Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili është i pandehur në Prokurori per “Kallezim të rremë” për çeshtjen “Babale”, pretendon se njësia operacionale e Policisë së Shtetit  ka përgjuar liderin e opozitës Lulzim Basha. I ftuar në emisionin 'Open' ai i dha gazetares Eni Vasili një USB në të cilën sipas tij janë pamje se si është përgjuar paligjshmërisht kryetari i PD Lulzim Basha dhe selia blu.

Ne fakt videoja qe Salianji sjell, nuk tregon asgje vecse pamje te selisë së PD, mjetit luksoz te kryedemokratit dhe dy persona që flasin, që sipas Salianjit janë personat që po përgjojnë. Pra duket se janë përgjuar edhe përgjuesit.

Është një video që mund ta ketë bërë kushdo, edhe një kalimtar, dhe që vetëm për përgjim nuk bëhet fjalë, por ai pretendon se 'provat' i ka zbuluar nga fashikujt e dosjeve ku akuzohet për kallëzim të rremë.

Biseda mes dy personave që sipas Salianjit kanë përgjuar Bashën
Personi 1: Po, mbaje, pra meqë të mori malli thuaj
Personi 2: Mos u trembni kaq shumë o plak, se unë kam tërë ditën që po më shikojnë këta, cfarë është kjo, sa më pa, mbajeni një çikë, mos e lini menjëherë sa e merrni...

Për Salianjin ky është një skandal që prokurorisë i ka rrëshqitur. “Prokurorisë i ka rrëshqitur informacioni, kanë survejuar PD-në. Nëse do të kishte Prokurori, atëherë do të niste menjëherë hetimet. Ka një skandal më të madh.

Për turp të tyre ose ju ka rrëshqitur, prokurorisë i ka rrëshqitur që në mënyrë të paligjshme forcat operacionale kanë survejuar selinë e Partisë Demokratike dhe kryetarin e saj. Është e qartë që kjo është bërë me urdhër të Edi Ramës dhe ne nuk do ta lëmë me kaq
', tha ish-deputeti demokrat.

Kështu, pasi dështoi me audio-përgjimin e “Babales” çështje për të cilën është i pandehur në prokurori dhe video-skandali i policit të Malësisë Madhe Bajarakuti  rezultoi një fake news, ish deputeti Salianji nuk ndalet por nxori një video të re, që duket se është një blof.