Deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar duke ironizuar Taulant Ballën për padinë kundër tij, pasi demokrati e akuzoi se ka udhëtuar 57 herë me Mond Begon.

‘Duke u përgatitur për në gjykatë. A mund të ndryshohet sistemi TIMS me Photoshop?’ shkruan Salianji.  Deputeti i PD ka nxjerrë edhe vendet, ku gjithmonë sipas tij, Balla ka udhëtuar me Begon në Europë.

Balla depozitoi padinë në gjykatë duke kërkuar 1 milion lekë nga deputeti demokrati si dëmshpërblim moral, ndërsa ka paralajmëruar se paratë do të shkojnë për fondin e Edukimit.

Foto e publikuar nga Ervin Salianji

Por kush është Edmond Bego?
Biznesmeni u kthye në qendër të vëmendjes dhe akuzave nga opozita gjatë verës, pasi në muajin gusht u ndalua nga autoritetet greke teksa kthehej nga pushimet në Korfuz, për llogari të shtetit italian.

Por pas verifikimeve në datë 22 gusht, ai u la i lirë, pasi Interpol Roma i dërgoi një letër Interpol Athinës për të vërtetuar se shqiptari Edmond Bego nuk kishte asnjë çështje të hapur në shtetin italian. Në dokument specifikohej qartë se biznesmeni shqiptar nuk ishte në kërkim nga asnjë agjenci italiane.

Edmond Bego rezulton se ka kryer dënimin e shtetit italian për akuzat e pjesëmarrjes dhe krijimit të organizatave kriminale, kontrabandës dhe trafikimit të drogës, heroinë dhe kokainë, në Shqipëri.

Ai u arrestua në vendin tonë në vitin 2009 dhe në 15 shtator 2010, gjyqtari i Gjykatës së larë Fatos Lulo vendosi ta dënojë me 4 vite e 4 muaj burg. Ndërkohë që gjatë verës në kulmin e akuzave nga opozita, Balla pranoi se ka njohje me biznesmenin Bego, por shtoi se nuk i kishte ofruar asnjë mburojë politike.