“Jemi skeptikë për liberalizimin e vizave të Kosovës, kemi frikë nga migrimi që mund të shkaktohet” ky ishte titulli i deklaratës së ambasadorit francez në Kosovë pak para se të merrej vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave. Dhe kjo nuk ishte vetëm një ndjenjë e Francës. Shumë vende të BE-së, në kuadër të diskutimeve të tyre të brendshme, kishin shprehur të njëjtin shqetësim për migrimin e kosovarëve, pas liberalizimit të vizave. Kjo ishte e kuptueshme deri diku. Imazhet e migrimit masiv të viteve 2014-2015, kur numri i azilkërkuesve nga Kosova shënoi një rekord historik, ishin ende të freskëta në mendjet e tyre.
Por liberalizimi i vizave erdhi dhe për fat të mirë, me të nuk erdhi migrimi i kosovarëve në BE. Kjo u konfirmua edhe nga të dhënat e EUROSTAT-it mbi azilkërkuesit për vitin 2024. Edhe pse pati një rritje të konsiderueshme të azilkërkuesve nga Kosova në vitin 2024, kjo rritje ishte e përkohshme dhe brenda parametrave të parashikuar. Gjatë vitit 2024, u regjistruan gjithsej 5,635 kërkesa nga qytetarët e Kosovës për azil në vendet e BE-së. Kjo ishte një rritje prej 144% krahasuar me vitin e kaluar.
Destinacionet kryesore të azilkërkuesve ishin Franca (3,150), Gjermania (1,665) dhe Italia (485). Edhe pse kërkesat për azil nga Kosova u rritën me 144% në vitin e parë të liberalizimit të vizave, kjo rritje është në fakt mjaft e ulët në krahasim me rritjen e numrit të azilkërkuesve nga vendet e tjera të rajonit në vitin e tyre të parë të liberalizimit të vizave. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, numri i azilkërkuesve u rrit me 895%, në rastin e Serbisë me 356% dhe në rastin e Shqipërisë me 166%. Vetëm Mali i Zi dhe Bosnja arritën ta mbanin rritjen e numrit të azilkërkuesve nën 100%. Një lajm tjetër i mirë është se të dhënat e para të EUROSTAT për vitin 2025 janë mjaft inkurajuese dhe konfirmojnë rënien e ndjeshme të numrit të azilkërkuesve nga Kosova.
Kështu, historia e liberalizimit të vizave pati një fund të lumtur. Qytetarët e Kosovës më në fund iu bashkuan hapësirës së lirë evropiane, ndërsa institucionet e Kosovës dëshmuan se janë të afta të menaxhojnë në mënyrë efektive përgjegjësitë që rrjedhin nga procesi i integrimit. Megjithatë, ky fund i lumtur i liberalizimit të vizave erdhi me një kosto të madhe. Kosova e fitoi këtë të drejtë pesëmbëdhjetë vjet pas vendeve të rajonit. Sot jemi përsëri në një situatë të ngjashme. Kosova po pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE një status që Mali i Zi e mori pesëmbëdhjetë vjet më parë, ndërsa Shqipëria dhjetë vjet më parë. Kosova sot mbetet i vetmi vend në rajon pa statusin e vendit kandidat.
Që nga fillimi i procesit të liberalizimit të vizave, Kosova u paragjykua. Kur Kosova pranoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, na u dhanë dyfish kritere që duhej të përmbusheshin. Paragjykimi ishte se situata në Kosovë ishte më e vështirë dhe për këtë arsye duhej të ishim më kërkues në përmbushjen e kritereve. Por Kosova i përmbushi të gjitha kriteret. Kur ky proces përfundoi, ne u paragjykuam se do të kishte një migrim masiv të qytetarëve dhe abuzim të së drejtës së lëvizjes. Asnjëra nga këto gjëra nuk ndodhi.
Sot, Kosova i kërkon BE-së të mos paragjykohet, por të gjykohet. Bazuar në çdo kriter objektiv, Kosova i plotëson kriteret për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi mendjehapur për detyrimet që na dalin përpara. Tani është çimentuar se rruga jonë e integrimit është e lidhur me avancimin e dialogut. Dhe në këtë drejtim, ne duhet të jemi të përgatitur të marrim vendime të vështira brenda kornizës së dialogut. Kjo është detyra e udhëheqësve tanë. Edhe pse këto nuk do të jenë vendime të lehta, është detyrë e udhëheqësve të kuptojnë rëndësinë e tyre. Sipas fjalëve të Kissinger: "Është detyra e udhëheqësve të hapin horizonte të reja, të cilat popujt e tyre nuk i kanë imagjinuar kurrë."/Koha
Komente







