Gjatë fushatës zgjedhore Donald Trumpi premtonte se do ta përfundonte luftën në mes të Rusisë dhe Ukrainës brenda 24 orësh apo një dite. Që nga marrja e detyrës së presidentit të SHBA-së kanë kaluar 65 ditë dhe administrata e Trumpit e ka jashtëzakonisht të vështirë që t’i bindë palët të arrijnë një armëpushim të pjesshëm e lëre më ta ndalë luftën në tërësi.
Shembujt e kësaj vështirësie ishin zhvillimet e këtyre ditëve. Pasi më 18 mars bisedoi me Putinin, Trumpi e njoftoi botën se me sukses e ka bindur Rusinë që t’i ndalojë sulmet mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Që nga ajo kohë Putini ka sulmuar tetë herë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, sipas Zyrës së presidentit Zelenskyy. Së fundi këtë javë, ndonëse administrata e Trumpit e festoi arritjen e marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi, Rusia menjëherë bëri të qartë se armëpushimi është pa vlerë nëse nuk tërhiqen sanksionet financiare ndaj bankave shtetërore ruse – gjë që nuk ka gjasa të ndodhë.
Kësisoj administrata Trump shumë shpejt kuptoi – sikurse administratat paraprake amerikane – se sa i vështirë është negocimi me Rusinë e Putinit. Sfidat e administratës Trump në arritjen e progresit për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë janë të kuptueshme. Mosmarrëveshjet ndërmjet Amerikës dhe Rusisë nuk janë çështje lehtë të zgjidhshme. Kjo është arsyeja përse marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe Rusisë – me gjithë ndryshimin e administratave – nuk kanë qenë asnjëherë të afërta.

Ato nuk janë çështje keqkuptimi apo keqkomunikimi që mund të zgjidhen me procese dialogu dhe negocimi apo me përkushtimin dhe vullnetin e disa individëve. Vlerat dhe interesat themelore të të dy palëve janë thellësisht të kundërta. Për Rusinë, gjëja më e shtrenjtë është fuqia e shtetit. Për Amerikën, është liria e individit. Nga pikënisjet kaq të largëta është e pamundur të arrihet në çfarëdo marrëdhënie normaliteti ndërmjet palëve.
Dhe përderisa vendet e tjera kanë gjetur një mënyrë që të bashkëjetojnë me botën perëndimore, e cila udhëhiqet nga SHBA-ja, Rusia nuk e ka arritur një gjë të tillë. Ajo nuk e ka arritur një gjë të tillë për shkak të tre faktorëve të brendshëm, të cilët e kanë karakterizuar historikisht politikën e jashtme ruse.
E para është një ndjenjë joracionale, por thellë e ingranuar në shoqërinë ruse se ajo e ka një mision special në botë – hyjnor po deshët. Populli rus dhe në veçanti elita ruse ka pasur gjithmonë një besim të të jetuarit në një vend, të cilin Zoti e ka bekuar me një mision të veçantë. Kjo ide ruse buron nga trashëgimia e pretenduar ruse e Bizantit, dhe me kalimin e kohës ka marrë forma të ndryshme sikur “Roma e tretë”, mbretëria pansllave, Lufta e Madhe Patriotike, Revolucioni Komunist dhe sot “mbrojtëse e krishterimit” dhe “vlerave tradicionale”. Kjo ndjenjë e misionit special në botë ka ushqyer çdoherë një ndjenjë krenarie dhe superioriteti tek populli rus.
E nga ana tjetër, mosnjohja e pjesës tjetër të botës dhe në veçanti Perëndimit, të këtij misioni special rus në botë e ka ushqyer një ndjenjë animoziteti tek populli rus, i cili është ndier gjithmonë sikur Perëndimi nuk e respekton dhe nuk e vlerëson mjaftueshëm unikalitetin dhe rëndësinë e civilizimit rus. Kjo veti e unikalitetit tek populli rus nuk është ndonjë veçanti ekskluzive vetëm për shoqërinë ruse. Çdo perandori dikur ka pasur një ndjenjë të tillë – Kina, Amerika, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia. Por çështja është se të gjitha këto dikur kanë arritur paqe me realitetin se nuk ka asgjë speciale me misionin e tyre në këtë botë dhe rrjedhimisht kanë filluar të gjejnë vendin e vet në botë. Rusia asnjëherë nuk ka kaluar nëpër këtë proces.
Prandaj edhe sot ekziston një hendek ndërmjet aspiratave të saja speciale në botë dhe kapacitetit të saj për t’i realizuar këto aspirata. Ky hendek në vazhdimësi e fut Rusinë në telashe me Perëndimin. Thënë ndryshe, refuzimi i Rusisë për t’u pajtuar me realitetin se asnjëherë nuk do të jetë civilizim superior dhe special i kësaj bote nuk lejon të krijojë marrëdhënie normale me Perëndimin dhe rrjedhimisht as me Amerikën.
Faktori i dytë, i cili në vazhdimësi ka ndikuar në formësimin e politikës së jashtme ruse është gjeografia. Rusia nuk ka pothuajse asnjë kufi të rëndësishëm natyror për të mbrojtur veten. E rrethuar nga armiqtë në Evropë, në Azi dhe në Lindjen e Mesme, Rusia çdoherë ka mirëmbajtur një politikë agresive mbrojtëse për të parandaluar sulmet e ushtrive të huaja, të cilat shihnin rrafshinat ruse si ftesë e hapur për pushtim.
Rrjedhimisht, shpesh strategjia më e mirë mbrojtëse ruse ka qenë sulmi. Kjo është edhe arsyeja përse, ndonëse ndërmjet Katerinës II dhe Putinit janë 300 vjet, ata të dy e kanë përcjellë po të njëjtën strategji. Katerina II thoshte se “e vetmja mënyrë se si mund të mbrojë kufijtë rusë është që t’i zgjerojë edhe më tutje”, ndërsa sot Putini thotë se “kufijtë e Rusisë nuk kanë fund”. Kjo është arsyeja përse preokupimi fanatik i Rusisë me gjeografinë dhe frika e saj nga sulmet nuk i kanë lejuar asnjëherë të ndërtojë raporte kuptimplota me Perëndimin.
Faktori i tretë, i cili ka ndikuar në formësimin e politikës së jashtme ruse është insistimi në ekzistimin e shtetit të fortë rus. Rusia okupon 10 për qind të tokës së planetit tonë dhe brenda saj jetojnë 190 grupe të ndryshme etnike, në 11 zona kohore. Shtoja kësaj faktin se Rusia historikisht ka qenë e rrethuar nga një mjedis armiqësor dhe ne ngadalë fillojmë të kuptojmë përse elitat ruse çdoherë kanë besuar se e vetmja mënyrë e mbijetesës së shoqërisë ruse është ekzistenca e një shteti të fortë, i cili do të jetë i aftë që t’u bëjë ballë sulmeve dhe rreziqeve që i kanosen Rusisë. Ngritja e një sistemi të tillë politik, i cili në themelet e tij kishte ruajtjen e shtetit të fortë, madje edhe me kosto të jetës së vetë qytetarëve rusë, e ka vendosur strukturalisht Rusinë në kurs kolizioni me sistemin politik të Perëndimit, ku në vend të shtetit të fortë liria individuale ishte vlerë më sublime.
Arsyeja përse vendosa ta ktheja vëmendjen tek faktorët strukturorë që e formësojnë politikën e jashtme ruse është për t’i vendosur në një sfond pak më realist përpjekjet e fundit të administratës Trump për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Ndonëse fisnike në qëllim, përpjekjet e tyre do ta kenë po të njëjtin epilog sikurse ato të paraardhëseve të tij.
Historia na ka mësuar se Perëndimi nuk ka çfarë të bëjë për t’i adresuar faktorët strukturorë, të cilët e parandalojnë shtetin rus që të krijojë raportet normale me Perëndimin. Ato mund t’i adresojë vetëm vetë populli rus. Koha do të vijë kur populli rus do ta kuptojë që nuk e ka asnjë mision hyjnor në këtë botë, që gjeografia nuk është armiku i saj dhe se jeta e individit është themel mbi ngritjen e një shteti modern. Vetëm atëherë Rusia do të jetë në paqe./Koha
S.B/Shqiptarja.comKomente


Ky artikull ka vlerat e tij ,por mendoj se në një shtet postkomunist siç është Rusia ish sovjetike ,populli dhe njeriu nuk ka asnjë vlerë ,atje ka vlerë vetëm individi dhe kulti i tij dhe në rastin konkret kur individi ,Putin është me probleme të thella të personalitetit ,për të pushtuar ,vrarë e shkatërruar dhe bota perëndimore ,wë ka fuqinë ta ndalojë menjëherë ,nuk e bën ,është një krim dhe turp për perëndimin dhe ca matrapazë udhëheqës perndimorë ,që duan të pasurohen nëpërmjet luftës .Populli rus dhe vet administrata që rrethon Putinin nuk e do absolutisht luftën ,bile edhe vet Sergei Lavrov gjithashtu .Sikur Putin të ndryshojë mëndje ,menjëherë edhe Lavrovi dhe administrata ruse do të ndryshojë sipas mëndjes së Putinit.Ky është komunizmi dhe pasojat e tij ,shumë më i keq se fashizmi.Perëndimi vë saksione duke menduar se po detyron Putin të heq dorë ,këto janë prralla për të kënaqur veten perlndimi .Saksionet i vuan populli rus për të cilin në shtetin komunist nuk pyet ndonjëherë .Fatkeqsisht perëndimi nuk e ka kuptuar kurrë këtë gjë .Lufta dhe jeta e Putinit do të vsazhdojë aq sa të vazhdojë sëmundja e Putinit dhe budallallëku i perëndimit !
PërgjigjuMesa duket realitetin rus e njeh nga gazetat ti!!!
PërgjigjuNa e thuaj njehere ti qe pretendon dicka me shume.. Si thua ?