Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë një reagim për kontrollin me përdorimin e pesticideve në produktet bujqësore. Kjo deklaratë e AKU-së vjen pas një denoncimi që ka bërë deputeti socialist Erion Braçe në rrjetet sociale, ku thotë se prodhuesit po djegin fermerët e ndershëm duke pjekur domatet me preparate, ndërsa kërkoi më shumë kontroll.
Në reagimin e bërë nga AKU thuhet se bëhet monitorim sipas standardeve europiane. Në deklaratë thuhet se 242 mijë tonë eksporte që u arritën në vitin 2022, vetëm 5 ngarkesa janë kapur që kanë përdorur pesticide në prodhimet bujqësore.
“Në lidhje me përdorimin e pesticideve në produktet bujqësore dhe planin e tyre të monitorimit të mbetjeve, duam të bëjmë me dije opinionin publik se monitorimi i mbetjeve të pesticideve kryhet bazuar në planin me bazë risku për biznese dhe për kultura bujqësore, plan i hartuar me mbështetjen e ekspertizës më të mirë europiane.
Me mbështetjen e projektit IPA për Sigurinë Ushqimore, dhe me ndryshimet ligjore të ndodhura, nga viti 2022 aplikohet dhe regjistri i përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve në fermë (fletorja e fermerit, e cila kontrollohet dhe në pikat e grumbullimit nga AKU).
Instrument ky i nisur nga Ministria e Bujqësisë e cila e ka prioritet sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë. Në anën tjetër vetëm në vitin 2022, eksportet shqiptare të produkteve bujqësore arritën 242 mijë tonë drejt 80 shteteve.
Nga e gjithë kjo sasi, në sistemin alert RASFF (sistemi i njoftimit të menjëhershëm për ushqimin) të Bashkimit Europian, janë sinjalizuar vetëm 5 ngarkesa gjatë të gjithë vitit. Dhe për më tepër pesticidi i konstatuar si mbetje në këto ngarkesa është përfshirë menjëherë në planin e monitorimit të këtij viti.
Siguria ushqimore është një proces në zhvillim i cili mbështetet në monitorim, ndjekje të rasteve jo konform dhe përmirësim të parametrave të ndryshëm. Është e rëndësishme të mos bëjmë politikë mbi sigurinë ushqimore, duke përhapur panik për produktin bujqësor vendas, kur nuk është ky rasti, por te lejojmë strukturat qe të bëjnë punën e tyre, me rigorozitet dhe në funksion vetëm te konsumatorit”, thuhet në deklaratë.
Lajmi kryesor: