SHKODER- Muaji tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje.
 
Në këtë kuadër Drejtoria e Shëndetit Publik Shkodër ka ftuar të gjitha gratë e këtij qarku që të kryejnë mamografinë. Sipas specialistes së Drejtorisë së Shëndetit Publik, Ilva Gojani, prioriteti për këtë vit do të jenë arsimtaret.
 
“Sot fillon fushata për depistimin e kancerit të gjirit. Ftohen të gjitha zonjat e grupmoshave mbi 50 vjeç, gjithashtu edhe duke mos përjashtuar grupmoshat e tjera të cilat kanë prezencë riskun e shtuar. Prioriteti për këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë është tek arsimtaret por siç e theksova dhe më përpara nuk mund të përjashtojmë zonjat e profesioneve të tjera”, tha Ilva Gojani.
 
Në qytetin e Shkodrës funksionojnë dy mamografi, njëra në spitalin e këtij qyteti dhe tjetra pranë poliklinikës, ku mund të paraqiten të gjitha gratë për të kryer ekzaminim falas gjatë muajit Tetor.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)