ITALI - Vera e këtij viti ishte e nxehtë për dy klubet e Milanos, Interin dhe Milanin. Tifozeritë e tyre ultrase u përfshinë në skema fitimi kriminale, ndërsa dënime u dhanë për 16 të pandehur me afro 90 vite total heqje lirie. Janë zbardhur tanimë vendimet e dhënë nga gjyqtarja Rossana Mongiardo e seancës paraprake në Milano më 17 qershor.
"Hetimet e kryera kanë evidentuar se klubi i Interit ndodhej në një situatë nënshtrimi ndaj përfaqësuesve të 'Curva Nord', duke përfunduar, në fakt, në favorizimin e tyre, megjithëse ‘me pahir’”, shkruhet në vendim.
Hetimet kishin çuar në mega-aksionin “doppia curva” të shtatorit 2024, të zhvilluar nga Policia dhe Guardia di Finanza.
"Curva Nord e Interit,- lexohet më tej, ishte 'thjesht një kontekst material mbulues” për aktivitetet e paligjshme dhe funksiononte me “një marrëdhënie mbrojtjeje me matricë mafioze”, e cila kishte edhe “miratimin” e klanit të ’Ndranghetës Bellocco'.
Për Milanin duket se ishte një përplasje mes ultrasve që e ktheu mbështetjen për futbollin në një aktivitet kriminal.
"Dëshira për të mos ndarë menaxhimin dhe të ardhurat" e Curva Sud të Milanit, "motivoi aktet e frikësimit dhe dhunës", duke siguruar fitime të paligjshme, të tilla si përmes "rishitjes së biletave", që tejkalonin "100 mijë euro në vit".
Interi, së bashku me Milanin dhe ligën Serie A, iu bashkuan gjyqit të shkurtuar si palë civile, duke marrë kompensim për dëmet e pësuara. Të dyja klubet ndër të tjera, iu nënshtruan procedurave parandaluese nga Zyra e Prokurorit të Milanos dhe në muajt e fundit kanë punuuar për të prerë lidhjet e pashëndetshme me grupet e organizuara të tifozëve. Drejtuesit dhe lojtarët e tyre u intervistuan gjithashtu pas aksionit të vitit 2024.
Dënimet më të larta iu dhanë drejtuesve të dy tribunave të 'San Siros', ultrasit të Interit, Andrea Beretta, tani dëshmitar bashkëpunues dhe atij të Milanit, Luca Lucci; nga 10 vjet secili.
Komente







