Me anë të një videoje të postuar në rrjetet sociale, duken tregohen emigrantët shqiptarë që tentojnë të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me gomone, deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula zgjodhi të japë një mesazh për të gjithë të rinjtë. Ai u bën thirrje që të mos ikin po t’i tregojnë vendin qeverisë ndërsa shtoi se kryeministri “që ndërton 1 km rrugë me 23 milionë euro” e cilëson këtë “një fenomen normal”.
Postimi i plotë:
Thirrje për shqiptarët: mos ikni por tregojini vendin qeverisë!
Videon që po postoj më poshtë ma dërgoi një nga qytetarët në rrjete sociale. Kur po e shikoja syte mu mbushën me lot. Një foshnje shqiptare që qante në mes të detit në gomonen e prishur. Fatmirësisht lajmi thoshte se policia e Francës kishte mbërritur në kohë dhe i kishte shpëtuar të gjithë. Siç duket edhe në video gomonia është e mbushur me shqiptarë që kalojnë në mënyrë të jashtëligjshme nga kanali Lamanshit. Ndonëse jemi në fund të 10-ditëshit të parë të tetorit e temperaturat janë ulur ndjeshëm, aq e pajetueshme është bërë jeta në Shqipëri sa që bashkëqytetarët tanë rrezikojnë jetën në të tilla kushte.
Por Kryeministri që ndërton 1 km rrugë me 23 milionë euro dhe e quan vendin e tij të varfër, e cilëson këtë një fenomen normal. Me arrogancën e pashembullt tre ditë më parë kur u pyet nga një gazetar i huaj se çfarë masash kishte marrë për të frenuar valën e emigrantëve të paligjshëm shqiptar nga Franca në Britani: u përgjigj se ai ishte përgjegjës për të qeverisur territorin shqiptar.
Sipas kësaj llogjike te SULLTANIT, Franca dhe gjithë BE duhet të rikthej edhe një herë vizat shqiptarëve në mënyrë që të pengojë emigrantët nga shqipëria. Sipas logjikës së kryeministrit tonë, shqiptarët duhet të izolohen edhe një herë si para shumë viteve. Por të dashur qytetarët e mi, nuk duhet të largoheni por të gjithë bashkë duhet ti tregojmë vendin SULLTANIT arrogant. Të ngrihemi e ta frenojmë e të rikthejmë normalitetin në vend.
Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor në 7 muajt e parë të vitit u regjistruar gati 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra është dyfishuar, duke dëshmuar për një tendencë të re të rigjallërimit të emigracionit.
Ndërkohë të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës Janar-Qershor 2022, një shifër që është sa 80% e të gjithë kërkesave për azil në 27 shtetet e tjera të Bashkimit Europian, duke e çuar në total shifrën e aplikimeve në mbi 10 mijë. Kërkesat për azil vetëm në 6 muajt e parë të 2022-t janë më të larta se gjithë viti 2021, kur ishte shënuar dhe numri më i lartë rekord deri tani.