaj derisa ky keqkuptim të zgjidhet"
, u shpreh Gaçi. 

I hapur për hetime është deputeti i PDIU, Aqif Rakipi i cili tha për Report Tv se Prokuroria po të kishte prova, do t'i kishte bërë publike me kohë.

 "S’di të kem asgjë, Prokuroria të bëjë verifikimet e të dalë në konkluzion. Kanë kaq kohë me këtë punë, po të kishin gjë do e kishin dhënë. Unë s’kam asgjë për të fshehur", tha Rakipi. 

Kryebashkiakët nën hetim: Janë trillime dhe intriga politike
Të tre kryebashkiakët nën hetim ndajnë bindjen se hetimi i prokurorisë është nën udhëzime politike. Kryetari demokrat i bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri tha se asgjë nuk ka për të fshehur dhe se askush nuk mund të njollosë emrin e tij.

Kryebashkiaku i Tepelenës tha se mbas hetimeve qëndron Partia Demokratike, ndërse kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, në kulmin e akuzave ndaj tij, ka reaguar përmes një shënimi në Facebook, ku falënderon Edi Ramën për mbështetjen që i jep për investimet në zonën e tij.

Eduard Kapri
Kapri i cilësoi akuzat si trillime me prapavijë politike. “Dua të komunikoj me publikun, në lidhje me një lajm të pavërtetë që po shpërndahet në media pa u ndalur, edhe pse nuk ka asnjë fakt, dhe asnjë bazë ku të qëndrojë. Unë si i zgjedhur në këtë detyrë të lartë, jam i hapur dhe respektoj çdo ligj të vendit, dhe madje e vlerësoj shumë atë të dekriminalizimit.

Kur kam vendosur të kandidoj për kryetar bashkie në Pogradec, ligji ka qenë në fuqi, dhe sigurisht nuk ka qënë pengesë për mua. Jam i hapur për çdo verifikim ndërkohë që KQZ ka konfirmuar vërtetësinë e çdo të fakti në formular. Nuk kam pasur asnjë problem në të kaluarën time, dhe me besim të madh jam se s’do kem as në vazhdim, sepse e kam vendosur të mos bëhem asnjë ditë pjesë e asnjë krimi. Ajo për të cilën nuk jam i hapur, janë mashtrimet, trillimet dhe intrigat politike.

Unë kam fituar zgjedhjet si kandidat i Partisë Demokratike dhe politikisht i përkas kësaj force politike. Nuk kam qenë kurrë pjesë e LSI. Qytetarët e Pogradecit sot kanë nevojë për punë, për zhvillim, për mirëqenie. Përpara kemi protestën e datës 18 Shkurt ndaj është detyra e të gjithëve ne dhe çdo qytetari të protestojmë kundër padrejtësive, kriminelëve të vërtetë në pushtet, varfërisë dhe kaosit që po përjeton sot vendi”,-thotë Kapri.

Adriatik Zotkaj
Edhe pse është diskutuar dhe përfolur edhe më parë për të shkuarën e tij, ai duket se nuk është shqetësuar dje kur, emri i tij u shfaq në listën e 9 personave të rrezikuar për të humbur mandatin. Ai ka folur vetëm për investimet në zonën e tij.

“Kam kënaqësinë t’ju bëj me dije se Bashkia Poliçan do të përfshihet në të gjithë territorin e saj nga një sërë investimesh. Qyteti i Poliçanit do të ketë një rilindje të vërtetë! Me Unazën e Plirzës, Unazën e vogël ku do të ketë një frymëmarrje për të gjitha automjetet, fëmijët do të kenë këndin e lodrave aq shumë të dëshiruar. Qytetarët tanë do të kenë më pak kosto energjie pasi të gjithë pallatet e qytetit do të vishen me sistemin kapot suvatime, lyerje, etj.

Fshatrat nuk do të jenë më të harruar! Do të fillojmë investimet me rrugët rurale, kanalizime, kanalet vaditëse etj. Të gjitha këto investime fillojnë në muajin mars e në vazhdim, duke përfunduar brenda 2017. Falënderim pafund për Edi Ramën! Mirënjohje për gjithë komunitetin e mrekullueshëm të bashkisë Poliçan. Uroj që së bashku të ecim përpara me fitore të reja”,-shkruan ndër të tjera Zotkaj.

Tërmet Peçi
Ndërkohë, kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi u shpreh se pas hetimeve të Prokurorisë ndaj tij fshihet Partia Demokratike. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Peçi tha se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, ndërsa i vetmi penalitet ndaj tij, është një gjobë për makinën. "Nuk kam qenë asnjëherë as i dënuar dhe as në arrest shtëpie. Figura ime nuk cenohet nga dekriminalizimi.

S'kam qenë i dënuar as në kohën e Enverit, as tani. Kam deklaruar në formular një gjobë që kam prej automjetit. Kam pasur një gjobë 150 mijë lekë të reja. Kjo nuk ka të bëjë me dekriminalizimin. Mandatin ma heq vetëm komuniteti që më ka zgjedhur. Pas tyre fshihet PD. Tashmë fushata zgjedhore ka nisur, ndoshta SHQUP-i ngaqë e kanë problem jugun",-u shpreh kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi. 


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg