Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar bëri me dije se është vendosur ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin me qëllim normalizimin e qarkullimit në juglindje të vendit, i cili prej 4 ditësh është i paralizuar për shkak të dëmtimit masiv të rrugës Librazhd-Pogradec. Ura e degraduar dhe e copëtuar në këtë aks për shkak të rrëshqitjes së sipërfaqes do të shembet.
"Mbetet ndikimi i reshjeve intensive, erozioni lumor që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive. Në mbledhjen e djeshme, datë 24 shkurt, u morën këto vendime:
Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin. Prishja e urës ekzistuese dhe lehtësimi i ngarkesës në rrugën e rrëshqitur deri në ndërtimin e një skarpate natyrale.
Sistemi dhe disiplinimi i ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes.
Aksi Librazhd–Prrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës", tha Kozeli ndër të tjera.
Por, kreu i ARRSH nuk dha një afat kohor brenda të cilit do të ndërtohet rruga e re.
“Ky aks i ri është 1.3 km nuk mund të them një afat konkret kohor. Përgënjeshtroj që fenomeni ka ndodhur si pasojë e marrjes së inerteve. IKMT ka zhvilluar kontrollet dhe nuk ka rezultuar që kjo ka ndodhur si pasojë e punimeve të kompanisë kontraktore. Në atë zonë prej vitesh ka erozion”, tha ai.
Kozeli ajo që ka ndikuar në shembjen në aksin rrugor Librazhd-Pogradec është erozioni i vazhdueshëm.
"Në atë zonë, kemi një erozion të vazhdueshëm ndër vite, në 2015, distancat midis trupit lumor dhe shinave të trenit ishte 35 metër, në 2023 kishte shkuar në 17 metër”, tha Kozeli.
Rrëshqitja e dheut është aktive dhe ka dëmtuar jo vetëm trasenë ekzistuese, por edhe segmentin e ri të Korridorit VIII, i cili po ndërtohet paralel me aksin aktual, nga kompania ANK. Po kështu është shembur edhe një pjesë e hekurudhës, që ndodhet poshtë rrugës. Askush nuk di të japë një afat se kur do të rinisë kalimi në këtë pjesë.
Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar thotë se arsyeja kryesore e shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec është sasia e reshjeve të shumta të shiut, që për këtë vit, sipas tij, ka qenë trefish më e lartë se sasia e reshjeve të rëna përgjatë 2 viteve të mëparshme.
"Shërbimi gjeologjik është duke vazhduar me pjesën e studimeve të thelluara, të lidhura këto me interpretimet e rezultateve të rreth 500 metrave linearë shpime që do të vendosen nga ekspertët, si dhe serinë e analizave. Falë kësaj pune, matja e rezultateve do të bëhet nga ana jonë dhe interpretimi i të gjithë rekomandimeve që shërbimi gjeologjik do të bëjë për këtë situatë", tha Bylyku.
Ndërsa kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, është shprehur se institucioni që ai drejton është në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate që mund të krijohet pas shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas.
"Një nga misionet kryesore të mbrojtjes civile është jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Jemi angazhuar dhe jemi në gatishmëri të plotë për të gjitha nevojat që do të ketë ky komunitet rreth këtij segmenti", tha Çako.
Lajm në përditësim...
Gazetarja e Report TV, Joana Preja, i ka drejtuar disa pyetje kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli dhe zv.ministrit të Infrastrukturës, Hantin Bonati, lidhur me shembjen e rrugës Librazhd-Prrenjas.
“Zoti Kozeli ju folët për një terren që ndikohet nga mbingopja e ujërave. A ka ndikuar në shembjen edhe punimet për segmentin e rrugës në Korridorin VIII? U tha gjithashtu se masivi i asaj zone ka një rrëshqitje të aktivizuar 3 vite më parë. A është marrë në konsideratë kjo rrethanë kur është vendosur që ky segment i ri të kalojë në atë zonë? Po ashtu përmendët edhe erozionin e lumit Shkumbin. Nëse do i ndanit shkaqet me përqindje, në çfarë mase ka ndikuar erozioni lumor? Dhe disa pyetje për zv.ministrin. A keni dijeni nëse janë kontrolluar lejet për shfrytëzimin e inerteve? A ka pasur kontrolle nëse janë zbatuar brenda kritereve ligjore? Nëse po çfarë keni evidentuar dhe a ka pasur gërryerje të lumit pranë rrugës së shembur te Ura e Dragostunjës dhe nëse po te cila kompani nga këto leje që janë dhënë?“, ishin pyetjet e gazetares së Report TV, Joana Preja.
Teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetares së Report TV, Kozeli tha se shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin e rrugës Korridori VIII, që kalon aty pranë.
Po ashtu ai tha se shkak kryesor është mbingopja nga uji dhe ndikimi i erozionit lumor, që sipas tij, masa e këtij ndikimi nuk është e përcaktuar në përqindje.
“Lidhur me mbingopjen nga uji këtë u’a konfirmoi edhe drejtori i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, por ky nuk është një fenomen i konstatuar nga ARRSH, por nga të gjitha institucionet përkatëse. Lidhur me masat e ndikimit lumor, nëse unë arrij t’i përcaktojë në përqindje, nuk besoj se është askush në gjendje që t’i përcaktojë në përqindje. Ai thjeshtë konstatohet si fenomen dhe adresohet për të bërë të mundur masat mbrojtëse. Rruga e re nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë, ose nuk ka asnjë fakt shkencor që ta lidhë rrugën e re. Por unë them që një komponent shumë i rëndësishëm i rrugës së re të Korridorit VIII është edhe mbrojtja lumore e lumit Shkumbin, që ju e gjeni të realizuar dhe të përfunduar në akset fillestare në Fushë-Labinot. Ky është një nga komponentët më të rëndësishëm, pasi është identifikuar një problem i tillë në këtë aks rrugor, që është edhe ujëmbajtës“, tha mes të tjerash Kozeli.
Nga ana tjetër, zv.ministri i Infrastrukturës iu shmang pyetjeve të gazetares së Report TV, duke thënë se nuk kishte informacione të sakta lidhur me pyetjet e ngritura prej saj.
“Nuk e kam një informacion të saktë lidhur me pyetjen tuaj, por di që gjithë strukturat janë të angazhuara maksimalisht për të bërë të gjitha verifikimet përkatëse, që të mos kemi problematika të kësaj natyre“, tha zv.ministri i Infrastrukturës.
Sipas drejtorit të ARRSH, Ami Kozeli ajo që ka ndikuar në shembjen në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas është erozioni i vazhdueshëm.
“ARRSH ka një mobilizimi total për zgjidhje sa më të shpejtë dhe të sigurt të këtij aksi, Ky aksi i ri është një gjatësi minimum 1.3 kilometra, nuk mund të them një afat konkret kohor.
Lidhur me pjesën e marrjes së interteve, unë vazhdoj ta përgënjeshtroj se fenomeni të këtë ndodhur për shkak të marrjes së inerteve pasi ka pasur një kontroll nga IKMT, i cili ka verifikuar dokumentacionin dhe nuk ka shkelje nga ana e kontraktorit të ngarkuar me punime.
Në atë zonë, kemi një erozion të vazhdueshëm ndër vite, në 2015, distancat midis trupit lumor dhe shinave të trenit ishte 35 metër, në 2023 kishte shkuar në 17 metër”, tha Kozeli.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, është shprehur se institucioni që ai drejton është në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate që mund të krijohet pas shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është vënë në dijeni për problematikën e krijuar për bllokimin e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas. Një nga misionet kryesore të mbrojtjes civile është jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Jemi angazhuar dhe jemi në gatishmëri të plotë për të gjitha nevojat që do të ketë ky komunitet rreth këtij segmenti.
Dua të theksoj se në dokumentin e vlerësimit të rriskut të përcaktuar me akt normativ, një nga fenomenet natyrore është edhe rrëshqitja, bllokimi i rrugëve apo rënia e orteqeve dhe në këtë rast jemi në rastin e një emergjeve të rrëshqitjes së masiveve, e cila do të dojë koordinimin e të gjitha institucioneve. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri të plotë për të mbështetur Autoritetin Rrugor dhe të gjitha institucionet e tjera deri në hapjen e plotë të këtij segmenti”, tha mes të tjerash Çako.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deklaroi mbrëmjen e sotme se Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë në sajë të shembjes dhe bllokimit të aksit Librazhd-Pogradec, që ka shkaktuar "paralizimin" e qarkullimit rrugor në juglindje të vendit.
Për media, Ziu tha se blutë vazhdojnë të orientojnë shoferët për të përdorur akset alternative të sugjeruara nga Autoritetei Rrugor Shqiptar dhe të ndalojë qarkullimin drejt segmentit të dëmtuar.
Gjithashtu, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike tha se të gjithë shoferët që hyjnë në Shqipëri nga pikat kufitare të juglindjes, po njoftohen për situatën e krijuar, si dhe po prezantohen me rrugët alternative që mund të përdorin.
"Ka shkuar në vendngjarje, ka marrë masat e sigurisë, ka ndërprerë lëvizjen e mjeteve, ka kontaktuar me ARRSH dhe subjektet që kryenin punimet në këtë aks, ka vendosur normat dhe rregullat dhe ka devijuar lëvizjen e mjeteve në akse të ndryshme sipas orientimeve nga ARRSH. Hartuam një plan masash të detajuara për të marrë masa të posaçme për sigurinë rrugore në të gjitha akset. Drejtoria e Policisë së Migracionit dhe Kufirit orienton në pikat e kalimit kufitar për të gjithë situatën dhe drejtimin e lëvizjes në akset e ndryshme. Detyrat e posaçme janë ndalimi i lëvizjeve drejt vendit ku është dëmtuar aksi rrugor, orientimi sipas udhëzimeve të ARRSH dhe respektimi i Kodit Rrugor",- tha Dhimitraq Ziu.
Drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, është shprehur se shembja e rrugës Librazhd-Pogradec dhe hekurudhës që ndodhet aty pranë erdhi si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin.
Sipas Verdhos, masivi i kësaj zone ka pësuar një rrëshqitje që është aktivizuar 30 vite më parë.
“Segmenti hekurudhor Elbasan-Pogradec ndodhet në këtë fazë të dytë. E gjithë linja ka që në 2012 që nuk përfshihet nga operimi dhe monitorohet herë pas here nga vrojtuesit e mjeteve që bëjnë raportim mujor në Drejtorinë e Infrastrukturës. Në kilometrin 103-700 në Dragostunjë, pjesë e këtij segmenti, si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin, kemi pasur problematika të shtuara në këtë kilometër, ku unë do të shtoja masivi, jo rruga apo hekurudha, masivi i asaj zone ka një rrëshqitje që është e aktivizuar me 30 vite përpara. Ky masiv, i ngarkuar nga shirat e 4 muajve të fundit, bëri të mundur nga shumë faktorë të ndryshëm, si shiu, volumetria e të qenit në këtë kilometër, si dhe lumi Shkumbin me rritje të shtratit dhe përplasje me shtratin e hekurudhës, bëri të mundur planin rrëshqitës.
Gjithë strukturat tona janë në terren, kanë marrë masat e nevojshme. Ne do marrim hapat tona, të krijimit të asaj rrugës permanente për pjesën e shtratit lumor. Do marrim masa për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shtrat, duke bërë prita në Shkumbin. Lehtësimi i shpatit të malit është shumë i nevojshëm, për të mos u përfshirë në planin e rrëshqitjes. Në studimet gjeologjike ne do të përftojmë koeficentin e fërkimit, sigmën, planin e rrëshqitjes, gjithë këto elementë që ne do të na duhen për të projektuar rrugën e re provizore, apo rrugën e re të Korridorit VIII”, tha mes të tjerash Verdho.
Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar thotë se arsyeja kryesore e shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec është sasia e reshjeve të shumta të shiut, që për këtë vit, sipas tij, ka qenë trefish më e lartë se sasia e reshjeve të rëna përgjatë 2 viteve të mëparshme.
Byluku tha se Shërbimi Gjeologjik do të kryejë të gjithë ekspertimin dhe analizat e nevojshme për t'i sugjeruar më pas autoriteteve zgjidhjet e duhura.
"Sasia e reshjeve ka qenë trefishi në krahasim me 2 vitet e mëparshme. Është një fenomen që njihet me fenomenin e mbingopjes së strukturave, dhe ka dhënë maksimumin e mbingarkesës, duke rezultuar si faktori kryesor për cedimin e gjithë strukturës. Shërbimi gjeologjik është duke vazhduar me pjesën e studimeve të thelluara, të lidhura këto me interpretimet e rezultateve të rreth 500 metrave linearë shpime që do të vendosen nga ekspertët, si dhe serinë e analizave. Falë kësaj pune, matja e rezultateve do të bëhet nga ana jonë, dhe interpretimi i të gjithë rekomandimeve që shërbimi gjeologjik do të bëjë për këtë situatë",- tha Bylyku.
Komente













Aman mos na e nderroni fajin e ka Saliu me fajin e ka shiu. Se jemi mesuar me Saliun, shiu nuk është shumë i besueshëm. Kthehemi te Saliu ju lutem dhe mandatin e 5, 6 23 dhe 98.
PërgjigjuSA ME SHPEJT NDERTONI RRUGE E URA TE FORTA....QE TI REZISTOJNE KOHES..ME PROJEKTE..NGA INXHINJERET ME TE MIRE SHQIPTARE DHE TE HUAJ..DUHET HAPUR URGJENTISHT INSTITUTI I PROJEKTIMEVE TE RRUGEVE.....
Përgjigju