Denar Biba: Por renditja në lista mund të ndryshojë

Luis Tanushi

-Kandidatë për deputetët të cilët janë vendosur nga kryetarët e partive në pozicione jo shumë të sigurta, duket se e kanë sërish edhe një shans. Edhe pse afati përfundimtar ligjor ka qenë 6 maji për dorëzimin e dokumentacionit të plotë, jo të gjitha partitë politike duket se kanë depozituar të saktë dosjen. Një nga rastet e dyshuara është ajo për PD-në ku kandidatët janë parë me formularë në duar për t’i plotësuar këto ditë, ndërkohë që nga KQZ-ja ende nuk vihen në dispozicion dosjet e partive kryesore. Në rast të mosplotësimit të dokumentacionit të saktë, renditja e kandidatëve mund të ndryshojë. Një fakt i tillë mbështetet edhe nga ish-nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në një intervistë për “Shekullin”. Sipas tij, periudha 10- ditore nga dorëzimi prej subjekteve politike i listave dhe dokumentacionit shoqërues përkatës në KQZ, deri në momentin që lista konsiderohet përfundimtare, lejon mundësi për subjektet që të ndryshojnë edhe renditjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet për Kuvend.


A është detyrim ligjor që formulari individual i kandidatëve të dorëzohet brenda datës, apo mund të plotësohen?  

Kodi Zgjedhor, në nenin 67, pikat 1 e 2, parashikon se partia politike, si kur është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor më vete, apo edhe si pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve, që në rastin e zgjedhjeve aktuale të datës 23 Qershor 2013 i korrespondoi datës 4 Maj. Për arsye se kjo datë ra ditë e shtunë, në bazë të parimeve të mirënjohura të së drejtës, afati u shty për ditën e hënë, 6 maj. Nga media kemi mësuar se përfaqësuesit e partive politike përkatëse e respektuan të paktën në dukje këtë detyrim ligjor. Theksoj shprehjen në dukje, pasi është KQZ që, përmes administratës së tij do të bëjë verifikimin e rregullsisë së këtyre listave. Neni 72 i Kodit Zgjedhor liston edhe dokumentet që duhet të bashkëshoqërojnë listën përkatëse të partisë politike. Duke lënë mënjanë rastet e kandidatëve të pavarur, lista e partisë politike duhet të pasohet edhe nga kopje të dokumentit të identifikimit të kandidatit (për secilin prej tyre), deklarimin e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, dhe, sipas rastit, edhe deklarimi i dorëheqjes nga funksionet shtetërore e publike të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes të depozituar pranë institucionit përkatës.

KQZ-ja, brenda 5 ditëve kalendarike verifikon rregullsinë e dokumentacionit të kandidimit dhe, nëse vëren parregullsi apo mospërmbushje të kërkesave të këtij Kodi, ia kthen ato subjekteve zgjedhore për korrigjim. Subjektet politike kanë 3 ditë afat për të depozituar dokumentacionin e korrigjuar. Vendimi për miratimin ose refuzimin e dokumentacionit përfundimtar merret brenda nga KQZ 48 orëve nga depozitimi i tyre. U zgjata pak me përshkrimin e rregullimeve ligjore përkatëse për hir të interesit dhe ndjeshmërisë që ka çështja. Pas kësaj pasqyre legjislative, gjykoj se edhe për lexuesin është e qartë përgjigja e pyetjes suaj.

Kodi i përdor si termin “vëren parregullsi” ashtu edhe atë “vëren mospërmbushje të kërkesave”. Personalisht gjykoj se kjo le hapësirë si për deklarime të hartuara me gabime, ashtu edhe për ndonjë rast kur ai mungon krejtësisht. Afatet që parashikon Kodi janë me karakter tregues, nxitës. Prandaj edhe lihet një hapësirë kohore prej 10 ditësh, me qëllim që në afatin 40 ditë përpara ditës së zgjedhjeve listat dhe dokumentacioni i kandidimit të jenë të sakta dhe të konsiderohen përfundimtare.

(Marre nga Shekulli online)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)