Dritan Mehmeti, ish-trajner i Dinamos, ka fituar në CAS çështjen për shkarkimin nga ish-klubi i cili tani i detyrohet rreth 44 mijë euro.

Memhmeti pretendon se është shkarkuar në mënyrë të njëanshme dhe jo korrekte nga klubi pas dy javëve të para në sezonin 2024-2025, ku vendin e tij e zuri Ilir Daja, i cili vijon ende të drejtojë klubin. Për këtë arsye Mehmeti iu drejtua Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF ku iu dha të drejtë, pasi detyroi Dinamon ta paguante me 12 mijë euro.

Megjithatë Mehmeti nuk e la me kaq, por e dërgoi çështjen në CAS. Kjo e fundit e ka dënuar Dinamon për ndërprerjen e kontratës me 39 mijë euro plus 10% për shkak të vonesave. Kjo shumë duhet të paguhet në harkun kohor të 2 javëve pasi Dinamo rrezikon të tjera dënime. Për Report TV Mehmeti tha se e ndoqi çështjen deri në fund për çështje vlerësimi të punës së tij dhe jo parash.