Demush Shasha: Fantazmat e Prespës

Demush Shasha: Fantazmat e Prespës

Me ose pa Asociacionin, kjo gjendje efektive e dialogut nuk do të ndryshojë pasi faktorët strukturorë mungesa e vëmendjes ndërkombëtare dhe mirëbesimi i palëve negociuese do të mbeten të pandryshuar. Të paktën këtë mësim deri tani e kemi nxjerrë nga Marrëveshja e Prespës.

Fillimi i vitit 2021 dukej si lindja e një shprese të re optimizmi për dialogun Kosovë-Serbi. Brenda vendit, më në fund patëm një Qeveri të qëndrueshme me legjitimitet të mjaftueshëm për të mbajtur peshën e dialogut. Në Serbi, legjitimiteti i Vuçiqit u konfirmua në zgjedhjet presidenciale. Kështu, udhëheqja në Prishtinë dhe Beograd ishte e gatshme për dialog.

Edhe ndërkombëtarisht, yjet u rreshtuan në favor të dialogut. Personi më i afërt me Kosovën në gjithë skenën politike amerikane ishte ulur në Shtëpinë e Bardhë. Në rajon u dërguan ambasadorë amerikanë të cilët kishin përvojë dhe njohuri të jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin. Me emërimin e Lajçakut edhe BE-ja dërgoi sinjal se çështja e dialogut do të marrë një vëmendje të re.

Ardhja e një lehtësuesi nga një shtet jonjohës i bindi optimistët se tani ai do të jetë në një pozitë më të favorshme për t'ua komunikuar pozicionin e Kosovës vendeve që nuk e njohin. Në këtë valë optimizmi, vetë Borrelli dhe Lajçaku folën për dialogun si çështje muajsh dhe jo vitesh.

Gjithashtu, shumë prisnin që zhvillimet gjeopolitike, si pushtimi rus në Ukrainë, do t'i jepnin shtysë dialogut Kosovë-Serbi. Pushtimi rus nënvizoi rëndësinë e stabilitetit politik dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo e ktheu vëmendjen e zyrave perëndimore drejt Kosovës dhe Serbisë. Kështu, ky zhvillim ka çimentuar edhe shpresën se tani patjetër do të ketë këtë progres në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Me fjalë të tjera, po lëmë pas vetes një kohë kur objektivisht u plotësuan të gjitha parakushtet për përparim në dialog. Por sot, ndërsa po i afrohemi dalëngadalë fundit të vitit 2024, po shohim se sa e gabuar ishte shpresa jonë. Dhe kështu lind pyetja: nëse e gjithë kjo nuk ka mjaftuar për përparim në dialog, atëherë çfarë mund të presim nga e ardhmja?

Është shumë e vështirë të shohësh një skenar pozitiv. Le të fillojmë me dinamikën në Kosovë dhe Serbi.  Në Kosovë herët a vonë skena politike do të kthehet në gjendjen e saj natyrale ku vota e qytetarëve do të shpërndahet në mënyrë më të barabartë mes tri partive kryesore politike.

Kjo sërish do ta përballë Kosovën me peshën e madhe të dialogut për çdo koalicion qeverisës. Në Serbi, Vuçiç ka arritur zenitin e fuqisë së tij dhe largimi i tij i ngadaltë nga skena politike do t'i privojë dialogun një aktori legjitim serb të aftë për të mbajtur peshën e dialogut.

Po kështu, dinamika ndërkombëtare pritet të jetë më pak e favorshme për dialog. Kushdo që vjen në Shtëpinë e Bardhë do ta shohë Ballkanin si një prioritet më të ulët se administrata aktuale. Për administratën e Harris, Ballkani do të jetë një çështje e parëndësishme që nuk duhet të heqë vëmendjen nga Kina. Kjo do të përkthehet në menaxhim të vazhdueshëm të krizës në rajonin tonë. Për administratën Trump, Ballkani do të jetë një vend me “vendet e këqia”.

 Ky boshllëk i injorancës së Trump për rajonin do të plotësohet nga figurat e paparashikueshme të rrethit të tij. Ashtu si çdo gjë në administratën Trump, paparashikueshmëria do të jetë emri i lojës. Me stabilizimin eventual të okupimit rus të Ukrainës, BE-ja do ta kthejë sërish vëmendjen nga rajoni ynë.

Kështu, është jashtëzakonisht e vështirë të jesh optimist për të ardhmen e dialogut të paktën deri në fund të vitit 2030. Kjo parashikueshmëri e zymtë mund të përmbyset vetëm nga një zhvillim dramatik, siç është rënia e regjimit në Moskë dhe riorganizimi i shpejtë dhe vendimtar të arkitekturës së sigurisë në Evropë. Në mungesë të një zhvillimi kaq dramatik, ajo që do të shohim deri në vitin 2030 është ajo që kemi parë që nga viti 2021 e deri më sot.

Pasojat e kësaj do të jenë stagnimi ndërkombëtar i Kosovës. Episodet, si dështimi në Këshillin e Evropës dhe bllokimi i rrugës evropiane, do të shndërrohen në një gjendje të përhershme. Dhe e gjithë kjo nuk duhet të lidhet vetëm me çështjen e themelimit të Asociacionit. Me ose pa Asociacionin, kjo gjendje efektive e dialogut nuk do të ndryshojë, pasi faktorët strukturorë mungesa e vëmendjes ndërkombëtare dhe mirëbesimi i palëve negociuese do të mbeten të pandryshuar. Të paktën këtë mësim e kemi nxjerrë deri tani nga Marrëveshja e Prespës.

Kështu, Kosova e gjen veten në një pozicion të ngjashëm me Maqedoninë e Veriut. Prandaj, si në Shkup, mungesa e perspektivës evropiane do të ushqejë agjendat sovraniste. Por ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ne kufizojmë një fqinj jomiqësor. Kjo do të shkaktojë kriza të vazhdueshme të sigurisë dhe politike. Dhe ky fat do të presë çdo kryeministër, pavarësisht dallimeve politike.

 Janë thjesht forca strukturore dhe jopersonale ato që do të vendosin dinamikën përkatëse. Kështu që sot, duke iu afruar fundit të vitit 2024, është koha për të vënë nën kontroll optimizmin tonë. Nga sot është mirë ta shihni gotën gjysmë të mbushur.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë