PS dhe PD ulën përkohësisht armët. Dënimi me 81 vite burg i katër liderëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit i ka bashkuar ata në zhgënjimin ndaj gjykatës së Hagës.

Ndaj, në të parën seancë, një ditë pas vendimit, deputetët miratuan unanimisht me një deklaratë të përbashkët tw Kuvendit, të hartuar nga Igli Hasani dhe Albana Vokshi, që e vuri theksin te lufta e drejtë e UÇK-së dhe pafajësia e udhëheqësve të saj.

"Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së", tha Niko Peleshi.

Kreu i parlamentit thotë se Kuvendi do të angazhohet në denoncimin e gjenocidit serb në çdo institucion ndërkombëtar.

"Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat", tha Peleshi.

Thirrja shkoi edhe në drejtim të dy qeverive në Tiranë e Prishtinë:

"Të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale", vijoi Peleshi. 

Pavarësisht duartrokitjeve, në sallë pati mungesa të rëndësishme.   As kryeministri Edi Rama nuk erdhi dhe as Sali Berisha nuk qëndroi. Ai u largua menjëherë pasi kishte artikuluar akuzat se kryeministri shqiptar është pjesë e fajit të veprimeve që çuan drejt dënimit të 4 liderëve të UÇK-së.

“I futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiç. Shkoi kreu porositë  e Vuçiç, e dëgjove o kryetar të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë.”, tha Berisha.

"Në anën e kundërt të historisë, në ka një person që, të paktën ndaj Hashim Thaçit, ka qenë më agresiv, më i dëmshëm, është Sali Berisha, sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike se Thaçi duhet të shkojë në Hagë, ku duhet të pastrohet. I vetmi në këtë sallë që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e këtij raporti, rusin Konstantin Kosachev, ai quhet Sali Berisha. Nuk ka një të dytë që ta ketë takuar", iu përgjigj Balla. 

Më herët, në nisje të seancës plenare, PD tha se nuk mjafton vetëm deklarata e përbashkët. Për të detyra e Kuvendit është të dënojë zyrtarisht përmes një rezolute gjenocidin serb mbi Kosovën, në përmbajtje të së cilës duhet të jetë kërkesa ndaj shtetit të Serbisë të njohë Kosovën.

Deklarata e plotë e Kuvendit kundër dënimit të Hagës

Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.

Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.

Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.
Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.

E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:

Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.

Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:00
‘Kuvendi të njohë gjenocidin serb në Kosovë’- Balla përplaset me Redi Muçin: Je kalama! E ke ndarë mandatin përgjysmë me Qorin, fjalimet t'i shkruan ai

1789661010_ballamuci.jpg

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, u përfshinë sot në një debat në Kuvend.

Shehu akuzoi mazhorancën socialiste se nuk ka punuar pro interesave të Kosovës dhe shtoi se qeveria shqiptare nuk ka marrë masa konkrete në arenën ndërkombëtare, për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.

Më tej Muçi tha se kryeministri Edi Rama nuk mund të flasë sot kundër vendimit të Gjykatës Speciale, pasi sipas tij, ishte ai që bindi liderët politikë të kohës në Kosovë, për krijimin e kësaj gjykate.

“E mbështesim qasjen që Rusia do të duhet të dëmshpërblejë Ukrainën për dëmin që i ka shkaktuar. Megjithatë shtrohet pyetja, nëse Shqipëria do të ratifikojë konventën për Komisionin që do të mbikëqyrë dëmin që Rusia i ka shkaktuar Ukrainës, po dëmin që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, cili komision do ta shqyrtojë? Ç’hapa konkret ka ndërmarrë qeveria shqiptare në arenën ndërkombëtare për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe për kompensimin që i takon shqiptarëve të Kosovës të dalë nga lufta. Sepse ndryshe nga konflikti ruso-ukrainas, kur flasim për dëmin në kontekstin e Kosovës, po flasim për gjenocidin e një shteti dhe të një ushtrie fashiste të ushtruar mbi një popullsi të pambrojtur. Kur do i vijë radha popullit të Kosovës që të dëmshpërblehet.

Ç’rol ka luajtur shteti shqiptar në këtë drejtim? Si mundet që kjo qeveri të kërkojë njohjen e gjenocidit serb në Kosovë nga ndërkombëtarët, kur keni qenë ju deputetët e PS që keni rrëzuar propozimin për njohjen e gjenocidit serb. Me çfarë fytyre Rama sot kundërshton vendimin e Gjykatës Speciale të Hagës, kur në delirin e madhështisë të vetëshpalljes lider ballkanik, të atij që do lobonte në emër të ndërkombëtarëve, i kërceu helikopterit për të shkuar e për të bindur homologët e tij në Kosovë për krijimin e Speciales. Ky Kuvend duhet ta njohë gjenocidin serb përmes rezolutave të përbashkëta me Kuvendin e Kosovës”, tha mes të tjerash Muçi.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi deputetin Redi Muçi si një ‘kalama’ që fjalimet që lexon në Parlament ja shkruajnë të tjerët. Ai tha gjithashtu se Muçi e ka ndarë mandatin e deputetit përgjysmë me kryetarin e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorin.

“Kur vjen në Kuvend vjen me fjalime që t’i kanë shkruar të tjerët. Ti je rasti unik që do e bësh mandatin përgjysmë, sepse vitin tjetër do të duhet të vijë zëvendësuesi, sipas marrëveshjes që keni bërë. Por thuaji atij zëvendësuesit tënd, Qorrit, që fjalimet të t’i shkruajë tamam. Ishe këtu ti sot kur ne votuam një deklaratë që denoncohet nga Kuvendi i Shqipërisë gjenocidi në Kosovë? Por kur kalamaj si puna jote vijnë këtu dhe me pa asnjë të drejtë përdorin një moment kaq të vështirë për shqiptarët për llogari politike, ky është rasti tipik për t’i thënë votuesve që të mos sjellin më kalamaj në sallë, se e çoni votën dëm”, tha mes të tjerash Balla.

Ora 16:59
Blushi: Shitja e interesit kombëtar mban emrin e Edi Ramës, sot mielli i kontaminuar serb ka përmbytur Shqipërinë

1789657206_ydtiopp.JPG

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama për bashkëpunim me Serbinë, kundër interesit kombëtar.

Komentet Blushi i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se kryeministri Edi Rama s’mund të bëjë patriotin, pasi sipas tij, sot mielli i kontaminuar serb ka ‘përmbytur’ Shqipërinë.

“Nëse liria në Kosovë ka emër, në Shqipëri tradhtia ka emër, shitja e interesin kombëtar ka emër dhe ai është Edi Rama, i cili pa votat tuaja nuk do të bënte të mundur që mielli i kontaminuar serb që ka përmbytur sot Shqipërinë, të përdoret si plaçkë tregu për të blerë votat e shqiptarëve. Nëse nuk di ishit ju, Rama nuk do përmbyste Shqipërinë me qumështin e kontaminuar pluhur nga Serbia, për të falimentuar fermerët shqiptarë. Prandaj duhet një stomak i fortë për të dëgjuar gjithë çetën e trafikantëve dhe hajdutëve. Serbinë sot e anatemojnë pikërisht ata që kanë duartrokitur kur Edi Rama tregtonte kufijtë e Kosovës me Aleksandër Vuçiç. Jeni pikërisht ju që duartrokitët Ballkanin e Hapur për të asgjësuar Kosovën. Dhe sot na flisni për luftën çlirimtare të Kosovës, kur në fakt me luftën ju keni vetëm një raport, raportin me trafikun ndërkombëtar të armëve. Sikundër u faktua edhe këtë javë me përgjimin e famshëm për Ron Yeffet”, tha mes të tjerash Blushi.

Ora 16:15
Dënimi i 4 ish-krerëve të UÇK, Shehu në Kuvend: Qeveria shqiptare e ka për detyrë të asistojë Kosovën në përgatitjen e aktpadisë për Gjykatën Ndërkombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, është shprehur në Kuvend se qeveria shqiptare ka për detyrë që të asistojë qeverinë e Kosovës, për përgatitjen e aktpadisë për Gjykatën Ndërkombëtare dhe ta depozitojë atë në emër të qeverisë së Kosovës.

Më tej Shehu propozoi që Parlamenti i Shqipërisë të kërkojë që Presidentit amerikan Doland Trump t'i jepet çmimi 'Nobel' për paqen.

“Jeni kthyer në vasalë të Vuçiçit. Prandaj unë ngul këmbë përsëri, rezoluta duhet të kalojë, atje është pozicioni i qartë i PD-së. Atë e kanë firmosur të gjithë deputetët e PD. Atje përgjigjuni, mund të votoni kundër, por nuk mund ta sorollasni më tepër. Përballë i keni dalë vetëm një çështjeje, Ballkanit të Hapur, kur Rama u bë zëdhënës i Vuçiç. Dhe kur mori gjithë goditjen e plotë edhe nga Brukseli, edhe nga Uashingtoni. Qeveria shqiptare e ka për detyrë të asistojë Kosovën në përgatitjen e aktpadisë për Gjykatën Ndërkombëtare dhe ta depozitojë atë në emër të Qeverisë së Kosovës. Sepse Qeveria e Kosovës nuk e bën dot. Ukraina duhet të ndjekë planin e paqes të Trump. Trump është njeriu i paqes. Ndoshta ka ardhur momenti që ne si Parlament të kërkojmë që Trumpit t'i jepet çmimi nobel për paqen”, tha mes të tjerash Shehu.

Ora 16:02
Dënimi me 81 vite burg i 4 ish-krerëve të UÇK, Xhaçka: Historia nuk nisi në Hagë, por me agresionin serb ndaj popullit të Kosovës, mijëra gra u përdhunuan

 

Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, i ka cilësuar shumë të rënda dënimet e dhëna dje nga Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë, për 4 ish-krerët e UÇK-së.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Xhaçka tha se historia nuk filloi në Hagë, por me agresionin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Xhaçka renditi gjithashtu disa prej krimeve serbe të kryera mbi popullsinë civile në Kosovë, duke theksuar se u përdor dhuna seksuale për të terrorizuar popullin.

“Pas afro 6 vitesh paraburgim, pas një procesi të jashtëzakonshëm në kohëzgjatje, dënimet e djeshme ishin shumë të rënda. Respekti për institucionet nuk mund të kërkojë prej nesh heshtjen. Sepse ky proces nuk zhvillohet jashtë historisë dhe historia nuk filloi në Hagë, por në Kosovë. Në një Kosovë ku një regjim kishte vendosur t’i përgjigjej kërkesës së një populli për liri, me dhunë e represion. Vetëm në muajt e fundit të luftës janë vrarë 10 mijë shqiptarë. Sa mijëra gra e vajza u përdhunuan. Dhuna sekuale u përdor për të terrorizuar dhe poshtëruar një popull. Trupat e shqiptarëve të vrarë u transportuan edhe qindra kilometra larg Kosovës dhe u fshehën në varre masive kudo ne Serbi. Kjo kur historia që s’mund të shkëputet nga asnjë diskutim për luftën e Kosovës. Sot ka ardhur koha që asambleja parlamentare e Këshillit të Europës ta rihapë rezolutën 17/82. Është një çështje që Shqipëria duhet ta ngrejë në Këshillin e Europës”, tha mes të tjerash Xhaçka.

Ora 15:56
 Igli Hasani: Me deklaratën e thamë qartë që do qëndrojmë pranë Kosovës dhe shpresojmë që drejtësia të mbajë rrugën e saj

1789653648_hasani.jpg

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani tha në fjalën e tij në seancën plenare se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën dhe popullin e saj.

"Sot më lejoni të flas për Kosovën, për historinë e Kosovës. Lufta në Kosovë ishte luftë për liri, ishte luftë e njerëzve që kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre. UÇK ishte një faktor vendimtar që çoi drejt çlirimit dhe ky është fakt historik që ne e njohim dhe jemi krenar. Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë pjesë e Kosovës dhe historisë së popullit shqiptar, janë pjesë e rrugëtimit politik që e çoi Kosovën drejt pavarsisë.

Akti i gjykimit të djeshëm nuk është fundi i procesit, por historia e një populli është një gjë tjetër. Historia e Kosovës nuk fillon në Hagë dhe nuk përfundon në Hagë, historia e Kosovës është shkruar në Kosovë. Bindja jonë mbetet e palëkundur. Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë afër Kosovës, do ta mbështesim në rrugën drejt familjes europiane. Me deklaratën e thamë qartë që do qëndrojmë pranë Kosovës dhe shpresojmë që drejtësia të mbajë rrugën e saj.  

Ora 15:42
Balla akuzon Berishën: Takove rusin që hartoi raportin kundër UÇK-së, punove kundër Hashim Thaçit! Teatrot se jeni atdhetarë, lërini për ditë tjetër

 

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi Sali Berishën se ka punuar kundër Hashim Thaçit dhe ka takuar rusin që hartoi raportin që i hapi rrugë ngritjes së Gjykatës Speciale. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Berisha është i vetmi deputet që ka takuar Konstantin Kosachev. Balla tha se Rama ka luftuar më shumë se kushdo për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.

“I bashkohem falënderimit të kryetarit të Kuvendit për dakordësinë që arritëm në deklaratën e sotme, shenjë pjekurie politike dhe përgjegjësie të madhe. Të gjithë sekretarët me radhë marrin fjalën, dalin tej deklaratës së përbashkët dhe drejtojnë gishtin për fajësi, për përgjegjësi politike të mazhorancës dhe kryeministrit, edhe pse besoj se biem të gjithë dakord që, në ka një ndër ne 140 deputetët e Kuvendit që ka luftuar më shumë për pafajësinë e çlirimtarëve, ai quhet Rama.

Në anën e kundërt të historisë, në ka një person që, të paktën ndaj Hashim Thaçit, ka qenë më agresiv, më i dëmshëm, është Sali Berisha, sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike se Thaçi duhet të shkojë në Hagë, ku duhet të pastrohet.

I vetmi në këtë sallë që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e këtij raporti, rusin Konstantin Kosachev, ai quhet Sali Berisha. Nuk ka një të dytë që ta ketë takuar. E ka takuar vetëm 40 ditë nga 25 janari i vitit 2015, kur është votuar rezoluta në KiE, kur kjo parti ka qenë në anën e duhur të historisë, ndërsa ju keni votuar pro rezolutës që ngriti gjykatën në Kosovë. Këto teatrot se ju jeni atdhetarët, se ne qenkemi tradhtarët, lërini për një kohë tjetër”, tha Balla.

Fjala e Ballës erdhi pasi Kuvendi doli me një deklaratë të përbashkët kundër dënimit të Hagës për liderët e UÇK-së, ndërsa opozita më herët kishte akuzuar kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës.

Ora 15:14
Spiropali: Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë të mbështesin financiarisht betejën për mbrojtjen e 4 luftëtarëve të UÇK në Hagë

 

Deputetja socialiste Elisa Spiropali e ka cilësuar si një precedent të rrezikshëm vendimin e djeshëm të Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, të cilat dënuan me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK-së.

Gjatë fjalës së saj në Parlament, Spiropali tha se gjykimet në Hagë kanë përmbysur raportin e dënimeve për viktimën që është Kosova dhe agresorin që është Serbia.

Më tej Spiropali tha se qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës duhet të ketë 2 ‘deje’ financiare që të ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve të UÇK-së në Hagë.

“Duket qartazi që ai vendim mizor, i padrejtë dhe një precedent i rrezikshëm për atë që vjen, nuk ka si mos të lidhet edhe me rastin e Ukrainës, për të mos thënë që është ndoshta dëmi më i madh që duhet riparuar në Apel, përsa i takon kujtesës tonë kolektive dhe të drejtës tonë historike. Është e pashmangshme që të flasim sot për luftën për liri të Ukrainës apo vendeve të tjera që luftojnë për sovranitetin e tyre dhe të mos e kthejmë kokën te ajo që ndodh në Kosovë, duke parë edhe kontekstin historik. Ne mund të flasim për proporcionalitetin dhe raportin e viktimës me agresorin, që në këtë rast dhe gjykimet e vazhdueshme për Hagën janë kthyer përmbys. Duke nisur nga fakti që vetë Dhomat e Specializuara në Hagë janë krijuar mbi lajme të rreme e raporte të sponsorizuara.

Shtëpia e Verdhë rezultoi të ishte një farsë. 13 mijë të vrarë në Kosovë. 1500 njerëz të masakruar pa varr, të pagjetur ende. Të padënuar ata që kryen këto masakra. UÇK u ngrit për të mbrojtur gratë e dhunuara dhe fëmijët. Sot kemi ministre në Qeverinë e Serbisë që flet me krenari se po të kishte qenë ajo, do ishin vrarë edhe më shumë. Të bashkohemi të gjithë në një përpjekje të fortë kombëtare, institucionale e financiare, pasi kam qenë vetë në Hagë dhe i kam takuar, sforcimi financiar i familjeve të katër luftëtarëve është i llahtarshëm. Duhet të ketë edhe këtu në Qeverinë e Shqipërisë, edhe në Kosovë, dy deje financiare që ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve në Hagë. Çfarë duhet të ndodhë, duhet që Jakup Krasniqi, që ishte zëdhënësi i UÇK-së të vdesë në burg?”, tha mes të tjerash Spiropali.

Ora 13:53
Dënimi i liderëve të UÇK/ Berisha akuza Ramës për Gjykatën Speciale: I futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi si i deleguar i Vuçiçit për të diktuar votimin

 

Sali Berisha akuzoi në Kuvend kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës, duke folur pas vendimit të liderëve të UÇK-së nga Haga. Berisha tha se Rama shkoi si i deleguar i Vuçiç në Kosovë për të diktuar votimin për ngritjen e Gjykatës Speciale.

“I futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiç. Shkoi kreu porositë  e Vuçiç, e dëgjove o kryetar të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë. Ku e keni ministrin”, tha Berisha.

Ora 11:06
Përplasje në Kuvend për Kosovën/ Zhupa: Rama shkoi me avion special për Gjykatën Speciale, kërkojmë rezolutë kundër gjenocidit serb! Peleshi: Do të votojmë deklaratë të përbashkët

 

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, është përplasur me mazhorancën në Kuvend për qëndrimin ndaj dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Zhupa akuzoi kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e krijimit të Gjykatës Speciale dhe kërkoi që Kuvendi të bashkohet për miratimin e një rezolute qw dwnon gjenocidin serb.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tha se do të votohet një deklaratë për Kosovën, por opozita këmbëngul se ajo nuk ka të njëjtën peshë me një rezolutë.

“Rama ka shkuar me avion special në Kosovë për të kërkuar që të votoni për Gjykatën Speciale. Ka qenë qëndrimi i Ramës në krah të Vuçiçit për të ndërtuar Ballkanin e Hapur. Veprimet tuaja kanë treguar dhe kanë vërtetuar shprehjen e Faik Konicës: ‘Armiku më i keq i shqiptarit është vetë shqiptari’. Jeni armiqtë e Shqipërisë nëse nuk ngriheni sot, pas atij vendimi të dënimit, dhe të bashkoheni për një rezolutë. Nuk ka të njëjtën vlerë me një deklaratë të miratuar të Kuvendit. Ju jeni mësuar që t’u bëni dëme shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit, siç silleni sot me gjithë shqiptarët, si pushtues”, tha Zhupa.

Ora 11:03
Haga dënoi ish-krerët e UÇK-së, Shehu: Të fusim sot në rend dite rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

 

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu u ndal te vendimi i djeshëm nga gjykata e Hagës që dënoi ish-krerët e UÇK-së.

“Kush e bëri gjenocidin? Hordhitë e Millosheviçit. Dje pamë një çmim të paguar për heshtjen tonë. Dje kemi depozituar atë rezolutë në Kuvendin shqiptar, duke kërkuar miratimin e saj. Kërkoj që ta fusim sot në rend dite dhe ta miratojmë këtë rezolutë. Rezoluta është tjetër gjë, se ka të bëjë me gjenocidin serb, ndërsa deklarata e përbashkët e komisionit të jashtë është tjetër gjë”, tha Shehu.

Ora 10:58
Peleshi: Deklaratë e përbashkët në Kuvend kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

1789634407_nikopeleshi.JPG

Shqipëria ka dënuar vendimin e Gjykatës Speciale, e cila dënoi me 81 vite burg për katër ish-krerët e UÇK-së.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se ka një dakordësi të plotë me grupet parlamentare për hartimin e një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë, e cila dënon vendimin për ish-krerët e UÇK-së.

“Sot rreth drekës do jemi gati për një deklaratë nga Kuvendi i Shqipërisë”, tha Peleshi.

Ora 10:05
Dënimi i 4 ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, deputetët e PD-së shkojnë në Kuvend me simbolet e UÇK-së (VIDEO)

Pasi Gjykata e Hagës dënoi me 81 vite burg 4 liderët e UÇK-së, deputetët e grupit parlamentar të PD-së janë shfaqur me simbolet e UÇK-së ndërsa shkonin në Kuvend.

Gjesti synon të shprehë solidaritetin e tyre me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe me Kosovën.

SI.E./R.Xh/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
5.0 / 5 (3 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Iris: 18/09/2026 02:42

    Mbasi ndikuan ne nje menyre ose tjetren ne rrugen qe coi drejt Hages,sot lideret e pozites e opozites rrahin gjoksin ne Kuvend se kush i deshi me shume komandantet.Asnjeri nuk mendon ne te vertete per ta,por se si do t'i shikoje populli ne raport me kete ngjarje.

    Përgjigju
  • Anglezja: 17/09/2026 19:10

    I fundit qe duhet te permend emrin Kosove dhe luftetaret e UCK-se eshte Sali Ram Berisha me te gjithe "ceten" e tij nder vite!

    Përgjigju
  • Lali: 17/09/2026 16:48

    Ti mo zagarë mashtrues, gënjështar, kriminel ja fute thiken mbas shpine Kosovës ti dhe Luli,Argita këtyre që u denuan.

    Përgjigju
  • Kujtim: 17/09/2026 16:17

    Nxija jeten imagjinates se Taulant Balles.

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 18/09/2026 08:44

      Ti hane ate qe nuk thuhet Partis Socialiste pd - ja me ne krye inisjatorin e denimit te krereve te UÇK -se dhe emri i tyre eshte sali + lulzim + argita .

  • Sondazhi i ditës: 16 Shtator, 14:18

    Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?