Deputeti grek i partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos do të vijë në Tiranë. Gjatë vizitës në vendin tonë, Syrigos do të bëjë një takim në ambientet e paraburgimit që ndodhet te Qendra Spitalore e Burgjeve Tiranë (Nënë Tereza). Pas takimit, në orën 12:00, Syrigos do të prononcohet për mediat shqiptare, ku edhe do të zbulojë detaje nga takimi.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Edhe pse i arrestuar, ai mundi të fitojë zgjedhjet kundër kandidatit tjetër të së majtës, Jorgo Goro. Por, Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin për marrjen e detyrës. Arrestimi i tij ka tensionuar jo pak retorikën e fqinjëve grek, të cilët kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, madje çështjen e kanë ngritur si problematike deri në Bruksel. Nëse shpallet fajtor Fredi Beleri rrezikon të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg.