Deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, është shprehur se sot Shqipëria nuk ka ideologji më të afërt sesa Europën.
Komentet Koçeku i ka bërë përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa sot është Dita e Europës, ku ka shkruar se edhe vetë Europa ka nevojë sot të rishpikë veten.
Sipas deputetes socialiste, Europa nuk mund të mbetet një ide e mbyllur në vetëvete, por ka nevojë ta paraqesë veten si Neoeuropë përmes zgjerimit dhe integrimit të kombeve që historikisht dhe shpirtërisht i përkasin asaj.
Reagimi i plotë i Koçekut:
Sot, në Ditën e Europës
Nji popull mundet me e përqafu nji ideologji vetëm atëherë kur ajo i jep shpresë për zhvillim dhe siguri kolektive. E sot Shqipnia nuk ka ideologji ma të afërt e të mbarë sesa Europën.
Shoqnitë që ecin përpara janë ato shoqni që dinë me u përshtatë me kohën dhe me rrokë vizione të reja për të ardhmen, pa e humbë kurrë boshtin e vlerave të veta identitare e kulturore. Janë shoqni që dinë me e rishpikë veten përmes raportit me tjetrin, pa u tretë në tjetrin. Dhe Europa ka kenë pikërisht kjo bashkësi e madhe kulturash, gjuhësh e historish të ndryshme, identitetesh, lokalitetesh, që njikohësisht edhe ka ba të mundun integrimin e tyne por edhe ka përforcu mëvetësinë e secilit syresh.
Ajo asht nji bashkësi që në pamje të parë duket sikur ngërthen nji kundërthanie brenda vetes, por e pame në miniaturë s’mundet me pasë gjenialitet më të madh në historinë e njerëzimit sesa mënyra sesi asht kompozu nji kolektivitet i tillë “identitetesh të ndryshëm”, nji kontratë kaq e mrekullueshme mes të ndryshmëve që e kthen dallimin në bashkëjetesë dhe historinë në projekt të përbashkët.
Sot, në nji kohë kur lufta dhe pasiguria janë rikthy sërishmi në kontinent, asnji shtet i vogël nuk mundet me mendu se e përballon i vetëm sfidën e së ardhmes. Jashtë Europës, shtetet tona rrezikojnë me mbetë të ekspozueme, të copëzueme ekonomikisht e politikisht, rrezikojnë me mbetë gjysma-shtete, si nukleuse të izolueme përballë krizave globale. Ndërsa Europa mbetet hapësina ku shtetet e vogla fitojnë peshë, siguri dhe mundësi reale për me u ba të plota, pra mundësi për me e gjetë veten.
Por edhe vetë Europa duhet me u rishpikë. Ajo nuk mundet me mbetë nji ide e mbyllun në vetvete. Europa ka nevojë me u rieuropianizu, me e paraqit veten si nji Neoeuropë, përmes zgjerimit, përmes integrimit të kombeve që historikisht dhe shpirtërisht i përkasin asaj. Integrimi i Shqipnisë nuk asht vetëm nevojë e jona; asht edhe nevojë e vetë Europës për me e ripërtëri energjinë e saj politike.
Prandaj, rruga europiane për Shqipninë nuk duhet pa veç si proces administrativ apo politik. Ajo asht nji zgjedhje qytetnore dhe historike. Asht zgjedhja për me i dhanë këtij vendi ma shumë siguri, ma shumë drejtësi, ma shumë dinjitet dhe ma shumë mundësi për brezat që vijnë.
Europa asht nji mënyrë me e mendu të ardhmen. Asht e ardhmja që shoqnisë e shtetit tonë i duhet me e rrokë.
Komente








