Del progres raporti, KE: Ka rezultate të prekshme! Të hapen negociatat me Shqipërinë (DOKUMENTI)

BRUKSEL-Komisioni Europian sot i ka rekomanduar sërish Këshillit hapjen e negociatave për Shqipërinë. Në progres raport, theksohet se Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. "Në progresin domethënës të arritur dhe kushteve të përcaktuara unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandoi në paketën e tij të zgjerimit për vitin 2019 kërkesën që të hapte negociatat e pranimit me Shqipërinë. Në përgjithësi, Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka dhënë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018. Si rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për hapjen e anëtarësimeve me Shqipërinë mbeten të vlefshme” thuhet në raport. Në progres raport vlerësohet miratimi i aktit normativ për sekuestrimin e pasurive të vendosura me veprimtari të paligjshme nga të dënuarit, apo ata që janë në proces.

Në raport theksohet suksesi nga vettingu që ka nxjerrë jashtë sistemit të korruptuarit edhe dënimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por edhe operacionet anti-drogë. “Nga vettingu janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen 60% e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vettingu ka çuar në shkarkimin nga detyra të një numri të magjistratëve të rangut të lartë, duke përfshirë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në shtator 2019, një ish-ministër i Brendshëm u shpall fajtor për shpërdorim detyre nga gjykata dhe u dha dënua me tre vite e katër muaj shërbim prove. Autoritetet shqiptare forcuan kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftimin e korrupsionit, përfshirë punën përmes Task Forcës Kundër Korrupsionit, krijimin e një Drejtorie të Asociuar Anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë dhe të një rrjeti të koordinatorëve antikorrupsion në 16 agjenci në vjeshtë 2019". Përsa i përket institucioneve të reja të drejtësisë, evidentohet ngritja e SPAK-ut dhe gara që po vijon për BKH-në, por ashtu edhe për plotësimin e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.

Ndalur te kjo e fundit, Komisioni thekson debatin mes Presidentit dhe shumicës për Gjykatën Kushtetuese dhe pritjen e raportit të Komisionit të Venecias. "Shqipëria po bën përparim për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese që të rimarrë funksionalitetin dhe të rrisë besimin e publikut. Tani Gjykata ka katër anëtare. Ekziston një mosmarrëveshje për një nga gjyqtarët e fundit të emëruar, për shkak të një interpretimi të ndryshëm të procedurës së emërimit nga Presidenti i Republikës. Komisioni i Venecias do të japë një opinion mbi këtë çështje në Mars 2020. Me katër anëtarët e tanishëm, Gjykata ka kuorumin minimal prej tre gjyqtarëve për të gjykuar mbi pranueshmërinë e çështjeve. Gjykatës i duhen gjashtë anëtarë të ulur në seancë plenare për të qenë plotësisht funksionale dhe të jenë në gjendje të zhvillojnë seanca dëgjimore' thuhet në raport.

Një pikë e nxehtë në raport janë edhe azilkërkuesit, që sipas raportit shifrat kanë ardhur në ulje falë bashkëpunimit të Shqipërisë me homologët. "Që nga një kulmi i konsiderueshëm i kërkesave për azil në BE në vitin 2017, përpjekjet shqiptare kanë rezultuar në një ulje të kërkesave për azil me 26.6% nga 2017 në 2019. Autoritetet shqiptare kanë forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me vendet e prekura. Në këtë drejtim oficerë ndërlidhës janë vendosur në Tiranë për kontrollet". Sa i përket luftës kundër kanabisit, theksohet se "Në verën e vitit 2019, autoritetet shqiptare kanë konsoliduar më tej luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikimit".

Raporti ndalet edhe te paketa anti-shpifje dhe minoriteti. "Shqipëria duhet të miratojë me shpejtësi legjislacionin zbatues të mbetur në lidhje me Ligjin kuadër 2017 për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare. Komiteti po monitoron nga afër këtë çështje dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Komiteti gjithashtu po vëzhgon nga afër zhvillimet në lidhje me ligjin për median, ku Komiteti i Venecias pritet të lëshojë një mendim në Mars" mbyllet raporti.  Tani fjalën e ka Këshilli, teksa në Tetor Presidenti Macron vendosi veton, por pak javë më parë, pas miratimit të metodologjisë së re ai u shpreh se në samitin e radhës do të vendoset në bazë të asaj që do të raportojë Komisioni Europian, që sot ripërsëriti kërkesën për hapjen e negociatave duke ndezur shpresën për Shqipërinë për një 'PO'.

Pas prezantimit të raportit Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Olivér Várhelyi u shpreh se “Pas miratimit në shkurt të metodologjisë së rishikuar për procesin e pranimit, ne sot po prezantojmë përditësimet tona për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ato tregojnë se vendet e kanë rritur punën e tyre dhe kanë dhënë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018. Komisioni i mbështet fort rekomandimet e tij për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe unë shpresoj që shtetet anëtare do të marrin një vendim pozitiv në javët në vazhdim".

Pikat kryesore të progres raportit të Komisionit Europian
1. Duke krahasuar të dhënat e disponueshme për vitin 2019 (deri në nëntor 2019 të përfshira), me të njëjtën periudhë të vitit 2017, fluksi i kërkesave për azil është rreth 17% më i ulët. Që prej kulmit të kërkesave për azil në 2017, përpjekjet shqiptare kanë rezultuar në një ulje të kërkesave për azil me 26.6% nga 2017 në 2019, me 7.633 aplikime në 2017, krahasuar me 5,599 në 2019. Midis 2018 dhe fillimit të vitit 2020, Shtetet Anëtare të BE-së organizuan 789 fluturime duke kthyer 6742 shqiptarë.

2. Deri më tani, institucionet e vetingut kanë përfunduar 234 raste të verifikimit, duke përfshirë të gjithë dosjet me përparësi, nga gjithsej 811 magjistratë. Ka pasur 94 përjashtime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara, 90 konfirmime në detyrë; 49 vendime për përfundimin e procedurës së verifikimit, nga të cilat 33 për shkak të dorëheqjes dhe 16 për shkaqe të tjera; një vendim për pezullimin e vlerësuesit. Nga këto 234 vendime, 145 janë tashmë përfundimtarë (d.m.th. të gjitha ankesat janë ezauruar). Në përgjithësi, deri më tani 60% e magjistratëve të verifikuar ose janë larguar nga puna ose kanë dhanë dorëheqjen.

3. Finalizimi i krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashikohet nga reforma kushtetuese. Shqipëria po bën përparim për të rindërtuar Gjykatën Kushtetuese pas verifikimit të anëtarëve të saj dhe ka emëruar disa anëtarë të rinj. Tani Gjykata ka katër anëtare. Ekziston një mosmarrëveshje për një nga gjyqtarët e fundit të emëruar, për shkak të një interpretimi të ndryshëm të procedurës së emërimit nga Presidenti i Republikës. Komisioni i Venecias do të japë një opinion mbi këtë çështje në Mars 2020. Me katër anëtarët e tanishëm, Gjykata ka kuorumin minimal prej tre gjyqtarëve për të gjykuar mbi pranueshmërinë e çështjeve. Gjykatës i duhen gjashtë anëtarë të ulur në seancë plenare për të qenë plotësisht funksionale dhe të jenë në gjendje të zhvillojnë seanca dëgjimore. 

4. Task Forca Kundër Korrupsionit, krijimi i një Drejtorie specifike Anti-korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë dhe të një rrjeti koordinatorësh antikorrupsion në 16 agjenci në vjeshtë 2019. Për më tepër, në shtator 2019, një ish-Ministër i Brendshëm u shpall fajtor për shpërdorim të detyrës nga Gjykata për Krimet e Rënda duke u dënuar tre vjet dhe katër muaj në provë, si dhe i ndaloi kandidimin për poste publike për tre vjet. Në Shtator 2019, tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës u shpallën fajtorë për korrupsion pasiv dhe u dënuan me shtatë vjet burg. Në qershor 2019, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë u dënua me nëntë muaj burg për falsifikim të dokumenteve. Në shkurt të vitit 2019, 12 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë një ish-Sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë - u arrestuan për dyshim të shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të barazisë në tenderë gjatë periudhës 2016-2017. Në shkurt 2019, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda konfirmoi dënimin e një gjyqtari të Gjykatës së Apelit të dënuar në shkallën e parë në 2018. Numri i përgjithshëm i referimeve të çështjeve të korrupsionit në prokurori është rritur paksa në 2,257 në vitin 2019, krahasuar me 2,126 në 2018.

Numri i përgjithshëm i çështjeve të korrupsionit të dërguara në Gjykatë në 2019 u rrit në 643, krahasuar me 513 në 2018. Në vitin 2019, 90 raste të reja u ndoqën penalisht kundër zyrtarëve të nivelit të lartë shtetëror me pesë persona të akuzuar, përveç 102 rasteve të reja në 2018 me shtatë persona të paditur. Asnjë dënim përfundimtar nuk u dha.

Në vitin 2019, kishte 246 dënime përfundimtare që përfshinin zyrtarë të rangut të ulët ose të mesëm, përveç 289 dënimeve përfundimtare në vitin 2018. Në vitin 2019, kishte dy dënime përfundimtare për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të gjyqësorit.

Në vitin 2019, kishte 262 dënime të shkallës së parë që përfshinin zyrtarë të rangut të ulët ose të mesëm, përveç 294 dënimeve të shkallës së parë në 2018. Që nga themelimi i saj në 2018, Task Force Anti-korrupsion rekomandoi 118 pushime nga puna dhe 38 referime penale. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, ka referuar 250 raste për ndjekje penale të 474 zyrtarëve në vitin 2019 dhe 201 raste që përfshijnë 265 zyrtarë në vitin 2018.

Sa i përket deklarimeve të pasurive nga zyrtarë të nivelit të lartë shtetëror, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konflikteve të Interesit ka referuar shtatë çështjeve në prokurori në vitin 2019 nga 27 raste në 2018.

5. Sa i përket rekordit të përgjithshëm në luftën kundër krimit të organizuar, numri i çështjeve të reja që lidhen me organizatat kriminale dhe grupet e strukturuara kriminale të referuara në ndjekje penale u rrit nga 34 në 2017 në 53 në 2018. Në vitin 2019, kishte 50% më shumë referime, me 79 raste. 13 aktakuza për krimin e organizuar janë lëshuar në vitin 2019, në krahasim me pesë në 2018 dhe shtatë në 2017. Tetë persona u dënuan në shkallë të prerë në vitin 2017, dhe tetë në 2018. Përveç kësaj, 18 persona u dënuan në nivelin e apelit në 2017, 20 në 2018 (përfshirë në një rast të lidhur me operacionin Lazarat), një në 2019, përveç pesë dënimeve në nivelin e shkallës së parë në 2017 dhe nëntë dënime në nivelin e shkallës së parë në 2019. Të gjitha këto kanë të bëjnë me trafikun e drogës.

6. Për kultivimin dhe trafikimin e drogës, në verën e 2019, autoritetet shqiptare kanë konsoliduar më tej luftën e tyre kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikimit. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka lejuar një mekanizëm monitorimi shumë ndërhyrës nga një vend i tretë që nga viti 2013 (Fluturimet ajrore për zbulimin e plantacioneve të kanabisit në Shqipëri nga Guardia di Finanza Italiane, e bashkëfinancuar nga BE). Rezultatet paraprake të vitit 2019 të fushatës nga ajri të udhëhequr nga Italia tregojnë një rritje të plantacioneve të shkatërruara. Policia Shqiptare është përgjigjur me shpejtësi dhe me forcë duke ndërmarrë disa masa të rëndësishme, siç janë rritja në kontrollet, monitorimi dhe inspektimi i serave dhe depove. Si rezultat, 90.175 bimë u shkatërruan në 2019 në krahasim me 35.985 në 2018. Numri mbetet në një nivel të papërfillshëm në krahasim me vitin 2016, kur 753.468 bimë u shkatërruan, duke përfaqësuar një rënie prej 88%.

7. Më 31 janar 2020, qeveria shqiptare ka miratuar një ligj të posaçëm, i cili vendos masa parandaluese për të rritur luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke u përqendruar në veçanti në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale. Ky ligj parashikon një seri mjetesh të reja të rëndësishme hetimore të vëna në dispozicion dhe parashikon ndryshime në ligjin antimafia, ligjin e Policisë së Shtetit Shqiptar, ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe kodin penal. Tashmë në shkurt të vitit 2020, struktura e krijuar rishtazi nën Policinë e Shtetit (OFL), njësia e funksionimit të Fuqisë së Ligjit ka ndërmarrë sekuestrimet e para të pasurive kriminale që i përkasin një numri figurash të dyshuara të krimit të organizuar. Gjithashtu janë raportuar 17 raste që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.

8. Rritja e ndjekshmërisë dhe dënimeve kundër krimit të organizuar

Në shkurt të vitit 2020, në kuadrin e ligjit antimafia, SPAK sekuestroi pasuritë e një shtetasi shqiptar, të dënuar në Itali për trafik droge dhe krim të organizuar.

• Në shkurt të vitit 2020, autoritetet shqiptare morën pjesë në dy operacione të suksesshme me agjencitë e zbatimit të ligjit në Itali në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Këto operacione u kryen gjithashtu në koordinim me agjencitë e BE-së, përfshirë Holandën. Më shumë se 40 persona, përfshirë gjashtë shtetas shqiptarë, u arrestuan, të akuzuar se i përkisnin grupeve kriminale aktive në kontrabandën e kokainës në të gjithë Evropën. Në total janë kapur më shumë se 350 kg kokainë, së bashku me 5 kg heroinë dhe 400 kg marihuanë. Në një operacion tjetër të vetëm në shkurt, Shqipëria ofroi mbështetje për agjencitë italiane të zbatimit të ligjit që çuan në kapjen e 450 kg marihuanë, 75 kg hashash dhe 3.5 litra naftë hash; në një operacion të veçantë, Shqipëria ofroi mbështetje për Guardia di Finanza Italiane, duke rezultuar në sekuestrimin e 1.128 kg kokainë.

• Në janar të vitit 2020, autoritetet shqiptare morën pjesë në një operacion me autoritetet e zbatimit të ligjit në Greqi. 1.18 ton kokainë me origjinë nga Amerika e Jugut u kapën. U arrestuan disa shtetas shqiptarë.

• Në Nëntor 2019, autoritetet shqiptare përfunduan një operacion të madh për sekuestrimin e pasurive me vlerë 12 milion € të trafikantit të dyshuar të drogës.

• Në Tetor 2019, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda konfirmoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë duke dënuar kreun e një grupi kriminel transnacional për trafik droge me 15 vjet burg (të reduktuar në dhjetë vjet përmes procedurave të shkurtuara) për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, trafikimin narkotikët dhe pastrimi i parave.

• Në Tetor 2019, autoritetet shqiptare morën pjesë në një operacion me autoritetet e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar. U sekuestruan pesë kg kokainë dhe një shumë e madhe parash. Një shtetas shqiptar i akuzuar si anëtar i një rrjeti trafiku të përfshirë në trafik kokainë dhe heroinë u arrestua.

• Në Shtator 2019, autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit dhe prokurorët e krimeve të rënda përfunduan një operacion 3-vjeçar me autoritetet greke, si dhe me shtetet e tjera anëtare të BE-së. Operacioni çoi në çmontimin e katër grupeve kriminale të përfshirë në trafik droge. Grupet raportohet se siguruan farat në Holandë dhe i çuan në Shqipëri për kultivim. Grupet gjithashtu ishin të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore.

• Në Shtator 2019, autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit sekuestruan 137 kg kokainë në Portin e Durrësit, të fshehur në kontejnerë nga Ekuadori. Operacioni u krye në bashkëpunim me autoritetet greke dhe amerikane. Dy anëtarë të stafit të sigurisë së portit u arrestuan.

• Në Shtator 2019, autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit morën pjesë me autoritetet greke të zbatimit të ligjit në një tjetër operacion të madh të përbashkët anti-narkotik. 56 persona u arrestuan.

• Në gusht 2019, autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit kryen një operacion të rëndësishëm policor në Krujë. 19 persona u arrestuan për kultivimin e drogës.

• Në qershor 2019, autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit morën pjesë në një operacion policor të koordinuar nga Europol dhe duke përfshirë Shtete të ndryshme Anëtare të BE-së. 31 persona të akuzuar se i përkisnin një organizate të madhe kriminale u arrestuan. Droga, armët dhe pasuritë u sekuestruan në Shqipëri dhe në BE. Më konkretisht, në Shqipëri operacioni çoi në arrestimin e kreut të dyshuar të grupit kriminal, si dhe në sekuestrimin e 200,000 €, automjeteve dhe një investim biznesi të vlerësuar në 1 milion €.

BE: 2020, puna për një qasje me tri drejtime
Ballkani Perëndimor është një përparësi për Komisionin, i cili po ndjek një përqasje me tri drejtime në vitin 2020. Më 5 shkurt, Komisioni ka parashtruar propozimin e tij për ta çuar përpara procesin e pranimit në BE duke e bërë atë më të besueshëm, më dinamik, më të parashikueshëm dhe duke i dhënë atij një drejtim politik më të fortë. Paralelisht, Komisioni i mbështet fort rekomandimet e tij për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi që të dy vendet vazhdojnë të zbatojnë reformat. Së treti, në përgatitje për Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb, më 6 dhe 7 maj, Komisioni do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik dhe investimesh për rajonin.

Në përditësimet e ditës së sotme, Komisioni përshkruan në mënyrë faktike dhe objektive progresin e dy vendeve nga qershori 2018 deri më sot në fushat e theksuara nga Këshilli. Në rastin e Shqipërisë, përditësimi përshkruan progresin për zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, historikun e demonstruar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe kur bëhet fjalë për kultivimin e kanabisit dhe trafikun e drogave të forta. Ai gjithashtu vë në dukje çështje të tjera të rëndësishme, të tilla si marrëveshja për të ardhmen e reformës zgjedhore dhe përpjekjet për të adresuar kërkesat e pabazuara për azil. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, përditësimi përfshin hapa të konsiderueshëm të ndërmarrë për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë miratimin e fundit të ligjit të rishikuar për Zyrën e Prokurorit Publik. Ai tregon një historik të përmirësuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përparim në reformën e shërbimeve të inteligjencës dhe administratës publike.

Të dhëna
Në prill 2018, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në qershor 2018, Këshilli njohu progresin dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit, në varësi të përparimit të bërë në disa fusha kryesore. Pas rekomandimeve të mëtejshme pozitive nga Komisioni në maj 2019, Këshilli e shtyu vendimin e tij për në qershor dhe më pas tetor 2019, para se të vendoste t'i kthehej çështjes së zgjerimit përpara Samitit të Zagrebit në maj 2020. Në mars 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme pritet të diskutojë të ardhmen e politikës së zgjerimit, bazuar në metodologjinë e rishikuar, si dhe përparimin e bërë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, me qëllim hapjen e bisedimeve të pranimit. Komisioni Evropian do të paraqesë brenda disa muajve një vlerësim më të hollësishëm të gjendjes së përgjithshme të të gjithë partnerëve të zgjerimit në paketën e tij vjetore të zgjerimit.

( Kliko këtu ) Raporti i plotë i Komisionit Europian për Shqipërinë

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tirana: 02/03/2020 13:40

    Nuk duam negociata duam te arrestohet ilir meta

    Përgjigju
  • Vlonjati Pjella Lushnjarit: 02/03/2020 13:36

    Nuk duame se do na bejne skllever . Shqiperia eshte vend agrar dhe do na thone te mos mbjellim asgje se do na i sjelle BE-ja nga vende te tjera qe ne ti blejme. Ta blejme qepen, domaten, specin, shalqirin, kungullin, mjellin etj. Pastaj do na thone, mos kullosni bageti se mish e bulmet do u sjellim ne e ju blieni. Shqiperine e duan ti shesin produktet e tyre e ta kthejne në kosh plerash. Nuk duam BE!

    Përgjigju
  • A...Zh: 02/03/2020 12:56

    Dakord KE, por problemin e kemi ketu, nga disa, te cilet cdo sekond do te bejne cdo gje e ne menyre te koordinuar per te sabotuar celjen e negociatave. A do t'ja arrijne, urojme qe jo. Por gjerat e keqia per vendin behen shume me kollaj se te mirat.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025