Akuzat për dhunë policore gjatë protestave dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama sollën debate në Komisionin për Çështjet e Brendshme. Deputeti demokrat Isuf Çelaj dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkuan që qeveria të japë llogari për veprimet e policisë, ndërsa kryetari socialist i komisionit, Bledar Çuçi, u kërkoi të dënojnë edhe sulmet me molotovë ndaj efektivëve.
Debati nw Komisionin pwr Çwshtjet e Brendshme
Isuf Çelaj, deputet i PD-së:- “Ministri i Brendshëm duhej të ishte në komision, të jepte hesap për dhunën ndaj të miturve, qytetarëve, të cilët janë sulmuar tej mase me gaz lotsjellës, deri në thyerje gjymtyrësh, goditje me plumba plastikë në pjesën e sipërme të trupit. Ju i nxorët syrin 28-vjeçarit, iu thyen këmbët atij tjetrit në rrugë. Ju, pjesa juaj (mazhoranca), nuk flisni për të. Kjo situatë ka një shkaktar, e ka sjellë qeverisja e një njeriu që e ka emrin Edi Rama. Asgjë nuk funksionon sot në shtet, zgjidh punë vetëm nëse ke telefonin e Edi Ramës, dhe po ta hapi. Nuk kam punë me pjesën e policëve të përgjegjshëm që kryejnë detyrën në rregull, por ata që janë futur në polici si pjesë e krimit të organizuar. Ne mbështesim studentët, duhet dorëheqje e Ramës, krijimi i një qeverie tranzitore, vetëshpërndarje e parlamentit. Nuk mund të rrimë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk e quaj normale që të bëni mbledhje sikur nuk ka ndodhur asgjë.”
Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane:- “Kemi dallime politike me njëri-tjetrin, por jemi deputetë, dhe nuk përfaqësojmë qeverinë, por ata që na kanë zgjedhur. Duhet të kemi një qeverisje që respekton ligjin dhe qytetarët e vet. Por qeveria nuk pyet për asnjë interes qytetar. Dhuna në mënyrë sistematike, nuk është dhunë vetëm ndaj atyre që protestojnë në shesh, por karshi gjithë shoqërisë shqiptare, por edhe ndaj ne deputetëve. Qeveria duhet të japë hesap para Kuvendit të Shqipërisë. Të dalim me një qëndrim se çfarë duhet të ndodhë me vendin tonë. Zgjidhja politike që kërkojnë qytetarët, fillon me dorëheqjen e qeverisë. Dorëheqja nuk është mëkat, është përgjegjësi, reflektim në raport me situatën. Një gjyshe ka thënë, nëse karrigia do të ishte aq e mirë nuk do të vendosnim prapanicën por do të vendosnim kokën. Shqipëria ka me mijëra persona më të mirë se Edi Rama, dhe se ne.”
Bledar Çuçi, deputet i PS-së dhe kryetar i komisionit: “Qëndrimet tuaja janë tërësisht politike. Unë besoj që kjo situatë ka bërë që ne të reflektojmë të gjithë për sa i takon marrëdhënies që shoqëria shqiptare duhet të ketë me institucionet që prodhon vetë. Do ishte e sinqertë nga ju thirrja për të reflektuar nëse do ta fillonit me një qëndrim që duhet ta mbajmë të gjithë bashkë, që lidhet me dhunën që është ushtruar ndaj policisë, dhunë brutale, jo thjesht ndaj individëve të veshur me uniformë, por dhunë ndaj institucioneve kushtetuese të Shqipërisë, institucioneve që garantojnë rendin publik në Shqipëri. Pastaj flasim edhe për përgjegjësitë që ka çdokush që tejkalon masën apo që shkel ligjin duke përdorur autoritetin që i ka dhënë vetë ligji. Ka një ndryshim shumë të madh midis maskave me molotovë në dorë dhe policit me uniformë. Ai, e para, ka detyrimin kushtetues të mbrojë rendin publik, autoriteti i forcës në një shtet demokratik është monopol i strukturave shtetërore. Polici me uniformë vepron në bazë të ligjit dhe detyrimeve që krijon korpusi ligjor për atë që vesh uniformën. Përgjegjësia që ai mban, personale, është subjekt i një hetimi në bazë të strukturave të ngritura me ligj. Ndërsa maskat me molotovë që nuk kanë të bëjnë as me protestat e të gjitha grupeve shoqërore që kanë dalë këtë periudhë në shesh, duhet të marrin ndëshkimin e duhur nga ligji. Pres që edhe ju të na bashkoheni me thirrjen që organet ligjzbatuese në Shqipëri të marrin masa që njerëz me maska e molotovë në dorë të mos dhunojnë dhe vandalizojnë institucionet shtetërore dhe subjektet private apo sipërmarrjen, ashtu siç e kemi parë. Ka një ndryshim me çfarë po ndodh në Shqipëri, dhe me atë që ka ndodhur këto kohë në Evropë, që është raporti i të dëmtuarve mes atyre që protestojnë me kapuça e molotovë në dorë me ata që kanë uniformën veshur. Shqipëria është i vetmi vend ku më shumë të plagosur janë njerëz me uniformë, sesa ata që kryejnë akte vandalizmi. Një reflektim do ishte mirë ta bënit dhe ju në lidhje me dhunën që është ushtruar ndaj policisë. Ku është shteti që kemi ngritur gjithë këto vite, dhe po e çojmë gradualisht Shqipërinë në BE. Protesta është e ligjshme, por dhuna e vandalizmi janë të patolerueshme. Policia ka reaguar vetëm atëherë kur është ushtruar dhunë mbi policinë. Kemi parë skena të frikshme se si digjen policët nga molotovi në mes të sheshit. Duhej të kishit thënë të paktën një fjalë solidariteti për këtë pjesë të policisë që është dhunuar sistematikisht këto ditët e fundit, dhe patjetër të reflektojmë për nxjerrjen e përgjegjësive.”
Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane: “Dhuna nuk është çështje numrash, dhuna është shkelje ligji nga kushdo krah që vjen, por sidomos nga ato struktura që janë betuar mbi ligjin për të mbrojtur qytetarin, dhe jo pushtetin. Përgjegjësia është personale, dhe unë nuk dua ta fus policinë në një marrëdhënie të tillë, që e urdhërojnë për të ushtruar dhunë. Dhuna sjell vetëm dhunë, dhe unë absolutisht jam kundër dhunës. Ne duhet të merremi me shkakun dhe zgjidhjen.”
Bledar Çuçi, deputet i PS-së dhe kryetar i komisionit: “Prapë nuk dëgjova një lloj solidariteti për ata policë që janë djegur me molotovë, që janë gjendur në breshëri dhune të paparë ndonjëherë, gurësh, e lloj-lloj mjetesh piroteknike. Këtu fillon sinqeriteti. Në këtë rast duhet thënë qartë, dënojmë çdo dhunë që ushtrohet ndaj çdo njeriu që ka detyrimin të mbrojë rendin kushtetues. Një deklarim i tillë do ju nderonte. Unë besoj gjithmonë te dialogu, te zgjidhjet politike në një sistem demokratik, unë besoj te zgjedhjet e lira, le të vazhdojmë të zbatojmë vullnetin e shqiptarëve, e të presim ç’do na thonë shqiptarët mbas 1 viti apo mbas 6 muajsh.”
Pas shkëmbimit të këtyre deklaratave, dy deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja.
Lajmi kryesor:
Protestat dominojnë debatin në komisionet parlamentare, opozita kërkon dorëheqjen e Ramës! PS: Dënoni dhunën ndaj policëve









