Nis Kuvendi/ Balla: Rama propozon forcimin e dekriminalizimit! Hajdari: Për Pjetrin fajin e keni ju dhe jo ligji

TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka gati depozitimin e amendamenteve për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit që ka synim forcimin e masave pas rastit të Valdrin Pjetrit, që fitoi bashkinë e Shkodrës, por u dorëhoq pas zbulimit të dënimit në Itali. Kryetari i grupit demokrat Taulant Balla u shpreh se propozimet e kryeministrit do të dorëzohen në komisionin e reformës zgjedhore me qëllim shtrëngimin e ligjit për të gjithë kandidatët. Por kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari akuzoi se fajin nuk e ka ligji, por PS-ja, që vendosi Valdrin Pjetrin.

Ndërkohë që kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi i shtriu dorën opozitës jashtë institucioneve, PD-LSI për miratimin e reformës zgjedhore dhe i ktheu një përgjigje indirekte Ilir Metës duke thënë se parlamenti është legjitim dhe plotësisht funksional. Gjatë seancës së parë plenare nuk munguan edhe debatet Ballistë-Partizanë, ndërsa puna pritet që të nisë me rrëzimin e ligjeve të vjetra, që janë kthyer nga Meta.

Konferenca e Kryetarëve e mbledhur paradite përcaktoi axhendën e Kuvendit deri në datën 19 shtator. Në 12 shtator pritet të rrëzohen 4 dekrete të Metës, teksa që nesër do të nisë shqyrtimi formal në komisionet parlamentare. Ndërsa në seancën e datës 19 shtator Kuvendi do të votojë 5 ligje të tjera të kthyera pas nga presidenti Ilir Meta. Këtë sesion parlamentar janë parashikuar për miratim shumë ligje nga shumica socialiste. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:57
Socialistët të buzëqeshur pas kthimit nga pushimet, Rama me duart në kokë (FOTO)

Socialistë dhe opozitarë janë rikthyer të buzëqeshur nga pushimet, ndërsa kryeministri Edi Rama është shfaqur në gjendje të ndryshme, i buzëqeshur, por edhe i menduar gjatë seancës së sotme plenare. 
 

Ora 19:43
Dy lapsuse/ Hajdari 'emocionohet' në seancën e parë, kërkon bashkim, por artikulon 'përçarje'

Edhe këtë sesion parlamentar kryetarja e grupit Demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari e ka nisur me lapsuse. Gjatë fjalimit të saj në foltoren e Kuvendit ajo njoftoi se bashkë me grupin që drejton do të shkojë në cdo cep të vendit me qëllim ringritjen e së djathtës, por bëri një lapsus teksa u shpreh se “Ne do vijojmë që të përçajmë të gjithë Shqipërinë”. Ndërkohë që lapsusi i dytë lidhet me mbiemrin e fituesit të bashkisë së Shkodrës në 30 Qershor Valdrin Pjetri që më pas dha dorëheqjen për shkak të dekriminalizimit. "Ju sot flisni për sukses në 30 Qershor, kur në fakt kur keni zgjedhur kandidatë si Pjetrinin në Shkodër" tha ajo.

Ora 19:05
Forcimi i dekriminalizimit/Hajdari: Fajin s'e ka ligji, por PS-ja, hiqni Gjiknurin nga 'Zgjedhorja'

Pas fjalës së Taulant Ballës që tha se kryeministri Rama do të dorëzojë amendamentet për ndryshimin e ligjit për dekriminalizimin ka reaguar Rudina Hajdari.  Ajo tha se fajin nuk e ka ligji, por PS-ja që sjell njerëz të tillë, referuar rastit të Valdrin Pjetrit, ndërsa kërkoi largimin e Damian Gjiknurit nga bashkëdrejtimi i komisionit të reformës zgjedhore.

"Duhet të ndryshojmë bashkëkryetarin që komisioni i reformës zgjedhore të ketë kredibilitetin e duhur për të bërë një reformë sa më të mirë. E dyta nëse do të flisni për shkaqet e sistemit duhet të shikoni se cfarë ka ndodhur sot në Shqipëri. Ju sot flisni për zgjedhjet e 30 qershorit si sukses, unë nuk di se cfarë të them kur në fakt keni zgjedhur kandidatë si Pjetrini (Valdrin Pjetri) në Shkodër.

Prandaj më thoni pse merreni me pasojat dhe jo shkaqet. Pse mendoni se e ka fajin ligji, që duhet të bëhet më i fortë dhe jo ju, që e zgjodhët. Jeni ju ata që i sillni këta njerëz këtu në parlament. Nëse kreu i PS-së, PD-së, apo LSI-ë do të vijojnë që të kenë dorë në partitë e tyre, ju do të vijoni që të sillni njerëz të paaftë dhe kriminelë" tha ai.

Ora 18:57
Rasti i Shkodrës, Balla: Rama gati amendamentet për ndryshimin e dekriminalizimit, shtrëngime më të forta

Ligji për dekriminalizimin do të ndryshojë. Kryetari i grupit parlamentar socialist në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla u shpreh se kryeministri Rama do të dorëzojë amendamentet në komisionin e reformës zgjedhore.

"Rasti i Shkodrës na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor nuk është i plotë dhe në këtë këndvështrim kryeministri do të depozitojë si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra në lidhje me cdo kandidat. Le të jetë komisioni i reformës zgjedhore që ti shqyrtojë. 

Jemi besimplotë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meriton plotësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Fillimi i bisedimeve nuk është vetëm fitore e Qeverisë, por e aspiratës së shqiptarëve. Unë di të vlerësoj edhe rolin tuaj si deputetë të opozitës për të miratuar edhe ligjet e paketës së reformës në drejtësi.

Padyshim që reforma zgjedhore është kryefjala e këtij sesioni parlamentar, jo vetëm me ju, por edhe opozitës jashtë parlamentare, duke i garantuar PD-së një vend për përfaqësuesin e saj, duke i garantuar edhe veton. Përsëris edhe njëherë atë që kryeministri rishprehu që, ne mirëpresim që edhe PD të ushtrojë të drejtën e saj në këtë komision.

Sot kemi dakordësuar edhe zgjerimin e përfaqësimit të grupit më të ri të opozitës. E kemi kaluar këtë me konsensus. Me zi pres rritjen e përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Shqipërisë. Për reformat e rëndësishme ne duhet të jemi bashkë" tha ai.

Nisma vjen pas rastit të Shkodrës kur kryetari i bashkisë Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, pasi u zbulua dënimi që kishte fshehur në Itali. Nevojën e ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit kryeministri e argumenton me faktin se partitë politike nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit.

Fjala e plotë e Taulant Ballës
Kryetari i Kuvendit bëri një përmbledhje ezauruese të sfidave që së bashku na presin në këto katër muaj të këtij sesioni të ri parlamentar. Detyra e të gjithëve ne është që, pikë së pari, të bashkohemi në objektivin madhor të Shqipërisë që pritet të konkludohet në Këshillit Europian në tetorin e këtij viti, ku të gjithë jemi besimplotë se Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut, e meritojnë tërësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Fillimi i bisedimeve për anëtarësim nuk është një fitore vetëm e qeverisë apo shumicës, por pikë së pari është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët dhe aspiratën tonë historike për aspirim dhe integrim euro-atlantik. Unë si kryetar i shumicës në këtë Parlament, di të vlerësoj shumë mirë edhe rolin tuaj, të nderuar deptutetë të opozitës, në muajt e shkuar në përpjekjet e përbashkëta për të votuar edhe ligjet e fundit të paketës së Reformës në Drejtësi. Dua t'ju falenderoj edhe për konsensualitetin lidhur me ato që janë çështje madhore dhe dëshiroj, që në frymën e këtij bashkëpunimi, gjatë gjashtë muajve të fundit të vijojmë edhe për sfidat që na presin përpara.

Reforma Zgjedhore është kryefjala e këtij sesioni të ri parlamentar që fillojmë sot, jo vetëm me ju, por edhe me opozitën që ndodhet jashtë parlamentit, të cilës i kemi rezervuar në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore vendin e saj. I kemi garantuar Partisë Demokratike, si partia më e madhe në opozitë, një karrige për të cilën i kemi garantuar edhe veton në Komision. Unë ripërsëris edhe një herë publikisht atë që Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, rishprehu se ne mirëpresim që edhe Partia Demokratike të ushtrojë të drejtën e saj për t'u përfaqësuar në Komision. Puna për Reformën Zgjedhore do të zhvillohet në Komisionin e Posaçëm, ku sot kemi dakordësuar në Konferencën e Kryetarëve edhe zgjerimin e përfaqësimit të grupit më të ri parlamentar të opozitës.  Së dyti, dua të rishpreh domosdoshmërinë e vijimit të angazhimit të të gjiha forcave politike të angazhuara në Kuvend lidhur me çuarjen më tej të implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi.

Kujtoj këtu që Kuvendi ripërfshihet në rolin që luan, qoftë në përzgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët janë vende të caktuara që përzgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, qoftë për inspektorin e lartë të Drejtësisë apo Prokurorin e Përgjithshëm. Jemi në afatet fundore që këto institucione të marrin udhë dhe të fillojë puna menjëherë. Për sa i përket një çështje që ka marrë shumë vëmendje publike në këto ditë e në këto javë, e që lidhet me mangësitë e vërejtura në kuadrin ligjor të garantimit të integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen. Rasti i Shkodrës është një rast i cili na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor ekzistues nuk është ende i plotë. Në këtë këndvështrim, Kryeministri, z. Edi Rama, më shumë në cilësinë e deputetit sesa atë të Kryeministrit, do të depozitojë në Komisionin e Reformës Zgjedhore si amendamente, shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra lidhur me pastërtinë e figurës së çdo kandidati. Le të jetë Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ai që të shqyrtojë të gjithë këto propozime, me qëllim që së bashku me ju të mund ta pasurojë këtë nisëm të vyer, në funksion të parandalimit të çdo personi me të shkuar problematike.

Së pesti, padyshim që ky është një sesion i ri parlamentar që fillon me një Rregullore të re të Kuvendit të Shqipërisë. Ndoshta një pjesë ende nuk janë njohur me një reformë të rëndësishme, që kemi bërë në jetën parlamentare në fund të sesionit të kaluar.Më në fund për ata që na kanë sjellë në këtë sallë, nuk do të jenë vetëm e premtja, e shtuna, apo e diela si kohë në dispozicion për t'ju përkushtuar zgjedhësve tanë, por ashtu si në parlamentet me demokraci të konsoliduar, ne do të kemi një javë, dedikuar punës me zgjedhësit. Një javë pune intensive, që kërkon deputetët në zonat e tyre zgjedhore. Dua ti kujtoj këtu deputetëve të opozitës, që në çdo qendër qarku, ka një zyrë të deputetëve të shumicës dhe një zyrë të deputetëve të opozitës. Deputetët duhet të jenë pikërisht në këto zyra për t'u takuar me zgjedhësit dhe në fillim të javës së re parlamentare, do të kemi një seancë të posaçme dedikuar njerëzve. Deputetët të sjellin në sallë pikërisht të gjitha problematikat e hasura gjatë kontakteve me njerëzit në prezencë të kabinetit të qeverisë.

Po ashtu është koha të rikthehemi tek domosdoshmëria e rritjes së kontrollit parlamentar qoftë nga shumica parlamentare, qoftë nga opozita. Ndryshimet e reja në Rregullore i kanë dhënë më shumë hapësirë deputetëve të opozitës për ta ushtruar këtë kontroll. Së fundmi, dua ti kujtoj të gjithë deputetëve në këtë seancë të parë të këtij sesioni të ri parlamentar, se ne kemi për detyrë të pa dallim krahësh politikë. Në fund të fundit këtu na kanë sjellë partitë, por ne jemi këtu për të përfaqësuar popullin shqiptar. Do të doja ta mbyll me atë që thashë në fillim, se për reformat e rëndësishme ne duhet të jemi bashkë. Përmendi këtu znj.Hajdari ndryshimin e sistemit zgjedhor. Znj. Hajdari, objektivi kryesor i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore është adresimi i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, nga raporti i vitit 2013 deri në ato të raportit të fundit, atë të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin një festë e demokracisë. Fitoi e drejta kushtetutuese e çdo shqiptari për të votuar dhe padyshim që humbën ata që u bënë bashkë për t'ja mohuar këtë të drejtë shqiptarëve. Është domosdoshmëri që të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, pa asnjë dallim të formësohen në ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ne duhet domosdoshmërisht që në zgjedhjet e qershorit 2021, ti garantojmë të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Madje shqiptarët që jetojnë jashtë territorit, të kenë padyshim edhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. E dyta, e kemi thënë dhe e kemi stërthënë se ka ikur koha që partitë politike të votohen dhe po ato vetë, të numërojnë votat që japin shqiptarët. Në këtë këndvështrim duhet të depolitizojmë të gjithë infrastrukturën e administrimit të proceseve zgjedhore. Për këtë hajdeni të punojmë.Ne kemi dhënë garancinë tonë për të hulumtuar dhe për diskutuar së bashku mundësitë e sistemeve zgjedhore. Detyrimet e Shqipërisë janë dhe lidhen tërësisht me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Ora 18:53
Rudina Hajdari: Qytet në qytet për ringritjen e së djathtës shqiptare

Kryetarja e grupit demokrat në Kuvend Rudina Hajdari ftoi cdo qytetar që dëshiron t'i bashkohet në përpjekjen për ringritjen e së djathtës shqiptare, pasi sipas saj është në krizë.

"Kuvendi arriti që të jetë produktiv pavarësisht djegies së mandateve nga opozita. Duhet të mbyllim reformën zgjedhore, që shqiptarët t'u japim zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në javët në vijim do të organizojmë një tryezë për të ndarë shqetësimet në lidhje me sistemin zgjedhor. Do kushtojmë vëmendje edhe për votën e diasporës.

Ne do të kemi mbështetje të gjerë në grupet e opozitës dhe do të shkojë përpara, të vizitojë cdo qytet dhe fshat për t'i treguar platformën e tyre dhe alternativën e vërtetë demokrate. Rama është i mbrojtur nga Basha dhe Kryemadhi.

Përballë kësaj qeverie, unë dhe grupi demokrat dhe kushdo tjetër për ringritjen e së djathtës shqiptare është i mirëpritur për të shkuar në qytet në qytet dhe fshat në fshat për t'i dhënë cdo qytetari një zë për të vendosur demokracinë në vend" tha ajo.

Ora 18:33
Rudina Hajdari: Basha dhe Kryemadhi e bënë Ramën perandor

Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari nga foltorja e Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlamentar u shpreh se marrëveshja e Bashës me Kryemadhin për të djegur mandatet e bënë Edi Ramën perandor.

"Unë do të doja të ndaja fjalën time për prioritetet e grupit tim. Kjo qeveri është nga më skandalozet që ka parë vendi, kjo dëshmohet në raportet ndërkombëtare. Më lejoni të them se nuk ka asnjë dyshim se ne këtu kemi një nga korrupsionet më të larta. Jemi me një kryeministër që ka sjellë regres, një qeveri që nuk di të menaxhojë ekonominë e vendit. Nuk ka vullnet për të nxjerrë para përgjegjësi zyrtarët e lartë, apo për të hapur dosjet 339 apo 184, ato do të mbyllen dhe këta zyrtarë nuk kanë për të parë asnjë ndëshkim të dëshiruar nga shqiptarët apo ndërkombëtarët.

Skema e fundit e PPP-së mund të konsiderohet më korruptive. Kjo ka fundosur buxhetin e shtetit, është ndër më të rrezikshmet. Shqiptarët po largohen cdo ditë e më shumë, bandat kanë zaptuar vendin. Por kush është fajtor? Përpara 25 qershorit kishim një qeveri tranzitore dhe marrëveshje Rama-Basha. Kjo dështoi dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Kush e bëri Edi Ramën perandor, kjo ishte një marrëveshje tjetër mes Bashës dhe Kryemadhit. Ata kërkuan djegien e mandateve" tha ajo.

Ora 18:21
75-vjetori i çlirimit, kryetari i Ballit rebelohet me Ruçin: Të rishikohet historia

Në fjalën e tij në Kuvend, kryetari i Kuvendi Ruçi u ndal edhe te 75-vjetori i çlirimit të Shqipërisë, ku ftoi deputetët që t’i bashkohen festimeve, por kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Adriatik Alimadhi reagoi duke shprehur pakënaqësi dhe kërkuar rishikim të historisë.

"Shqiptarët po vriten për pronat. Mendoj se duhet një ligj i mirë për pronat, bankat, hidrokarburet, etj. Presin shqiptarët që të takohen këta dy liderë të famshëm për të zgjidhur problemet e shqiptarëve. Kjo Shqipëri kullon gjak shqiptarët. Janë vrarë 5-6 mijë shqiptarë, si mund të quhet kjo luftë e lavdishme. Kryetari i Kuvendit na fton të shkojmë te baballarët e tyre që na kanë vrarë. Një anëtar i PD-së më tha se kryetari i kishte thënë një deputeti 'nesër hajde në ditën e dëshmorëve', 5 Maji. Por tha si mund të vij unë atje, kur ata më kanë vrarë babanë?

Jam kryetar i Ballit, dhe shkoj në kafene dhe thonë cfarë kryetari është ky i pulave. Unë mendoj sinqerisht, (zhurmë në sallë) ju lutem, ne jemi vrarë, pushkatuar, burgosur, internuar, por po ju kërkoj një nder, nëse keni besë shqiptari, a ka mundësi të marrim një nisëm për historinë, ku do të shkojmë ne shqiptarët? A do i japim dorën njëri tjetrit? Ju lutem largohuni, akoma armiq do të mbetemi ne? E ftoj me dorë në zemër kryeministrin të nisim projektligje që janë në dobi të shoqërisë shqiptare" tha ai.

Ora 18:19
Ruçi shpall objektivat: Presim negociatat, i shtrimë dorën PD-së për 'Zgjedhoren'

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shpalli edhe objektivat për sesionin e ri parlamentar. Ai tha se të gjithë presin negociatat, ndërsa theksoi se dora e shumicës është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

"Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve, në mbledhjen e këshillit në Tetor shkojmë me sigurinë e plotësimit të këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar.

Prandaj prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore. Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtë parlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja. Gjykata Kushtetuese dhe ILD do të bëhen funksionale shumë shpejt" tha ai.

Ora 18:10
Nis sesioni i ri, Ruçi i përgjigjet Metës: Kuvendi është plotësisht legjitim

Në nisje të sesionit të ri të parlamentit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi gjatë fjalës së tij në foltore u shpreh se Kuvendi është legjitim dhe funksional, pasi i ka votat e mjaftueshme për të miratuar cdo ligj, duke i kthyer kështu një përgjigje Presidentit Ilir Meta që e cilëson si jo legjitim.

"Me gjithë vështirësitë që u shkaktuan me lënien e mandateve nga opozita, kjo gjë nuk pengoi produktivitetin e Kuvendit. 40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi fillon këtë sesion si funksional me kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar cdo akt ligjor.

Kjo shpreh edhe një përgjegjësi të lartë grupit opozitar, kushtetuese dhe politike për të cilën meritojnë mirënjohje. Kushtetuta u rezistoi aventurave 'liri nën ligj' duke shpëtuar sistemin nga kaosi. Në Kuvend do të dorëzohen shumë shpejt kandidaturat për Kushtetuesen dhe gjykatën e Lartë" tha ai. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lati: 02/09/2019 19:54

    MERRNI RROGEN O DEPUTETE SE JU NUK JENI VERTETE DEPUTETE PER TE ZGJIDHURHALLET E POPULLIT DHE ME E FORTA ESHTE SE ASNJERI NUK FLET PER VARFERINE QE KA PUSHTUAR KETE VEND SE SHUMICA E SHQIPETAREVE JETOJNE ME100euro ne muaj Per familje

    Përgjigju
  • Zeneli: 02/09/2019 19:47

    Z hajdari nuk ke njeri qe te Ndjek ty mbrapa politikisht

    Përgjigju
    • xAFERRI I fAJES: 02/09/2019 21:00

      Gjynaf qe nuk e ndjekin kte Hajdaren ,ne ate Stan mbush me idiote pafund !

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)