Sot në orët e para të mëngjesit lumi Erzen i cili përshkon mes për mes qytetin e Shijakut ka dalë nga shtrati i tij duke përmbytur banesat që ndodhen aty pranë. Një pjesë e banorëve kanë qenë të detyruar që të braktisin banesat e tyre dhe kanë gjetur strehim të përkohshëm te të afërmit e tyre ndërsa disa të tjerë janë ngjitur në katet më të larta të banesave mbi një katëshe.

Dëmet që ka shkaktuar uji i lumit kanë qenë të konsiderueshme,”- thonë banorët e përmbytur.

Banorët sqarojnë se kjo është një histori që përsëritet çdo vit sa herë që bie shi. Ata janë përmbytur 5 herë brenda pak viteve por problemi për t’i vënë fre lumit nuk ka gjetur zgjidhje.

“Verën e shkuar u ndërtua një argjinaturë pikërisht në zonën më problematike por uji  u ngjit mbi argjinaturë,” -  sqarojnë banorët. Nga ana e saj bashkia e Shijakut, një njësi e vogël  e pushtetit vendor, nuk ka mundësi financiare që të ndërhyjë me një projekt serioz për të zgjidhur hallin e këtyre banorëve.

Por banorët e kësaj zone të Shijakut sot kanë ngritur hijet e dyshimit së këtë radhë lumi mund të jetë fryrë nga shkarkimi i rezervuareve që lidhen me të pasi sasia e shiut të rënë nuk ka qenë e madhe. “Janë 15 banesa të përmbytura,” -  sqarojnë banorët.


permbytje me logo
Foto të tjera

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)