Bushka tha se, Lulzim Basha vazhdon të bëjë hetuesin, prokurorin, gazetarin, dhe të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e tij “të dashur” të dekriminalizimit për të dytën herë.
Deklarata e plotë:
Si ka mundësi që Partia Demokratike vazhdon të mbrojë një njeri të dënuar për vjedhje makinash, vjedhje banesash?
Si ka mundësi që ky njeri vazhdon të mbajë i pashqetësuar detyrën e kryetarit të Bashkisë Mallakastër; apo vetëm e vetëm sepse është përfaqësues i Partisë Demokratike?
A ndikoi Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri të arkivonte dosjen e Agron Kapllanaj?
KQZ, në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë, shkeli hapur ligjin dhe afatin e parashikuar prej ligjit për marrjen në shqyrtim të çështjes.
Lulzim Basha vazhdon të bëjë hetuesin, prokurorin, gazetarin, dhe të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e tij “të dashur” të dekriminalizimit për të dytën herë!
Është hera e dytë që Lulzim Basha merr në mbrojtje njerëzit e tij të kapur me presh në duar dhe është e hera e dytë që refuzon të marrë përgjegjësinë si kryetar në detyrë i PD.
Basha kujton se do të mashtrojë përsëri demokratët, duke u kapur si i mbyturi pas fijes së barit me një histori që i takon drejtësisë, aspak Lulit, që ta zbardhë deri në fund.
Shpifjet e tij për Policinë e Shtetit janë përpjekjet e dëshpëruara të një njeriu të dëshpëruar, ndërkohë që Policia e Shtetit ka bërë detyrën duke dhënë një tjetër shembull të qartë: se për ne e për qeverinë tonë nuk ka dy standarde, siç ka për Lulzimin kur vjen puna për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit!
Deklaratat e Partisë Demokratike se ne socialistët kërkesën për pavlefshmërinë e mandatit të Agron Kapllanajt e kemi për shoë mediatik janë qesharake dhe janë përpjekje për të hequr vëmendjen e publikut nga kjo çështje.
Kjo sepse ne socialistët, respektimin e ligjit dhe barazinë e të gjithëve para ligjit e kemi treguar me fakte, me veprime dhe jo me fjalë ashtu siç po veprojmë dhe këtë herë me kërkesën që i kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Agron Kapllanaj.
Kryeministri Edi Rama dhe kjo mazhorancë kanë dhënë shembullin e përjashtimit dhe të nënshtrimit ndaj organeve të drejtësisë të të gjithë individëve të akuzuar për kundërligjshmëri.
Ju kujtoj këtu rastin e ish kryebashkiakut të Kavajës, të cilin kryeministri Rama e shkarkoi nga detyra.
Ndërsa Lulzim Basha jo vetëm që nuk ka marrë asnjë vendim për përjashtimin e Agron Kapllanajt nga forumet partiake, por nuk guxon as të shprehet publikisht për rastin, ashtu siç i takon kryetarit të partisë që e kandidoi dhe u dha fatin e keq mallakastriotëve të drejtohen nga një person i dënuar për vjedhje.
Redaksia Online
Xh.F /Shqiptarja.com