Pushimet e verës për deputetët kanë marrë fund dhe përpara i pret sezoni politik i vjeshtës. Kuvendi i Shqipërisë do të hapë të martën, më 8 shtator, sesionin e ri parlamentar, duke rikthyer në sallë shumicën dhe opozitën pas ndërprerjes së aktivitetit gjatë muajit gusht.
Edhe pse Kushtetuta parashikon që sesioni i ri nis të hënën e parë të shtatorit, këtë vit punimet do të çelen një ditë më vonë. Shkak është 7 shtatori, festë zyrtare për Shenjtërimin e Nënë Terezës.
Sipas urdhrit të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, seanca plenare do të zhvillohet të martën në orën 17:00.
Pika kryesore e rendit të ditës është hapja e punimeve të sesionit të tretë të Legjislaturës së XI të Kuvendit. Më pas deputetët do të miratojnë procesverbalet e seancave të 27 korrikut dhe seanca do të vijojë me njoftimet sipas rendit të ditës.
Me këtë seancë nis zyrtarisht edhe sezoni i ri politik, ku pritet që Kuvendi të rikthehet në axhendën e zakonshme me shqyrtimin e projektligjeve dhe debatet mes mazhorancës dhe opozitës.










Komente
Komento