DELVINË- Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në qytetin e Delvinës ku një 73-vjeçar ka qëlluar me armë ndaj një 48-vjeçari.

Sipas policisë autori i arrestuar është Kadri Nara 73 vjeç, banues në fshatin Kopaçëz, ndërsa policia ka sekuestruar edhe armën e zjarrit tip Kallashnikov që ka kryer plagosjen. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00  mëngjesit të sotëm, ku në fshatin Kopaçëz, Delvinë, për motive të dobëta Nara ka nxjerrë armën dhe ka  plagosur në këmbë me kallash Martin Dodën., 48 vjeç, banues në Mirditë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se i plagosuri jetonte prej vitesh në Kopaçez. Ndërkohë para pak vitesh autorit i kishte vdekur djali i cili punonte si bari së bashku me të plagosurin. Ndërkohë mes 73-vjeçarit Nara dhe të plagosurit Martin Doda ka pasur debate të vazhdueshme pasi i moshuari bënte fajtor 48-vjeçarin.

Tashmë i arrestuari do të përballet me akuzat për "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë" dhe "Armëmbajtje pa leje".