Pasojat e përmbytjeve në Durrës janë dramatike. Sipas të dhënave zyrtare, numërohen 953 banesa dhe 337 biznese të përmbytura. Janë evakuuar dhe po qëndrojnë në konvalishencë prej dy ditësh 160 banore.

Zonat më të goditura janë ish-Këneta, Shkozeti (lagjja 14), zona e Plazhit, si dhe njësitë administrative Manëz dhe Rrashbull.

Banorët e ish-Kënetës rrëfejnë të tronditur se të gjitha orenditë shtëpiake janë nën ujë.

Janë detyruar të largojnë fëmijët gjatë natës, ndërsa vetë kanë mbetur të izoluar në katet e sipërme të banesave, pa energji elektrike dhe pa ndihmë nga institucionet.

Situata më e rënd është tek blloku i banesave pranë burgut të Durrësit, ku rrugët janë shndërruar në kanale uji. Në këtë zonë, punonjësit e burgut dhe banorët detyrohen të lëvizin me gomone.

Përveç reshjeve, shkak për përmbytjet është bere mosfunksionimi i rrjetit kullues, përfshirë tubacionet dhe kanalet e ujërave të bardha, të cilat nuk janë mirëmbajtur dhe pastruar gjatë verës. Si pasojë, ka dalë nga shtrati kanali i ujërave të bardha që përshkon zonën nga Plazhi drejt Shkozetit.

Banorët pretendojnë gjithashtu se hidrovori i ri nuk po funksionon, duke bërë që uji të kthehet mbrapsht dhe të përmbytë lagjet e zonën e ish-kënetës.

Për këto arsye banoret protestuan sot, duke kërkuar ndërhyrje urgjente, pasi janë përmbytur tre herë brenda 12 muajve.

Opozita ka ngritur dyshime për keqmenaxhim nga institucionet, duke kërkuar hetim nga Prokuroria, me argumentin se investimi 20 milionë euro i hidrovorit nuk ka parandaluar përmbytjet në Durrës. Ndërsa prefektura bën te ditur se në terren janë angazhuar 15 grupe pune për evidentimin e dëmeve, ndërsa 100 forca të emergjencave civile, zjarrfikëset dhe efektive të policisë po punojnë pre evadimin e ujerave.

Ndërkohë, përmbytjet kanë përfshirë dhe zonat rurale, ku mbi 1 mijë hektarë tokë bujqësore janë nën ujë në njësitë administrative Manëz, Sukth dhe Katund i Ri.