Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, është e bindur se forca politike ku ajo aderon do të fitojë zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës.

E ftuar në studion e Report Tv në emisionin “Studio Live”, Gjuzi theksoi se PS bën përgatitje të vazhdueshme për zgjedhjet dhe punon në terren me qytetarët.

“PS del në çdo palë zgjedhje fituese sepse përgatitet gjatë gjithë kohës, përgatitet në territor me qytetarët, duke dëgjuar problematikat e tyre. Ka ende shumë gjëra për të përmirësuar. PS punon në mënyrë të vazhdueshme për të spikatur figurat në radhët e saj. Ne nuk e marrim për të mirëqenë asnjëherë fitoren, por duke bërë punën dhe organizuar fituesin e PS, ne besojmë edhe këtë herë që PS do marrë një rezultat shumë pozitiv pikërisht duke u bazuar në përgatitjen që bën”.

Sa i përket jetës parlamentare, ku opozita nuk lejoi prezantimin e programit qeverisës të PS në Kuvend, deputetja Gjuzi shprehet se ishte befasuese për të situata që ndodhi.

“Si deputete e re ishte pak befasuese kur shikon që në vend se të bëhet një debat konstruktiv aty dëgjon lloj e soj edhe një diskurs që nuk është as politik, po një lloj zhargoni që nuk do duhej të përdorej. Ne do vazhdojmë të bëjmë diskursin tonë politik. Jemi në një rrugëtim shumë të rëndësishëm deri në vitin 2027 për të përmbushur detyrimin në kuadër të negociatave”.

Megjithatë, Gjuzi shpreson në bashkëpunimin e opozitës në vijim për reformat integruese të vendit.

“Misioni i integrimit europian është i tillë që do duhej t’i bënte bashkë të gjithë shqiptarët. Nuk dua të flas para kohe, shpresoj që do kemi bashkëpunimin e opozitës pasi kjo është një e mirë kombëtare dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:31
Në punë me foshnjen në krah, deputetja Gjuzi për Report Tv: Nuk më pengon të jap kontributin tim

 

Deputetja socialiste Ilva Gjuzi mori vëmendje mediatike ditën e sotme, teksa u shfaq me foshnjen 38-ditëshe në krah gjatë punës në komisionin parlamentar.

Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Studio Live”, deputetja Gjuzi theksoi se si nënë e 4 fëmijëve, mëmësia nuk e pengon që të japë kontributin e saj.

Sikundër, të njëjtën thirrje e bëri edhe për të gjitha gratë e vajzat e tjera, që të mos privohen nga puna edhe nëse janë nëna.

“Nuk më ka penguar asnjëherë dhe nuk më pengon, por nuk duhet të pengojë as ato gra që janë të afta të japin kontributin e tyre. Dhe nuk duhet ta kenë dilemën a mund t’i bëjnë të dyja apo jo”, u shpreh ajo.

Prezenca e deputetes Gjuzi në komision me djalin e saj Blinin me vete tërhoqi jo pak vëmendjen e mediave dhe të publikut, pasi i hasën me një pamje e cila mund të themi që është e rrallë për në Shqipëri. Vogëlushi i saj është vetëm 38 ditësh.