Seancën e kaluar, në mes të debatit të fortë politik i shoqëruar edhe me përplasje, deputeti Belind Këlliçi i cili është edhe kandidat te ‘Rithemelimi’ për Bashkinë e Tiranës, kërkoi një minutë heshtje për 38 intelektualët e vrarë më 16 nëntor 1944 nga komunistët, në vigjilje të çlirimit të kryeqytetit.

Propozimit të Këlliçit drejtuesja e seancës Ermonela Felaj iu përgjigj se “do të ishte më respektuese edhe ndaj njerëzve për të cilët ju kërkoni që të mbahen një minutë heshtje, edhe ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë këto të mos vijnë si elemente surprizë dhe respekti të bëhet në mënyrën e duhur”.

Por në këtë moment deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë për 1 minutë heshtje ndërkohë që ata socialist nuk e kanë bërë diçka të tillë. Kjo i ka revoltuar ish-të përndjekur politikë të cilët kanë dalë sot në një deklaratë për mediat ku i kanë bërë thirrje opozitës që të mos e lejojë zhvillimin e seancës së nesërme plenare pa pasur një ndjesë nga ana e socialistëve.

“Të kërkojnë familje publike familjarëve që nuk kanë gjetur eshtrat e intelektualëve. Opozita të mos lejojë vijimin e seancës parlamentare pa kërkuar falje ata deputetë që paturpësinë më të madhe nuk u ngritën për një minutë heshtje për të nderuar viktimat.  I kemi kërkuar Parlamentit që të caktohet një ditë kujtese për 6 mijë të zhdukur që i ka pushkatuar diktatura Hoxha”, tha në një deklaratë Besim Ndregjoni, kreu i Shoqatës të ish-të Përndjekurve Politikë.