TIRANE-Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit ka gjobitur dhe çuar për ndjekje penale firmën e parë që paguhej nga taksat e qytetarëve për të trajtuar mbetjet urbaneRrogozhinë, por në fakt i hidhte në lumin Shkumbin duke krijuar një landfill të hapur, ndërsa gjithçka përfundonte në det. “Viola-Green SHPK” është gjobitur me 2 mln lekë, pasi mbetjet urbane të qytetit të Rrogozhinës i kishte hedhur në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin, pjesë e territorit të kësaj bashkie. Veç masave administrative, policia e shtetit njofton se do të ndërmarrë hetim penal për këtë rast, si dhe në çdo rast tjetër që lidhet me krimet mjedisore. IKMT thekson se ka njoftuar bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.

Por kush janë pronarët e kësaj kompanie, “Viola-Green SHPK”? “Viola-Green SHPK” është themeluar në vitin 2015. Ka si objekt pastrimin dhe përpunimin e mbetjeve. Kompania është në pronësi të Fatos Jaupit me 33% të aksioneve, Marsel Shega ka 34% të aksioneve dhe Sherif Kapllani 33% të aksioneve. Marsel Shega është administrator i kompanisë. Zyrat kjo kompani i ka në rrugën "Zhan d’ark" në Tiranë. “Viola-Green SHPK” ka lidhur 4 kontrata për pastrim të mbetjeve, 2 kontrata me Bashkinë Prrenjas, një me Bashkinë e Peqinit dhe një me Kuçovën. Vlera e 4 kontratave është 198 723 683 lekë, pra këtë shumë e ka marrë nga taksat e qytetarëve nga bashkitë, por mbetjet i ka hedhur në Shkumbin duke i kthyer në një 'bombë ekologjike'.

IKMT u bën thirrje gjithë bashkive të vlerësojnë si prioritet mbrojtjen e mjedisit përgjatë kryerjes së punëve publike. "IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. IKMT dhe Policia e Shtetit fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë raste të abuzimit me mjedisin, duke telefonuar falas në 112 apo në aplikacionin Komisariati Dixhital" mbyllet njoftimi.

Ndërkohë që pas kronikave denoncuese në Report Tv se basenet e lumit Tirana, Ishëm, përroit të Arbanës ishin mbushur me mbetje spitalore, plastikë dhe inerte, prokuroria e Tiranës nis hetimin dhe kërkoi me shkresë urgjente nga pushteti lokal përgjigje. Kush i ka hedhur mbetjet? Sa herë janë kontrolluar lumenjtë? Përse nuk janë pastruar sipas pamjeve të transmetuara në media? Janë këto pyetjet e prokurorisë drejtuar zyrave të pushtetit lokal në të cilat kalojnë këto lumenj. Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit pak muaj më parë kaloi nga Ministria e Mjedisit në varësi të Ministrisë së Brendshme, ndërsa Sandër Lleshaj ka paralajmëruar se aksioni do të shtrihet në të gjithë vendin për pastrimin e lumenjve.

Gjoba ndaj kompanise