Një ditë më parë, qeveria paralajmëroi nisjen e një aksioni për heqjen e depozitave nga pallatet. Por si është situata në terren? Kryesisht në ndërtesat e para viteve ’90 depozitat janë si çatitë e dyta të pallateve, pasi ujësjellësi nuk garanton ujë 24 orë në ditë. Banorë në disa zona të Tiranës thonë për Report Tv se depozitat nuk mund të hiqen pa u garantuar furnizimi i plotë, pasi në çezma uji vjen 6-9 orë në ditë.

***

“Kjo është koha për të filluar planin e heqjes të depozitave”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 3 shtator.

Depozitat, të cilat qeveria paralajmëroi t’i heqë,  në fakt janë ‘çatia’ e dytë mbi pallate, kryesisht ato parafabrikate për banorët në Tiranë

2 burimet, ai i Selitës dhe Shën Mërisë, dhe impianti i Bovillës, që furnizojnë pjesën më të madhe të Tiranës, nuk garantojnë shërbimin me ujë 24 orë në ditë. Ndaj panorama e depozitave, është kaq shumë e dukshme.

“Po nuk pati depo ka marrë fund” , thotë një banor.

Reportv Tv vëzhgoi në disa lagje të Tiranës, për të pyetur vetë qytetarët se sa orë në ditë furnizohen me ujë.

Në zonën e Bërrylit e deri tek Pazari i Ri, depozitat janë domosdoshmëri pasi ujë thonë se ka vetëm 2-3 herë në ditë.

“Uji vjen dy herë në ditë, rrinë deri 3 orë dhe pastaj vjen në darkë nga ora 19.30”, thotë një banore në zonën e Bërrylit në Tiranë.

Ujë kemi 3 herë në ditë. Vjen 2 orë e 30 minuta në mëngjes, në drekë dhe darkë”, pohon një zotëri, banor në lagjen rruga “Vllazën Huta”.

Nganjëherë kur e vëmë lavatriçen, dhe na e lënë në gjysmë. Uji vjen tre herë në ditë. Ndonjëherë na e mbyllin komshinjtë ujin”, thotë një banore në lagjen pranë ‘Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 1’.

Jo vetëm ujë i kufizuar 6-9 orë në ditë në pjesën më të madhe të vitit, por siç vetë qytetarët pohojnë as nuk është i pijshëm.

“Ka njerëz që e blejnë ujin dhe për të gatuar, sepse ka aromë të keqe. Uji na vjen 3 herë në ditë dhe e blejmë. Mua një bidon uji për 2 ditë më mjafton, pensionin e kam 100 mijë lekë të vjetra, merre me mënd sa më del”, pohon një pensioniste.

“Nuk ka ujë 24 orë, ka 16 vjet në pushtet dhe akoma diskutohet uji. Vjen në orën 9 ikën dhe do të presim deri në orën 13.00 që të vijë pastaj. Kam edhe depon se nuk do të qelbem. Ka guri i bardhë sa të duash ujë dhe vijon e diskutohet uji në Tiranë, është turp”, pohon një qytetar.

6 orë ujë në ditë dhe pjesa tjetër nga depot e vendosura në çdo cep pallateve. Kjo është situata edhe në një nga zonat më të shtrenjta pranë qendrës, “Myslym Shyri”.

“As nuk kemi pasur as nuk do të ketë ndonjëherë ujë 24 orë”, thotë një banor në zonën pranë drejtorisë së Policisë.

“Ujë i rrjedhshëm është nga ora 6-9.30 në mëngjes, kurse me depozitë kemi gjithë ditën. Po na e hoqi do na bëjë dëm, se uji është i domosdoshëm”, thotë një tjetër qytetar .

“Vjen nga ora 7-9.00 të mëngjesit, pastaj nga ora 12-14.00 dhe vjen në orën 19-21.00. të kënaqur nuk jemi se duhet të lahesh dhe duhet presion. Po i hoqi depot nuk na del”, tha një banor në zonën e Myslym Shyrit.

“Kemi ujë vetëm në mëngjes. Furnizohemi me depo nga lartë. Ai si gjithmonë shikon nga një ëndërr dhe flet”, tha një tjetër.

Depozitave mund t’i thonë lamtumirë vetëm nëse garantohet 24 orë ujë në ditë.

“Kemi ujë në mëngjes deri në 11, pasi 13-16.00 dhe më pas vjen në orën 19.00. Depozitat janë në pozicion të keq se një tërmet a diçka tjetër dhe ndodh katastrofa, por duhet të merren masa për të kompensojë ato mungesat”, shprehet qytetari.

E njëjtë është situata edhe në zonën e ish-parkut të Autobusëve në Tiranë. Përtej orareve, pagesën e faturës së ujit banorët e bëjnë 2 herë, një për UKT-në dhe tjetrën çdo ditë teksa blejnë ujë për të pirë.

“Ne nuk kemi ujë të pijshëm e blejmë. Kemi një jetë që blejmë. Ujin që na vjen vetëm për të larë e shpërlarë e kemi, ikën në orën 15.00 e vjen në 7 të darkës”, tregon një zonjë në zonën e ish-parkut.

Gjatë verës, kur konsumimi i ujit është edhe më i madh për shkak të të nxehtit, disa lagje në Tiranë, si Sauku, Fresku, Selita apo Tufina, u përballën me mungesën totale të ujit prej ditësh.

Me përjashtim të Lezhës në asnjë qytet tjetër nuk ka ujë 24 orë, sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit. Furnizimi mesatar në rang kombëtar është 17.3 orë në ditë dhe situata më problematike në furnizimin me ujin e pijshëm është në Vorë dhe Kamëz, ku gjatë ditës ofrohet 4 deri në 8 orë ujë.