Ky është momenti kur Erjon Vishkulli u lëndua në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, çka më vonë pasoi në një operacion në Spitalin e Traumës e më pas, shteti e dërgoi në Itali për trajtim më të specializuar.

Gjithçka ndodhi në një prej përplasjeve të furishme mes protestuesve, një pjesë e mirë prej tyre të maskuar, dhe policisë në sheshin ‘Skënderbej’, te Banka e Shqipërisë.

Erjon Vishkulli ndodhet në vijën e parë ku janë edhe pemët e ca më tutje, të tjerë protestues hedhin një breshëri fishekzjarrësh.

Në një moment, 28-vjeçari përkulet dhe largohet e teksa sprapset duke iu afruar shkallëve të Bankës, shtrihet në tokë dhe mban syrin me dorë, të majtin, që i është goditur me një plumb të dyshuar gome. Mes zhurmës e buçitjeve të fishekzjarrëve, dëgjohen britmat dhe të qarat e tij.

Disa protestues hutohen, të tjerë rendin për ta ndihmuar dhe e rrethojnë. Ulërimat therëse të Vishkullit përzihen me të tyret, të cilët thërrasin “ambulanca!”

Vishkulli u transportua menjëherë drejt Spitalit të Traumës me një makinë të Report Tv që i erdhi në ndihmë të riut. Pas ndërhyrjes, u dërgua në Romë ku bëri një konsultë të detajuar në spitalin e famshëm Gemelli, ndërkohë që është kthyer në spitalin 'San Carlo' kur edhe pritet t'i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Për rastin ka nisur një hetim i detajuar nga policia e Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit u ka dërguar një letërporosi autoriteteve italiane për të sekuestruar trupin e huaj që bluzat e bardha në Itali do të nxjerrin nga syri i të riut. Më pas, materiali do t’u nënshtrohet ekzaminimeve përkatëse.