Ish-ministrja e Integrimit gjatë qeverisjes së demokratëve, Majlinda Bregu, ka njoftuar sot se është zgjedhur në postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Politikania e djathtë, ka falenderuar për një gjë të tillë, veç të tjerash, edhe ministrin e Jashtëm të qeverisë shqiptare të udhëhequr nga socialistët, Ditmir Bushati, që ishte titullari i institucionit që kishte propozuar emrin e Bregut, në këtë organizatë ndërkombëtare.

Fituam.

Unë fitova garën, por fitorja i takon vendit tim!

Faleminderit të gjithëve që besuan dhe më votuan për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Mirënjohje të gjithëve,vendeve anëtare, institucioneve shqiptare, Komisionit Europian, EEAS( Shërbimi i Jashtëm i BE),Parlamentit Europian, familjes time politike EPP, e mbi të gjitha vendeve që votuan bindshëm kandidaturën time.

U përpoqën të gjithë, me qartësinë se drejtimi prej meje i këtij institucioni do të ishte fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Jam e nderuar sot që për herë të parë më takon mua të drejtoj si e para shqiptare në një pozicion të lartë ekzekutiv, institucionin që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore!

Një falenderim miqësor për Ditmirin. Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë!

E di që do të jetë një sfidë e vështirë, por nganjëherë e vështira është më e mira!

Komenti i Majlinda Bregut në Facebook

Majlinda Bregut ka qenë edhe kryetarja e komisionit parlamentar të Integrimit. Ajo vitet e fundit kishte rënë në sy për një afrimitet politik me Edi Ramën, çka solli ndoshta edhe përjashtimin e saj nga listat e kandidatëve demokratë për deputetë.

Bregu kishte komentuar dy ditë më parë ndryshimet në statutin e PD-së, që duket se e kanë blinduar edhe më shumë Lulzim Bashën në krye të kësaj partie.

Ish-ministrja e Integrimit th se Basha do të jetë lider i humbjeve. Sipas saj, Partia Demokratike lindi lindi si parti e fjalës së lirë dhe sot ka përfunduar në linçim kundër kujtdo që flet i lirë.

Në postimin që Bregu ka bërë në Facebook për të njoftuar lidhur me këtë lajm, ajo është uruar nga dy deputetë të parlamentit të Shqipërisë, një nga partia opozitare, LSI dhe një nga radhët e PS-së.

Në fakt, nënkryetari i LSI-së Luan Rama dhe deputetja socialiste Elona Gjebrea e kanë uruar përzemërsisht Majlinda Bregun për postin e saj të ri.

Ndërkohë që nga radhët e PD-së, nuk është parë urimi i asnjë eksponenti të rëndësishëm për ish-kolegen e tyre.

Urimet e Elona Gjebresë dhe Luan Ramës për majlinda Bregun në Facebook