48 orë pasi zjarri pushtoi hektarë të tërë në kodrat mes Priskës, Farkës dhe Lundrës, tym i hollë vijon të dalë tek-tuk në zonat e shkrumbuara.

Rreziku tashmë ka kaluar, por forcat zjarrfikëse po kujdesen në terren për të fikur nga toka çdo vatër që mund të rikthehet në problematike.

Edhe një helikopter i forcës ajrore shihet duke hedhur ujë hërë pas here. Vëmendjen e ka të përqendruar më shumë, lartë mbi Priskë, në zonën e Dajtit, aty ku flakët vijojnë të jenë aktive, tashmë prej rreth një jave.

Zjarri pranë fshatrave Gurrë e Madhe, Gurrë e Vogël dhe Daias, për fat të mirë, u ndal kryesisht në parcelat me të mbjella.

Pamjet me dron të siguruara nga Report Tv shfaqin këto 2 parcela me ullinj, te të cilat zjarri ka kaluar dhe besohet se janë shkatërruar.

Disa banesa që ndodhen në pjesën poshtë luginës, ishin më të rrezikuarat. Njëra që raportohet të jetë e pabanueshme është djegur.

Pak metra më tutje duket skeleti i një makine të shkrumbuar.

Më tej, zjarri ktheu në hi, hektarë të tërë me shkurre dhe drurë pylli në luginën poshtë.

Zjarri i tmerrshëm që nisi pasditen e së mërkurës rrezikoi disa fshatra në zonë, por ndërhyrja emergjente e dhjetëra forcave zjarrfikëse, dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore, shmangu afrimin pranë shtëpive.

Zjarri u vendos nën kontroll mesditën e së enjtes, falë dhe ndihmës së disa rrebesheve të shkurtra shiu.

Ndërsa autoritetet janë ende duke monitoruar zonën, nuk ka për momentin një bilanc të plotë dhe të detajuar të dëmeve të shkaktuara.