Kuvendi i Kosovës shqyrton sot Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pak para nisjes së seancës plenare, projektligji mori mbështetjen unanime të anëtarëve të pranishëm në Komision: 9 deputetë votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Ndërkohë, dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Parlamentit në shenjë proteste. Ata u kanë bërë thirrje deputetëve të votojnë ndryshimet e propozuara dhe kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para godinës deri në përfundimin e procesit parlamentar.
Nisma për ndryshimin e ligjit u dorëzua nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së. Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë, janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe trajtojnë pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Projektligji kërkon ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.
Ai parashikon gjithashtu mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, vuajtjen e dënimeve në Kosovë, si dhe mundësinë që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes nga Presidenti i Republikës.
Shqyrtimi i projektligjit zhvillohet në një moment kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për këtë çështje.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë për zgjidhjen e ngërçit politik, por kërkesa kryesore e partisë së tij mbetet miratimi përfundimtar i ndryshimeve në ligjin për Specialen. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Çfarë janë Dhomat e Specializuara?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale, u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar. Ato kanë mandat të hetojnë dhe gjykojnë pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Lajm ne perditesim...
Propozuesi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Përparim Gruda, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, paraqiti përmbledhjen e Projektligjit, duke thënë se për publikun në Kosovë është e njohur historia e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Për gjithë opinionin publik të Kosovës është e njohur historia e Gjykatës Speciale në Hagë. Ajo u themelua mbi pretendimet e raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të paraqitur nga Dick Marty, që në thelb kishte akuza për trafikim të organeve nga UÇK-ja. Procesi gjashtëvjeçar i gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, akuzat dhe vendimet e shkallës së parë, nuk e kanë vërtetuar... se kishte trafikim të organeve. Ky ligj nuk ia heq të drejtën Gjykatës Speciale për të vazhduar hetimin e akuzës për trafikim të organeve, por ky ligj bën vetëm një gjë, e heq një pjesë të juridiksionit të Gjykatës Speciale, atë që ka të bëjë me krimet e luftës”, tha ai.
Sipas tij, Gjykata Speciale do të vazhdojë të ekzistojë për qëllimet për të cilat është themeluar, përfshirë hetimin e pretendimeve për trafikim të organeve.
Me thirrjen “Votojeni ligjin” qytetarët po protestojnë para Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa kanë brohoritur njëzëri edhe UÇK, qytetarët mbajnë në duar edhe pankarta 'Jo në emrin tim' dhe 'Liria ka emër'
Protesta është thirrur nga Organizatat e dala nga lufta dhe platforma “Jo në emrin tim”.
Në Komisionin për Legjislacion mëngjesin e sotëm është votuar në parim projektligji për ndryshim të Ligjit për Specialen.

Dhjetëra protestues janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të votojnë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Disa prej protestuesve kanë kaluar edhe natën para Kuvendit, në shenjë pakënaqësie dhe për të bërë presion që kërkesa e tyre të merret parasysh nga deputetët.
Protestuesit kanë bërë thirrje që deputetët të votojnë ndryshimet e propozuara në ligj, ndërsa kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para Kuvendit deri në përfundimin e procesit parlamentar.
Ata shprehen se ndryshimi i ligjit është i nevojshëm dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin nismën./ KosovaPress

Komisioni për Legjislacion e ka miratuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Nëntë deputetë të pranishëm votuan në favor, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Projektligji pritet të kalojë tani në seancën e Kuvendit, e cila është caktuar të nisë në orën 09:00.
“E kemi gjetur një zgjidhje që të mos prekim as Kushtetutën, as detyrimet tona ndërkombëtare, krejt çfarë kemi bërë është që përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara që është një ligj i zakonshëm, në i marrim një pjesë të juridiksionit Gjykatës Speciale, ajo është pjesa e krimeve të luftës e cila nuk ka qenë kurrë qellim për Gjykatën Speciale”, tha deputeti i PDK Përparim Gruda.
Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli tha se deputetët e LVV-së do të votojnë pro këtyre ndryshimeve.
“Jemi në një situatë që ne si komision të gjithë njëzëri do ta miratojmë ndryshimin e ligjit. Ne në këtë rend hierarkik kushtetues duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në emër të deputetëve të LVV-së do ta japim votën pro. Do të ndihmojmë të kalojmë këtë situatë sepse lufta e drejtë e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë tonë. Katër krerët e UÇK-së duhet të prezumohen të pafajshëm sepse janë të pafajshëm. Vota jonë do të jetë pro ndryshimeve”, tha ai.










Komente
Komento