Deputetja Erisa Xhixho ka reaguar për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburantit në vend, duke e cilësuar situatën si një “alarm social” për familjet shqiptare.

Xhixho shprehet se rritja e çmimeve nuk është krizë e rastësishme, por pasojë e një modeli ekonomik që, sipas saj, favorizon ‘klientët’ e qeverisë dhe dëmton konkurrencën dhe prodhimin vendas. Ajo përmend si shembull çmimin e domateve, që sipas saj ka arritur në 500 lekë të reja, si dhe shtrenjtimin e produkteve bazë deri në 50%.

Deputetja thekson gjithashtu se çmimi i naftës ka arritur në 224 lekë për litër, ku sipas saj rreth 60% përbëhet nga taksat. Sipas Xhixhos, ulja e akcizës nuk ka sjellë ndikim real për qytetarët.

Postimi i deputetes Erisa Xhixho

Rritja e çmimeve të ushqimeve është një alarm social që po varfëron çdo familje shqiptare. Kjo nuk është krizë. Kjo është pasojë direkte e një modeli ekonomik të kapur, që favorizon një grusht klientësh të lidhur me qeverinë, ndërsa shkatërron konkurrencën dhe prodhimin vendas.

Domatet sot shiten me 500 lekë të reja ( 5 mije lek të vjetra) një çmim absurd për një vend si Shqipëria. Dhe nuk është rasti i vetëm: produktet bazë janë shtrenjtuar deri në 50%, duke e bërë jetesën të papërballueshme.

Nafta në 224 lekë ku 60% e këtij çmimi janë TAKSAT e qeverisë Rama. Ulja e akcizës me 20% prodhoi vetëm 8 lekë diferencë , një tallje me qytetarët. Efekti zinxhir është i pashmangshëm: çdo ditë më shumë shtrenjtim, çdo ditë më pak mirëqenie.

Ndërkohë, propozimet e Partisë së Lirisë për të lehtësuar direkt qytetarët :

pezullimi i taksave të qarkullimit dhe karbonit mbi naftën .

ulja e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 5% , janë refuzuar pa asnjë reflektim.

Kjo maxhorancë nuk qeveris për qytetarët.  Ajo përfiton nga kriza, duke u pasuruar, duke mbushur arkën e shtetit mbi kurrizin e njerëzve. Para ka. Por jo për qytetarët. Vetëm për klientët.