Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, kritikoi në Kuvend urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, duke ngritur shqetësime për zbatimin e terapisë hormonale në shërbimin publik shëndetësor. Spahia tha se urdhri është nxjerrë “në mënyrë të fshehtë e tinzare” dhe pyeti ministren se mbi çfarë baze është përcaktuar mosha 14 vjeç për aplikimin e kësaj terapie. Ai kërkoi sqarime për konsultimet e kryera me autoritetet dhe grupet e interesit, duke e cilësuar nismën si të paligjshme dhe me pasoja të pakthyeshme për fëmijët dhe familjet shqiptare. Deputeti demokrat ngriti gjithashtu pyetje mbi nevojën mjekësore të procedurës dhe qëllimin e kësaj iniciative.
"Ju zonja ministre në mënyrë të fshehtë e tinzare nxorrët një urdhër për aplikimin e terapive hormonale pranë shërbimit të endikronologjisë në QSUT. Ky urdhër ka ndikim direkt dhe impakt të pakthyeshëm në jetët e fëmijëve, dhe familjeve shqiptare. Me ç’të drejtë e përcaktoni ju moshën 14 vjeçare për aplikimin e terapisë hormonale për fëmijë të pambrojtur sikur të ishin kavie eksperimentale? Kush e përcaktoi kufirin e moshës 14 vjeç? Cilat kanë qenë konsultimet me autoritetet përkatëse e grupet e interesit. Kush është ideatori i një nisme të tillë? Këto janë axhenda të qarta Woke-iste. Ky akt është i paligjshëm. Cila është nevoja mjekësore dhe prioriteti i kësaj procedure? Çfarë qëllimi fshihni pas kësaj iniciative?" tha Spahia ndër të tjera në fjalën e tij në Kuvend.
Lajmi kryesor:
LIVE - Debate në Kuvend për Zvërnecin/ Berisha mbron investimin pas 2 ditësh heshtje: Më seriozi në Shqipëri 13 vitet e fundit! Balla: Do të realizohet, komshiu e ka zili komshiun











