Të premten zhvillohet ndeshja më e rëndësishme e kampionatit shqiptar të futbollit Tirana-Partizani. Pavarësisht gjendjes aktuale ku ndodhen dy ekipet, Partizani në vendin e dytë dhe Tirana në vendin e fundit, rivaliteti mes dy ekipeve është mjaft i fortë dhe fituesi është i paparashikueshëm.

Në prag të ndeshjes në një intervistë për ‘Shqiptarja.com’ një nga personat që  njeh mjaft mirë dy kampet, Luan Pinari analizon gjendjen dhe shanset e dy ekipeve për të fituar. “Ndeshja do të jetë mjaft e rëndësishme për objektivat e dy ekipeve, por sidomos për Tiranën, pasi ndodhet në vendin e fundit dhe rrezikon rënien.

Një humbje e bardhebluve do të përjetohej si dramë, ndërsa Partizanin, fitorja do ta inkurajonte akoma më shumë në luftën për titull. Dy ekipet janë përforcuar në merkato, por të kuqtë ndodhen një hap përpara, pasi kanë futbollistë cilësorë dhe një ekip më të konsoliduar” thotë ai.

Por, a e ka luksin Tirana që të sulmojë Partizanin? “Mendoj se jo, do të rrezikonte shumë, pasi do të krijonte shumë hapësira pas, që mund të shfrytëzohen nga Partizani. Tirana duhet të mbrohet mirë dhe të sulmojë në minutat e fundit për të luajtur gjithçka. Ndërsa Partizani ka fuqinë e duhur për të mbrojtur dhe sulmuar pa frikë, pasi ka një ekip kompakt dhe pretendent për titullin kampion” shprehet ai. Në vazhdim, Pinari deklaron se një humbje me

Partizanin në derbi do të rrezikonte seriozisht pozitat e Tiranës për qëndrimin në Superligë. “Tirana meriton që të jetë në elitë, pasi së bashku me Partizanin janë historia e futbollit shqiptar. Nuk ka kuptim kampionati pa këto dy ekipe, një gjë e tillë u pa qartë edhe me mungesën e Partizanit për 4 vite. Prandaj, bardheblutë i duhen Superligës, por për qëndrimin duhet të luftojnë, pasi javët kalojnë shpejt”. Në fund Pinari uron që të fitojë më i miri, pavarësisht se anon pak më shumë nga të kuqtë. “Pika më e fortë e kësaj ndeshje derbi janë tifozët që kanë dhuruar spektakël në cdo sfidë. Personalisht anoj pak më shumë nga Partizani, pasi kam luajtur më shumë me të kuqtë, por të premten uroj të fitojë më i miri” deklaron Pinari.