Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në vitin e tij të pestë. Tanimë ai ka zgjatur më shumë sesa lufta civile amerikane, Lufta e Parë Botërore dhe lufta e dy Koreve. Ndonëse shumëkush ka pritur fitore të shpejtë të Rusisë, sot në vitin e pestë të agresionit, Rusia ende nuk po arrin që të përmbushë asnjërin nga qëllimet e vendosura të saj.
Kur para katër vjetësh tanket ruse shkelën kufirin ukrainas, ata ia kishin vendosur vetes realizimin e katër qëllimeve strategjike. Qëllimi i parë ishte territorial. Vendosjen nën kontroll të Ukrainës si tërësi dhe aneksimin e territoreve ukrainase në veçanti. Putini e formuloi këtë objektiv me përkufizimin e tokave ukrainase si “Novorossiya” apo “Rusia e Re”. Ky term kolonial përfshinte gjithë pjesën lindore dhe atë jugore të Ukrainës, respektivisht vendet sikur Donetsku, Kharkivi, Khersoni, Luhansku, Mykolaivi, Odessa dhe Zaporizhzhia. Synimi ishte që të krijohet urë tokësore me Gadishullin e Krimesë dhe me enklavën pro-ruse moldave të Transnistrisë. Kjo do të privonte Ukrainën nga qasja në Detin Azov dhe në Detin e Zi.
Deri më sot, Rusia nuk ka arritur t’i realizojë këto qëllime. Ndonëse sot Rusia kontrollon 20 për qind të territorit ukrainas, pjesa dërrmuese e këtij territori është kapur në fazën fillestare të konfliktit. Që nga ajo kohë, Rusia ka dështuar të bëjë progres gjatë gjithë linjës së luftimeve. Siç e ka kapur bukur presidenti Stubb i Finlandës, “pas katër vjetësh luftë, forcat ruse kanë arritur vetëm përfitime të vogla territoriale - duke përparuar vetëm 60 kilometra dhe duke kontrolluar më pak se 1 për qind të territorit shtesë ukrainas gjatë 1,000 ditëve të fundit”. Dhe e gjithë kjo, përcjellë me humbje të 1000 ushtarëve rusë në ditë. Thënë ndryshe, Ukraina për Rusinë e sotme është shndërruar në Afganistanin e Bashkimit Sovjetik – shembull i miopisë strategjike dhe i paaftësisë ushtarake.
Qëllimi i dytë ishte ai që Rusia e quajti “denazifikim” – e që nënkuptonte ndryshim regjimi. Kremlini donte ta rrëzonte qeverinë e zgjedhur të presidentit Zelensky dhe ta zëvendësonte atë me një qeveri kukull që Moska do të kontrollonte. Kjo është edhe arsyeja përse Kievi ishte shënjestër kyç e pushtimit në stadin e parë të agresionit. “Denazifikimi” nënkuptonte gjithashtu deukrainizim, thënë ndryshe spastrimin e shoqërisë nga historia, kultura dhe gjuha ukrainase. Putini i konsideron secilën prej këtyre si konstruksione artificiale të imponuara nga të huajt. Deri më sot, Rusia nuk ka arritur t’i realizojë këto qëllime.
Presidenti Zelensky mbeti në pushtet me përkrahje të paprecedent historike dhe u bë simbol i rezistencës ukrainase. Në vend që të zëvendësohet nga një kukull ruse, qeveria ukrainase është më e integruar me Perëndimin sesa në çdo moment në histori. Pushtimi rus i Ukrainës e fuqizoi identitetin nacional ukrainas. Edhe ato pak simpati që ukrainasit i kanë pasur për Rusinë janë zhdukur kur lufta e zbuloi shkallën e krimeve ruse ndaj popullatës ukrainase, sikur ajo në Bucha. Rezistenca e ashpër e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe mobilizimi i gjithë shoqërisë vërtetuan se shteti ukrainas është një entitet i fuqishëm dhe funksional me mbështetje të thellë popullore.
Qëllimi i tretë ishte demilitarizimi. Kjo nënkuptonte që ushtria ukrainase të bëhej aq e vogël sa do të ishte pothuajse inekzistente, duke përfshirë edhe vendosjen e kufizimeve në numrin dhe llojin e armëve që Ukraina mund të kishte në dispozicion. Demilitarizimi nënkuptonte gjithashtu ndalimin e Kievit nga prodhimi i shumicës së llojeve të armëve, si dhe nga importimi i armëve të rëndësishme perëndimore.
Ky ndalim i fundit lidhej me qëllimin përfundimtar të Moskës: neutralitetin. Rusia donte ta ndalonte Ukrainën që të bashkohet me NATO-n ose të ndiqte integrimin politik dhe ekonomik me Bashkimin Evropian.
Në të dy këto qëllime të fundit Rusia dështoi. Në vend që ta bënte ushtrinë ukrainase “inekzistente”, pushtimi i Rusisë e transformoi atë në një nga ushtritë më të fuqishme dhe të sofistikuara në Evropë.
Përpara vitit 2022, Ukraina mbështetej kryesisht në pajisjet e vjetra të epokës sovjetike. Sot, Ukraina ka në dispozicion një arsenal masiv të teknologjisë së përparuar perëndimore, duke përfshirë tanket Leopard dhe Abrams, sistemet raketore Patriot, HIMARS dhe avionët luftarakë F-16. Larg nga ndalimi për të prodhuar armë, Ukraina ka ndërtuar një industri të jashtëzakonshme ushtarake. Ukraina është sot lider global në teknologjinë e droneve me rreze të gjatë veprimi dhe të droneve detarë. Sot, ushtria ukrainase është dukshëm më e madhe, më e stërvitur dhe më e testuar në beteja sesa pothuajse çdo ushtri e NATO-s. Ajo ka avancuar nga një forcë rajonale në një ushtri moderne që është gjithnjë e më e integruar me arkitekturën perëndimore të sigurisë.
Nga ana tjetër, as Ukraina nuk ka arritur ta mposhtë dhe ta zmbrapsë Rusinë përfundimisht. Kësisoj, është e pamundur të parashikohet kur do të përfundojë konflikti. Sidoqoftë një gjë tanimë e dimë. E vetmja mënyrë që konflikti të përfundojë në një mënyrë të qëndrueshme është që Rusia të kuptojë se asnjëherë nuk do të arrijë t’i realizojë qëllimet e veta politike përmes mjeteve ushtarake.
Dhe kjo në vetvete kërkon mbështetje të pakushtëzuar për Ukrainën deri në kolapsin përfundimtar të Rusisë. Në këtë përvjetorin e radhës të pushtimit, Ukraina ka dëshmuar se mund t’i rezistojë Rusisë. Pyetja që ngelet është se a do t’i rezistojë edhe Perëndimi./Koha
Komente





