Pas denoncimit të Report Tv se kabinat elektrike me dyer të hapura në Tiranë janë rrezik për jetën e banorëve dhe endacakëve që i përdorim ato për strehim, ka ardhur edhe reagimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
 
Në këtë kabinë të tensionit të mesëm në rrugën Zef Jubani, OSHEE ka marrë menjëherë masat për ta siguruar atë, duke e kyçur.
 
Në njoftimin drejtuar Report Tv, OSHEE shkruan se “po ndjek me shqetësim situatën e dëmtimit me qëllim të kabinave, për qëllime të ndryshme nga persona të papërgjegjshëm.
 
Pavarësisht, masave të marra, siç është rasti i kabinës në fjalë, ku dëmtimi i saj është kryer disa herë, persona të ndryshëm nuk marrin parasysh rrezikun e paralajmëruar në sinjalistikën e vendosur te dera.
 
OSHEE vijon ta ketë në fokus sigurimin e kabinave, jo vetëm duke investuar ne pajisjet e reja, por duke mirëmbajtur edhe të "vjetrat", sqaron OSHEE.
 
Nga lajmet e kronikës së zezë,  janë njoftuar plot raste të personave që kanë humbur jetën pas kontakteve që kanë pasur me linjat elektrike.
 
Rasti më i fundit  ndodhi në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet, kur Rigels Patoku, endacaku 36 vjeçar  që prej vitesh jetonte në kabinë elektrike, humbi jetën nga korenti  teksa futej në kabinë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com