Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 31 të lënduar:
21 efektivë, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias (1 shtrim).
Aktualisht në Spitalin e Traumës janë 2 protestues që po plotësohen me ekzaminime dhe konsulta. Ministria bën me dije se nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14 që janë 5 efektivë, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.
Raportohet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë ditës së djeshme janë paraqitur 5 të lënduar: 2 efektivë policie dhe 3 protestues.
Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu gjatë vizitës në Spitalin Universitar të Traumës, falënderoi ekipet mjekësore për përkushtimin në trajtimin e të lënduarve.
Ajo u bëri thirrje prindërve dhe profesionistëve që të dëgjojnë shqetësimet e të miturve, ku sipas saj ata kanë nevojë për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen e tyre .
“U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë”, theksoi ministrja
Spahiu theksoi se shërbimet sociale dhe psikologët janë në dispozicion të të miturve që kanë nevojë për mbështetje si dhe u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t’i shpërndajnë dhe të mbështeten te burimet zyrtare, për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme dhe shtimin e tensioneve.
Ministrja ka bërë me dije gjithashtu se sipas të dhënave të strukturave shëndetësore, gjatë protestave të 13–18 tetorit 2026 janë raportuar 303 persona të dëmtuar: 190 punonjës policie, 87 protestues dhe 26 kalimtarë.
Lajmi kryesor:
10 orë protestë/ Policia strategji të re në ditën e shtatë, neutralizon sulmet që në nisje! Gurë e zjarr Gjykatës së Apelit, 5 të arrestuar! Fishekzjarre e molotovë efektivëve







