Tritan Shehu, ish ministër i Jashtëm i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e Kosovës me Malin e Zi e cila pritet të votohet nesër në kuvend. Shehu ka thënë se aleatët nuk do të lejojnë që kufiri i Kosovës të cënohet.
 
Ai është shprehur se debati jashtë kufijve demokratik është i papranueshëm, por kjo gjë fatkeqësisht ka ndodhur. Ai ka shtuar se direktivat nga Tirana në lidhje më një çështje të tillë, janë të tepërta dhe spekulative.
 
Shehu thekson se Kosova është një vend sovran që ka filluar procesin e integrimit me Bashkimin Europian dhe se këta aleatë të mëdhenj nuk do lejojnë që toka e Kosovës të cënohet.
 
 "Për “demarkacionin” do të votohet nesër në kuvendin e Kosovës. Krahas disa kundërshtimeve nga forca politike apo grupime aty, po lexoj dhe disa deklarata “ultra patriotike” kundërshtuese nga Shqipëria.
 
Mendimet e ndryshme, qoftë dhe për kapital politik në Prishtinë i kuptoj, janë deri diku të pranueshme si pjese e diversitetit apo e “lojës politike” të brendshme.
 
Nuk mund të pranohen metodat larg kufijeve të debatit demokratik e institucional, gjë që fatkeqesisht ka ndodhur. Ndërsa në lidhje me “direktivat” nga Tirana mendoj se janë të tepërta, paternaliste, bile dhe spekulative.
  
Kosova është një vend sovran si ne, që ka filluar procesin e integrimit europian, me parlament e qeveri legjitime, me një klasë politike që tashmë ka eksperiencë të mjaftueshme për të marrë përgjëgjësitë e saj.

 
Në lidhje me “këshillat”, mendoj se më të vlefshme janë ato që vijnë nga aleatët që ishin e janë thelbësor në proceset e lirisë e integrimit të Kosovës, pra nga SHBA e BE.
 
Unë nuk besoj që këta miq të mëdhenj, të cilët luftuan për të krijuar këtë shtet të lirë e sovran në territorin e tij, do të lejonin sot që t’i cënohej tërësia tokësore apo dhe sovraniteti!!!!
", ka shkruar Shehu në profilin e tij në facebook.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com