TIRANE - Vendim të guximshëm e ka vlerësuar ambasada amerikane në vendin tonë miratimin e ligjit të dekriminalizimit me votat unanime të mazhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Përmes një deklarate zyrtare për mediat menjëherë pas votimit, ambasada e kryesuar nga Donald Lu shprehet se ky është ligji më i ashpër në Evropë ndaj kriminelëve që duan të kapërcejnë dyert e politikës. SHBA e cilëson dekriminalizimin, rezultat të përbashkët të qeverisë dhe opozitës, por fitorja sipas kryediplomatit Lu i takon vetëm shqiptarëve të cilët do të kenë një qeverisje të pastër. Pavarësisht se sfida e Shqiëprisë, sipas ambasadës së SHBA mbetet lufta e krimit dhe korrupsionit, ligji i dekriminalizimit do të ulë ndjeshëm ndikimin e personave me elemente kriminale në vend. 

Deklaratë e Ambasadës së SHBA
Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e guximshëm të parlamentit shqiptar për miratimin e ligjit për dekriminalizimi. Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë. Ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga pakica, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)