TIRANË- Shefi i sektorit, Kushtrim Selimi dhe Regina Omeri janë përjashtuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas zbulimit të skandalit se denigronin figurën e drejtuesve të policisë përmes portalit Shqipnews.info. Vendimi për përjashtimin e tyre është marrë ditën e djeshme, 30 maj, sapo ka mbërritur njoftimi i Policisë së Tiranës për arrestimin e tyre për mashtrim kompjuterik.

Ndërkohë, burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se pesë persona të tjerë nga radhët e Policisë së Shtetit kanë bërë kallëzim pranë krimit kibernetik ndaj zyrtarëve të AMP dhe gazetarit Ervis Hasanaga në lidhje me shkrimet e publikuara në portalin që menaxhohej prej tyre, pas publikimit të lajmit një ditë më parë.

Kallëzim penal ndaj Selimit kanë bërë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Policisë Kriminale Neritan Nallbati dhe Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi dhe 2 të tjerë. Kallëzimet nga Rrumbullaku, Nallbati dhe Jaupi ndaj Selimit janë bërë lidhur me denigrimin dhe lajmet e publikuara që Kushtrim Selimi bashkë me vëllain e tij në SHISH bënin ndaj drejtuesve të institucioneve të Policisë së Shtetit.

Policia vijon kërkimet për Kushtrim Selimin ende në arrati, ndërsa zyrtarja tjetër e AMP-së Regina Omeri është arrestuar. Po ashtu në pranga ka rënë edhe gazetari Ervis Hasanaga, i cili publikonte lajmet e rreme të porositura nga Selimi për të denigruar figurën e drejtuesve të Policisë, ndërsa kërkonte të bëhej drejtor. 

Skandali thellohet edhe më tej, pasi në skemën e shantazhit del i përfshirë edhe Kreshnik Selimi vëllai i shefit të sektorit pranë AMP, i cili është shef kundër narkotikëve në Shërbimin Informativ Shtetëror. Ky i fundit duke përfituar nga aksesi në informacion për shkak të detyrës, ia dërgonte këto informacione dhe i vëllai i publikonte.

Gazetari ka deklaruar se merrte një pagesë 600 euro dhe dëshmia e tij përputhet edhe me atë të Regina Omerit. Kjo e fundit ka cila ka dëshmuar se lajmet ia niste Kushtrim Selimit dhe më pas ajo ia niste gazetarit.