Do të duhet të mësohemi me këtë. Janë kohë të vështira për propagandën ruse, të paktën në vendin e vet. Rusët po shohin gjithnjë e më pak talk-show me një drejtim të vetëm dhe po zgjedhin gjithnjë e më shpesh programe argëtimi. Sipas analizës së kompanisë së sondazheve Mediascope, e cila bazohet në indekset e audiencës së televizionit rus për vitin 2025, rreth gjysma e programeve që ne në Perëndim i quajmë propagandë nuk bëjnë më pjesë në njëqind transmetimet më të ndjekura të vendit.
Le të marrim si shembull Vladimir Soloviev. Emisioni i tij i përditshëm me të ftuar të ndryshëm transmetohet në kanalin Rossija pesë ditë në javë, por tashmë vetëm episodet e së dielës hyjnë në gjysmën e dytë të top 100. Në vitin 2025, ai është shfaqur mes njëzet programeve më të ndjekura të ditës vetëm shtatë herë.
Numri i shikuesve të tij ka rënë nga 2% share në fillim të vitit 2025 në 1,6% sot, dhe bëhet fjalë për një audiencë potenciale prej 120 milionë përdoruesish. Në vitin 2022, kur filloi lufta në Ukrainë, shifrat e tij ishin krejt të ndryshme, dyfish më të larta se sot.
Nuk është thjesht çështje audience. Është një problem politik. Kërcënimet për bombardimin e Parisit, Romës dhe Berlinit apo për “bërthamëzimin” e të gjithë Evropës, tashmë pothuajse askush nuk i beson më. Soloviev ka një llogari të hapur me Italinë për shkak të vilave të tij të sekuestruara me të drejtë. Por sulmi ndaj Giorgia Melonit vjen në një nga momentet e tij më të ulëta të popullaritetit, dhe ashpërsimi i toneve nuk ka prekur vetëm kryeministren tonë, por edhe Emmanuel Macron, i cili dy mbrëmje para fyerjeve ndaj institucioneve tona ishte objekt i aludimeve të rënda për prirjet e tij seksuale. Kur njeh vetëm një këngë, për të tërhequr vëmendjen nuk të mbetet veçse të rrisësh volumin.
Nuk është rastësi që i vetmi propagandist që ende ka audiencë të konsiderueshme është Dmitrij Kiselev me emisionin e së dielës “Vesti nedeli”. Arsyeja e suksesit të tij, edhe pse ka pësuar një rënie nga 5,4% në janar 2025 në 4,8% në janar 2026, lidhet me profilin e tij. Mik i besuar i presidentit Vladimir Putin dhe ish-oligark, ai nuk konsiderohet thjesht si një megafon i presidentit, por si zëri i tij pak a shumë zyrtar, edhe pse shpesh i ashpër.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye, për një humbje gjithnjë e më të madhe të rëndësisë në vendin e vet, fjalët e Solovievit dhe përgjigjja e Giorgia Melonit nuk kanë gjetur shumë hapësirë. Nuk ka pasur komente nga institucionet. Vetëm një reagim i shkurtër nga Maria Zakharova, e cila me njëfarë distance i ka cilësuar si “opinione personale” fjalët e prezantuesit televiziv.
Edhe “Moskovskij Komsomolets”, një gazetë referimi për krahun e ashpër pro-luftës, ka treguar një kujdes të pazakontë. “Soloviev, i njohur për deklaratat e tij provokuese, ka shkaktuar një reagim të fortë nga autoritetet italiane”. Por në fund të fundit, funksioni kryesor i Solovievit ka qenë gjithmonë të bëjë që punëdhënësi i tij të duket si një i moderuar i sinqertë.
Sa për ne, përjashtimi i veçantë për shkak të dashurisë ndaj vendit tonë ka rënë prej kohësh. Kufiri u thye në nëntor 2024 nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, kur tha se Italia ishte një “armik”. Në këtë lojë të vazhdueshme mes propagandës agresive dhe imazhit të një babai të arsyeshëm, disa javë më vonë Putin shprehu sërish simpati për Italinë: “Pavarësisht gjithçkaje”, tha gjatë konferencës së fundvitit, “ndiejmë se në shoqërinë italiane ka njëfarë simpatie për Rusinë, ashtu siç edhe ne kemi njëfarë simpatie për Italinë”.
Por ndërkohë Lavrov vazhdon sulmet. Në korrik 2025, emri i presidentit të Republikës Sergio Mattarella përfshihet në një seksion të faqes së ministrisë së tij me titull “Shembuj të përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj Rusisë”. Në tetor, po kjo ministri akuzon Italinë, Gjermaninë dhe Japoninë për “justifikim të fashizmit”; në nëntor, zëdhënësja Zakharova shpreson për “shembjen e të gjithë Italisë” nëse do të vazhdojë të financojë Ukrainën. Dhe më 20 janar të këtij viti, vetë Lavrov deklaron se “marrëdhëniet me Italinë janë në pikën më të ulët”.
Nëse një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kreut të shtetit përcakton linjën, është e qartë se turma e propagandistëve ndjen detyrimin të krijojë një kor që në të ardhmen do të përsëritet më shpesh. Vetëm se “zëdhënësit” e Putinit po bëhen gjithnjë e më pak profetë në vendin e tyre. Shumë rusë kanë nisur të mos i marrin më seriozisht, t’i përqeshin dhe të kërkojnë burime informacioni të ndryshme nga televizioni. Kryqëzata e re e shërbimeve sekrete dhe e qeverisë kundër asaj pak shtypi të lirë që ka mbetur në Rusi dhe kundër VPN-ve që lejojnë aksesin në faqet e pavarura dhe të huaja shpjegohet edhe në këtë mënyrë. Kështu ndodhi edhe në kohën e Brezhnjevit të fundit. Pastaj e dimë se si përfundoi./ Corriere della Serra
Komente











