TIRANE -  Ai ka trokitur kudo në zyrat e shtetit, ndërsa të vetmen zgjidhje pasi i është prishur dy herë rrjesht banesa e ka gjetur duke u ankuar tek kryeministri i vendit.

Skënder Zeli babai i dy fëmijëve deklaron se familjarisht është dhunuar ndërsa dhe pse ka bërë me dhjetëra kallëzimi sa në polici dhe prokurori s’ka marrë asnjë zgjidhje.
“Fëmijët e mi janë dhunuar janë rrahur vetëm të shikoni mesazhet e fëmijëve të mi që i ka ai zotnia te prokuroria e Tiranës, nuk kapet asnjë gjë, pasi mbrohet nga mercenarët rreth vetes. Gjithë natën rri roje, kur jam në punë flas në telefon, kur jam në shpi rri gjithë natën përjashta.”-tha Skënder Zeli.

Banon në këtë truall prej më shume se 5 dekadash, ndërsa thotë se mirëbesimin që i dha të vëllait për të ndërtuar një pallat në pronën e tij sot i është kthyer në një ferr pasi i vëllai i ka grabitur pronën duke e detyruar të jetojë në kushte të vështira.

“Prej 53 vitesh jetoj këtu, konflikti ka nisur para dy vitesh. Shkaku është se ne i patëm dhënë letrat për përfaqësim për pallat ndërsa vëllai im, Arben Zeneli i ka bërë letrat në emrin e vet sikur ia kemi shitur ne për 100-200 mijë lekë. Është marrë dhe me poshtërsi më të madhe. Kam 5 muaj pa ujë e drita, nuk kam banjo në shtëpi, nuk kam asnjë gjë”-shprehet Skënder Zeli.
 
Ndërsa këto pamje i përkasin banesës ku jeton aktualisht familja Zeli, pasi për të kaluar në banesën e re nuk e lejojnë. Banesa e cila është ende e papërfunduar sipas Skënderit i është prishur 2 herë ndërsa dy ditë më parë ai është kërcënuar sërish ndaj bën apel për ndihmë.
“U bëj thirrje Edi Ramës, Saimir Tahirit dhe Artan Lames të ngrenë komision dhe të vijnë ta shohin këtë çështje në vend, se unë nuk kam se çfarë flas, këtu flet vetë situata. Fëmijët e mi janë përjetë në hasmëri me këta njerëz që na rrethojnë dhe mercenarët e tij që vijnë dhe më kërcënojnë. Vëllai me mercenarët e tij më ka shemb shtëpinë dhe shteti nuk i gjen”-thekson Skënder Zeli.

Skënder Elezi shkon më tej duke akuzuar se për dy vite atij i kishin zhdukur dhe dosjen e legalizimit të objektit duke i tjetërsuar dhe dokumentet, ndërsa sërish ai nuk ka marrë një përgjigje nga organet përgjegjëse për këtë situatë. 


Redaksia Online
(a.h/e.c/shqiptarja.com)