MILANO, Itali - Derbi nuk luhet, derbi fitohet. Me këtë parim, Interi dhe Milani do zbresin sot në fushë në orën 20:45. Sfida e 'San Siros' vlen për raundin e 12-të në Serie A dhe zikaltërit me një fitore do kapërcenin kryesuesit e Napolit, ndërsa Milani me tri pikë do barazonte ekipin e Contes.
Interi, nën drejtimin e Cristian Chivu, po kalon një periudhë fantastike, sidomos në sulm, ku kanë shënuar 26 gola, më shumë se çdo ekip tjetër në Serie A. Forma e tyre e fundit ka qenë për t'u marrë shembull, me shtatë fitore në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit, pas një periudhe të vështirë në muajin shtator. Zikaltërit kanë një rekord perfekt në Champions League deri tani, duke dëshmuar edhe më shumë formën momentale.
Nga ana tjetër, Milani është i pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit, duke treguar një strukturë të fortë mbrojtëse nën drejtimin Massimiliano Allegrit. Megjithatë, sulmi i tyre ka qenë më pak i qëndrueshëm dhe barazim i fundit ndaj Parmës i la në vendin e pestë.
Rekordi - Derbi i sotëm pritet të shënojë rekordin më të lartë të të ardhurave nga biletat në historinë e Serie A, duke thyer për herë të parë shifrën prej 8 milionë eurosh. Sipas vlerësimeve, do ta tejkalojë shumë rekordin e mëparshëm (7,626,430 euro) të vendosur në derbin e fundit në shtëpi të zikaltërve më 22 shtator 2024. Mbi 75 mijë tifozë priten sot në stadium.
Statistikat
Përballja e sotme do jetë e 229 mes dy klubeve në histori, me Interin që ka më shumë fitore. 85 ndeshje kanë fituar zikaltërit, kundrejt 74 të Milanit, 69 duele të tjera janë mbyllur në barazim. Interi ia ka dalë t'i shënojë Milanit 311 gola, kundrejt 295 të pësuarve. Statistikat më sipër vlejnë për përballjet në të gjitha kompeticionet.
Formacionet e mundshme dhe dilemat
Trajneri i Interit, Cristian Chivu pritet të hedhë në fushë një formacion sulmues, me skemën 3-5-2. Dilema e vetme është ajo në mesfushë, nëse nga minuta e parë do luajë Zielinski apo Sucic. Duket se polaku ka më shumë gjasa që të ketë një fanellë titullari.
Nga ana tjetër, Milani është në dilemë për krahun e majtë. Bartesaghi duket se është më i avantazhuar se Estupinan. Max Allegri do përgjigjet me skemën 3-5-2.
Asnjë skuadër nuk ka futbollistë të pezulluar dhe të gjithë janë të gatshëm për të dyja stafet teknike.

Inter - Milan, formacionet e mundshme
Komente








